Çështja Gashi-Gina në Strasburg pritet të ketë pasoja për vetingun

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Çështja Gashi-Gina në Strasburg pritet të ketë pasoja për vetingun Prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina

Prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina kanë apeluar vendimin e Kolegjit të Apelimit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (ECtHR). KPA, në vendimin e datës 21 qershor 2018, shprehet se ajo nuk ka kompetencën për të marrë një vendim mbi vendimin e Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme Arta Marku për të pezulluar dy prokurorët.

Si kanë ndodhur ngjarjet?

Në mars të 2018, dokumentet konfidenciale që lidhen me deklarimin dhe sqarimet e pasurisë personale të prokurores Rovena Gashi, të dërguara në mënyrë ekskluzive pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) “rrodhën” në media dhe u bënë publike. Këto dokumente u botuan nga portali i ish-deputetit socialist dhe tani Sekretar për Marrëdhëniet me Median, Alfred Peza, i hetuar më parë nga Prokurorja Gashi, pa kaluar as 48 orë nga dorëzimi i tyre në KPK.

Pas publikimit të dokumenteve, Donika Prela, në atë kohë Kryeprokurorja e Durrësit, tani Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nisi hetimet për fshehje të të ardhurave, pastrim parash dhe mos deklarim të pasurisë ndaj çiftit të prokurorëve Gashi-Gina. Prokurorja Prela nuk njoftoi palët mbi nisjen e hetimit dhe marrjen e tyre si të pandehur, një vendim në shkelje të ligjit.

Më 11 maj 2018, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku vendosi pezullimin nga detyra të prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina, me motivin se çifti i prokurorëve janë marrë si të pandehur nga Prokuroria e Durrësit.

Vendimi i Markut u bazua në nenin 151 (1)(b) Ligjit 96/2016, i cili parashikon se:

Magjistrati pezullohet nga detyra me vendim të Këshillit përkatës kur, ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje” 

Sipas, Kushtetutës në Nenin 149/a(1)(a) qartazi theksohet se “emërimi” dhe “transferimi” i prokurorëve është e drejtë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe jo e Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas ligjit 96/2016, deri në ngritjen e KLP-së, Prokurori i Përgjithshëm mund të pezullojë prokurorët, të emërojë prokurorë të sapo diplomuar dhe të largojë prokurorët kur arrijnë moshën e pensionin.

Në situatën aktuale, Arta Marku ushtron funksionet e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshme dhe jo të Prokurorit të Përgjithshëm. Pra ajo nuk mund të “emërojë” ose “transferojë” prokurorë — ajo qartazi nuk ka të drejtën ligjore të pezullojë ndokënd. Gjatë procesit të saj të vetingut, Marku nuk pranoi të japë asnjë argument ligjor për veprimet e saj, ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk funksionon e nuk mund ta shqyrtojë këtë rast.

Por, pavarësisht paqartësisë të pazgjidhshme ligjore dhe vendimeve të paligjshme, Marku i pezulloi dy prokurorët.

Në urdhrin 140 dhe 141, të datës 11 maj, dhënë nga Arta Marku, shkruhej se për të ankimuar vendimin, prokurorët “t’i drejtohen Kolegjit të Apelimit”.

Në qershor, Rovena Gashi dhe Dritan Gina ankuan vendimin e Markut tek Kolegji i Apelimit.

Më 5 korrik, Kolegji i Apelimit i përgjigjet ankimimit të Gashit e Ginës duke mos marrë përsipër ta shqyrtojë atë. Në vendimin e saj, KPA arsyeton se pezullimi i Gashit dhe Ginës duhet të interpretohet si “masë disiplinore”. KPA i drejtoi prokurorët tek Gjykata Administrative e Apelit, duke rrëzuar kështu urdhërin e Arta Markut dhe duke e lënë çështjen praktikisht pezull. Sipas ligjit, vendimet e KPA-së nuk mund të apelohen.

Pasojat e mundshme të këtij denoncimi në GJEDNJ

Si rezultat i situatës së paqartë ligjore, Gashi dhe Gina iu drejtuan GJEDNJ-së më 7 shtator. Ato kërkojnë një opinion të GJEDNJ-së mbi disa çështje që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti, jo vetëm me çështjen e tyre, por me reformën në drejtësi në tërësi.

Në korrik, shkruajta se dërgimi i një çështjeje në lidhje me vetingun në GJEDNJ do të kishte pasoja serioze dhe rasti i Gashit e Ginës duhet të jetë veçanërisht shqetësues për qeverinë shqiptare dhe mbështetësit e saj ndërkombëtarë, pasi ky rast nuk ka të bëjë vetëm me vetingun.

Rasti i Gashit dhe i Ginës ka të bëjë pjesërisht me kompetencat e KPA-së si “gjykatë”, dhe në lidhje me ligjshmërinë e të gjithë aparatit juridik të ngritur për të mbështetur vetingun – dhe vetë reformën në drejtësi.

Një element i padisë së Gashit dhe Ginës është nëse KPA-ja mund të konsiderohet një “gjykatë” sipas nenit 6 (1) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut:

“Në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ose të çdo akuze penale kundër tij, çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”

GJEDNj-së i kërkohet të përcaktojë nëse KPA-ja është një institucion i ligjshëm gjyqësor dhe a është i paanshëm në gjykimin e tij për rastin e prokurorëve Gashi – Gina.

Prokurorët i kërkojnë GjEDNj të shprehet nëse rrjedhja e deklaratave të tyre të pasurisë, dokument konfindecial i procesit të vetingut, është shkelje e të drejtës së tyre për respektimin e privatësisë.

Prokurorët gjithashtu i kërkojnë GJEDNj-së të vlerësojë nëse apelimi i vendimit në KPA ka qenë “mjet efektiv i përdorur nga Prokuroria e Përgjithshme për të rregulluar shkeljen e saj ligjore “.

Të gjitha këto çështje lidhen me bazën e reformës në drejtësi dhe mënyrën se si po zhvillohet procesi aktualisht: nëse KPA-ja është një gjykatë e paanshme dhe e drejtë; nëse deklaratat e pasurisë të rrjedhura në media mund të përdoren për të nxjerrë gjykatësit dhe prokurorët jashtë sistemit të drejtësisë edhe para se të verifikohen; nëse korniza ligjore e komprometuar e reformës në drejtësi, me shumë boshllëqe dhe paqartësi — të cilat së fundi një e emëruar politike si Arta Marku po i përdor për interesin e saj—nuk është një kërcënim për shpërndarjen e drejtë të drejtësisë.

Pyetje për qeverinë shqiptare

Më 12 shtator, GJEDNj i ka dërguar qeverisë shqiptare një seri me 6 pyetje në lidhje me çështjen. Kjo është hera e parë që prej zbatimit të reformës në drejtësi që qeveria e Kryeministrit Rama do të duhet të justifikojë veten — diçka që ajo nuk ka pranuar ta bëjë në mënyrë sistematike brenda vendit.

Pyetjet e GjEDNj drejtuar qeverisë lidhen direkt me çështjen e prokurorëve Gashi-Gina. GJEDNj i kërkon qeverisë të argumentojë nëse KPA mund të konsiderohet si një gjykatë sipas nenit 6 (1) të ECHR-së, nëse ato kanë zbatuar një dëgjesë të drejtë, nëse e drejta e privatësisë së prokurorëve është shkelur, dhe nëse KPA ka dhënë zgjidhje efektive.

Lajme te ngjashme