KLSH: Bashkitë Lezhë dhe Lushnje ndodhen në situatë kritike borxhesh

KLSH: Bashkitë Lezhë dhe Lushnje ndodhen në situatë kritike borxhesh

Dy prej bashkive të vendit ndodhen në situatë kritike borxhesh dhe rrezikojnë falimentin. Sipas auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bashkia Lezhë dhe Bashkia Lushnje kanë shumë detyrime të prapambetura të papaguara, aq sa nëse nuk gjehen zgjidhje të shpejta, bashkitë rrezikojnë falimentin.

Në Bashkinë Lezhë, KLSH ka gjetur se bashkia nuk ka paguar prej vitesh detyrimet ndaj të tretëve, të cilat po vazhdojnë të rriten me ritme të larta:

“Sipas të dhënave të pasqyruara në bilancin e vitit 2015 (çelur në vitin 2016), detyrimet ndaj të tretëve janë rreth 446 milionë lekë (3,5 milionë euro), ndërsa në fund vitit 2017 janë rreth 680 milionë lekë (5,4 milionë euro), ose janë rritur me 52%.”

Sipas KLSH-së, Kryetari i Bashkisë Lezhë duhet të ngrejë një grup pune me specialistë me përvojë nga të gjithë sektorët për të marrë në analizë detyrimet kreditore dhe në fazën e përgatitjes së PBA dhe buxhetit vjetor 2019, të planifikojë fondet për mbulimin e detyrimeve ndaj të tretëve.

Njësoj ka ndodhur dhe në Bashkinë Lushnje, ku:

“Rreth 203 milionë lekë (1,6 milionë euro) rezultojnë detyrime kreditore ndaj furnitorëve për mallra shërbime dhe punime të kryera, i mbartur nga vitet 2008 deri në vitin 2011. Detyrimet e prapambetura në vlerën 203 milionë lekë (1,6 milionë euro) janë shndërruar në një burim i vazhdueshëm i rrezikut financiar për subjektin. Bashkia Lushnjë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura është vendosur në vështirësi serioze financiare dhe nëse nuk del nga kjo situatë, atëherë ajo mund të hyjë në situatën e paaftësisë paguese.”

KLSH, edhe për Bashkinë Lushnje rekomandon hartimin e një plani zgjidhjeje sa më shpejtë, përndryshme, bashkia rrezikon të shpallë “falimentin”.

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme