Kryeprokurorja Marku minon hetimin e ish-ministrit Tahiri

Që nga emërimi i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku në dhjetor 2017, hetimet për çështjen e ish-ministrit Tahiri, krahut të djathtë të Kryeministrit Rama, që akuzohet për trafikimin e lëndëve narkotikëve, në bashkëpunim, dhe korrupsion pasiv, janë minuar.

Si fillim, kryeprokurorja Marku lejoi një dëshmitar vendimtar, Nazer Seitin, që të ekstradohet në Itali edhe pse prokuroria shqiptare po e hetonte atë në lidhje me çështjen Tahiri-Habilaj. Vendimi i ekstradimit të Seitit ishte në kundërshtim me nenin e 491 të Kodit të Procedurës Penale.

Më pas, Marku shkarkoi drejtuesin e Prokurorisë për krimet e Rënda Besim Hajdarmataj, i cili drejtonte çështjen Tahiri  dhe emëroi Donika Prelën në vendin e tij. Si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Markut nuk i lejohet të bëjë ndryshime në lidhje me transferimin ose shkarkimin e prokurorëve. Duke përvetësuar të drejtat e Këshillit të Lartë Prokurorial (KLP), Marku ka shkelur nenin 149 të Kushtetutës. Disa javë pas këtij vendimi, gjykata e Apelit vendosi heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpiak” dhe hetimin në liri të ish-ministrit Tahiri.

Prokurorja Marku kaloi me sukses vetingun, pavarësisht nga dyshimet serioze të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), dhe Komisioneri Publik nuk ka bërë ankimin të vendimit të KPK-së. Ajo tani me siguri do të vihet në krye të listës së kandidatëve “shtesë” për KLP-në, përsëri në kundërshtim me ligjin.

Për të pasuruar këtë rezyme mbresëlënëse të veprimtarive të paligjshme, Marku nisi hetim disiplinor për 10 prokurorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe transferoi (sërish në kundërshtim me Kushtetutën) tre prej tyre në prokuroritë e rretheve. Një nga ata që u transferua ishte dhe Hajdarmataj, drejtuesi i hetimit të Tahirit. Për të justifikuar këto vendime, Marku përmendi disa masa disiplinore, por nuk është e qartë se mbi çfarë baze ligjore ajo i ka marrë këto vendime.

Ajo që është e qartë është se hetimi i çështjeës Tahiri është futur në një rrugë pa dalje, falë Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, të zgjedhur në mënyrë të paligjshme, duke përdorur masa të paligjshme – të gjitha këto teksa gjykatat më të larta të vendit nuk ekzistojnë.