Kryetari i Kuvendit Ruçi thyen rregullat, sërish

Kryetari i Kuvendit Ruçi thyen rregullat, sërish Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi

Disa media kanë raportuar ditët e fundit se Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi e ka dërguar ligjin special të Teatrit Kombëtar, tashmë të ndryshuar, tek Presidenti Meta me kërkesën për ta dekretuar atë. Kjo duket se është një shkelje e Kushtetutës, pasi Presidenti ka të drejtë të mos i dekretojë ligjet e propozuara nga Parlamenti.

Ligji i parë special për Teatrin Kombëtar nuk u dekretua nga Presidenti Meta me argumentet se shkel kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare ku Shqipëria aderon apo që ka ratifikuar. Gjithashtu Komisioni Evropian komentoi dhe kundërshtoi disa aspekte të ligjit special. Si përgjigje, një komision parlamentar i kryesuar nga deputeti i PS, Eduard Shalsi propozoi që ligji të amendohej, në të njëjtën seancë që komisioni pranoi dekretin e Presidentit për të hedhur poshtë ligjin e mëparshëm:

“Pas diskutimeve, komisioni pranoi dekretin e presidentit dhe miratoi ndryshimet në ligj të propozuara nga relatori z.Ilir Beqja.”

Duke miratuar dekretin e Presidentit, Ligji i mëparshëm Special u bë i pavlefshëm, ndërsa ligji i ri i ndryshuar, duhet t’i dërgohet Presidentit Meta për rishikim si një ligj i ri, me një numër të ri, ku presidenti ka sërish të drejtën e tij kushtetuese për të mos e dekretuar. Në fakt, ka shumë gjasa që Presidenti Meta të mos e dekretojë ligjin, pasi amendimet e bëra nuk adresojnë shqetësimet e Presidentit Meta lidhur me antikushtetutshmërinë.

Megjithatë, Kryetari i Kuvendit Ruçi tani po përdor një “hile”, duke e kthyer Ligjin e ri Special tek Presidenti Meta me të njëjtin numër e emër, duke pretenduar se ai është i njëjti ligj dhe kështu duke ia ndaluar Presidentit mosdekretimin e tij.  Në rrethana të zakonshme, ky do të ishte një rast që do të dërgohejnë Gjykatën Kushtetuese, e cila aktualisht nuk është funksionale.Prandaj, mbetet të shihet se si Presidenti Meta dhe Parlamenti do t’i përgjigjen kësaj shkeljeje.

Nuk është hera e parë që Ruçi ka shkelur ligjin shqiptar në rolin e tij si Kryetar i Parlamentit. Por këtë herë, nuk ka gjykatë që mund ta gjykojë nëse veprimi i tij është i drejtë apo jo.

Lajme te ngjashme