Kukësi proteston kundër tarifave në Rrugën e Kombit, media hesht

Kukësi proteston kundër tarifave në Rrugën e Kombit, media hesht

Banorët e qarkut Kukës do të protestojnë sot në orën 11:00 në Rrugën e Kombit, kundër vendosjes së tarifës së kalimit në Rrugën e Kombit, në të njëjtën ditë kur kompania Kastrati do të nisë mbledhjen e tarifave.

Nga sot, çdo qytetar i cili do të kalojë në Rrugën e Kombit do të paguajë tarifën prej 5 euro për çdo kalim — përjashtohen nga kjo tarifë banorët e Kukësit, të cilët deri në 44 kalime do paguajnë 100 lekë për kalim dhe pas 44 kalimesh tarifën normale prej 5 urosh. Për mbledhjen e tarifës, kompania Kastrati ka ndërtuar 10 sportele, të cilat sot janë rrethuar nga Forcat Speciale, për të ndaluar protestuesit.

Banorët e Kukësit shprehen të vendosur për të protestuar dhe për të mos lejuar vendosjen e tarifave për kalimin e rrugës. Sipas banorëve të Kukësit, qarkut më të varfër në vend, kjo tarifë, megjithëse u reduktua pas protestave të marsit, është ende barrë ekonomike për ta dhe merr parasysh nevojën e madhe për transport të të gjithë zonave rurale të qarkut.

Ndryshe nga protestat e marsit, qytetarët e Kukësit sot nuk do të kenë as mbështetjen e këshilltarëve bashkiakë socialistë, që lajmëruan disa ditë më parë tërheqjen nga protesta.

Deri më tani dihet se protestës së qytetarëve do t’i bashkohet vetëm opozita. Kryetari i PD-së Basha bëri thirrje publike që qytetarët të bashkohen kundër vendosjes së kësaj tarife.

Ndërkohë që ndryshe nga protestat e marsit, kur e gjithë media raportoi për protestat dhe kërkesat e qytetarëve, kësaj radhe asnjë prej tyre nuk ka transmetuar njoftimin për prostestë, e me shumë gjasa nuk do të raportojë për të.

Lajme te ngjashme