Ç’po ndodh në Prokurorinë e Krimeve të Rënda? Arta Marku

Vendimet pa baza ligjore të kryeprokurores Arta Marku dhe dosja e Emiljano Shullazit kanë futur në kaos Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Një ditë më parë, kryeprokurorja Marku nisi hetim disiplinor ndaj 10 prokurorëve dhe transferoi tre në tjerë në prokuroritë e rretheve, ndërsa sot shkarkoi kreun e Drejtorisë së Inspektimit në Prokurori pasi ai refuzoi të inspektojë kolegët e tij.

Më poshtë po shpjegojmë shkurtimisht rrjedhën e ngjarjeve:

Emiljano Shullazi, së bashku me bandën e tij të përbërë nga Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, po hetohet që prej vitit 2016 për “krijim grupi të strukturuar kriminal”, “shkatërrim prone me eksploziv” dhe “gjobëvënie”. Më herët shullazi është dënuar dhe për trafik droge.

Hetimet për bandën Shullazi po kryhen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Prokurorët e kësaj çështje ishin Elisabeta Ymeraj dhe Ened Nakuçi.

Gjykata e Krimeve të Rënda nisi procesin gjyqësor ndaj Shullazit dhe anëtarëve të tjerë të bandës në fillim të vitit 2017. Gjatë seancave gjyqësore, të cilat në shumicën e rasteve shtyheshin, shumë prej dëshmitarëve të gjetur nga prokuroria deklaruan se ishin kërcënuar nga Shullazi dhe u tërhoqën nga deklaratat e tyre.

Në gusht 2018, Elisabeta Ymeraj u emërua në krye të Prokurorisë Tiranë, megjithatë bazuar në ligj, ajo nuk largohet nga çështjet që ka në ndekje. Prokurori Ened Nakuçi paraqiti në prokurori një raport mjekësor sipas të cilit duhet të largohet nga puna për 6-muaj.

Në këto kushte, Donika Prela, drejtuesja e re e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, emëroi prokurorin Besim Hajdarmataj në këtë çështje. Vetë prokurori Hajdarmataj u shpreh se ka pranuar të përfaqësoje akuzën në këtë çështje, megjithëse baza ligjore për emërimin e tij nuk ishte e qartë që në fillim. Në seancën e parë ku Hajdarmataj u paraqit, më 11 shtator, pati kundërshtime nga avokatët mbrojtës së Shullazit.

Kështu më 19 shtator prokurorja Prela organizoi hedhjen e një shorti me të 17 prokurorët e Krimeve të Rënda për të vendosur prokurorin e radhës për çështjen Shullazi.

Prokurorët e kundërshtuan zhvillimin e një shorti të ri, pasi sipas tyre, është i paligjshëm dhe se çështja Shullazi ka ende prokurorët që kanë kryer hetimet, ndaj nuk ka përse të zgjidhen prokurorë të rinj.

Kundërshtimit të prokurorëve, Kryeprokurorja Marku iu përgjigj me masa disiplinore më 20 shtator: ajo vendosi nisjen e hetimit disiplinor për 10 prokurorë dhe transferimin e tre prokurorëve në prokuroritë e rretheve, specifikisht Besim Hajdarmataj në Pogradec, Sonila Muhametaj në Pukë dhe Olsian Çela në Berat.

Sot, Marku shkarkoi dhe kreun e Drejtorisë së Inspektimit në Prokurori Sokol Stojani, pasi refuzoi të hetojë 10 kolegët e tij.

Ndërkohë prokurorët nën hetim kanë paditur kryeprokuroren Arta Marku, pasi u shprehen se vendimi i saj është pa baza ligjore dhe jashtë kompetencave të saj.