Lulzim Basha: Qeveria Rama e kapur nga krimi, ndaj trembet nga vetingu i politikanëve

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha denoncoi sot nga Durrësi, kapjen e qeverisë nga bandat e narkotrafikut dhe premtoi se do të luftojë deri në fund për të bërë pastrimin e politikës me anë të vetingut të politikanëve.

Duke iu referuar rasteve si kapja e 613 kilogramëve kokainë apo makinë Toyota me miliona euro, të kapura në Durrës, Zoti Basha deklaroi:

“Porti i Durrësit është dëshmitar i përditshëm dhe i përnatshëm i aferave të tmerrshme si ajo e drogës së Maminasit. 180 milionë euro kokainë u futën vetëm pasi u dhanë garancitë më të larta. Ata që garantuan Xibrakën, garantuan edhe Maminasin. Ai që garantoi Toyota Yarisin, i përket një grupi politikanësh që sot në lidhje të ngushtë me krimin, janë kthyer në kërcënim serioz për stabilitetin e vendit, rajonit dhe eksportues të krimit, të drogës në Itali, Holandë, Gjermani dhe SHBA.”

Teksa në Tiranë, shumica socialiste ka nisur punimet në kuvend, Zoti Basha, së bashku me drejtues të tjerë të opozitës së bashkuar, deklaruan se do të denoncojnë me fakte dhe emra konkrete se si Kryeministri Rama dhe njerëzit e tij kanë përdorur pushtetin politik për të pastruar paratë e ardhura nga trafiku i drogës:

“Durrësi qeveriset nga bandat. Vangjush Dako është shërbëtori i bandave bashkë me çirakun e tij Çelën e OSHEE-së. Vangjush Dako ka shpërblyer me tendera dhe paratë e shqiptarëve bandat e Durrësit. Ai ka afruar edhe Jurgys Çyrben si anëtar të bandës së Shullazit si anëtar te parlamentit shqiptar.

Nëse nuk do të kishim një kamikaze poltike në krye të prokurorisë, sot Vangjush Dako duhet te ishte në burg.”

Duke ripërsëritur nevojën për veting të politikanëve, Zoti Basha tha se kryeministri Rama i trembet vetingut, ndaj po nxjerr pretendime të pavërteta për të ndaluar pastrimin e politikës nga këta njerëz të lidhur me krimin dhe të korruptuar:

“Socialistët, Edi Rama i trembet vetingut në politikë, njësoj siç iu tremb procesit të dekriminalizimit. Nuk e duan vetingun, sepse ka për qëllim të largojë nga kuvendit dhe zyrat e larta politikanët e korruptuar dhe të lidhur me të. Rama, Xhafaj, Çyrbjna, Balla dhe kushdo tjetër i lidhur me krimin duhet ta dijë mirë. Pretendimet që paraqesin sot ishin njësoj si të dekriminalizimit.

Vetingu i politikanëve nuk ka asnjë lidhje dhe ndikim negative me reformën në drejtësi. Të thuash se vetingu i politikanëve pengon reformën në drejtësi është njësoj si të thuash se vetingu në polici pengon reformën në drejtësi. Pse është normale që vetingut t’i nënshtrohet polici më i thjeshtë dhe jo politikanët?!

E kuptoni sa trashë i presin gënjshtrat?! Sepse ju kanë rënë të gjitha alibitë për të mos pranuar iniciativën tonë kushtetuese për pastrimin e Kuvendit nga politikanët e lidhur me krimin.

Le t’i hedhim poshtë mashtrimet e tij dhe të politikanëve të tjerë të lidhur me krimin. Ne do të luftojmë deri në fund për të arritur dekriminalizimin e plotë, për të larguar politikanët e lidhur me krimin nga institucionet e vendit. Me çdo mjet dhe me çdo formë!”