Marrëveshja Kosovë-Serbi, Eurokomisioneri Hahn: Nuk përjashtoj idenë e shkëmbimit të territoreve

Eurokomisioneri për Zgjerim Johannes Hahn, ndryshe nga ministrat e jashtëm të BE-së, nuk e ka përjashtuar ndryshimin e kufijve si zgjidhje të konfliktit Kosovë-Serbi.

Sipas Hahn, mjafton që zgjidhja e këtij konflikti të kontribuojë në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e rajonit:

“Jam në favor të zgjidhjes së çdo konflikti dypalësh dhe çdo zgjidhje duhet të kontribuojë në një stabilitet më të gjerë në rajon dhe jo të jetë në koston e të tjerëve.”

Pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse zgjidhja e konfliktit duke shkëmbyer territore mes Kosovës e Serbisë mund të zgjojë tek shtetet e tjera të Ballkanit pretendimet për të ndryshuar dhe ato kufijtë, Zoti Hahn tha:

“[Palët] po negociojnë ende. Le të themi, disa ide janë shfaqur. Mendoj se të dyja palët janë tani të vetëdijshme, nuk do të thosha për shqetësimet ndërkombëtare, por për kufizimet dhe, brenda tyre, shumë zgjidhje janë të mundshme.”

Eurokomisioneri shtoi se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje të pranuar nga të dyja palët brenda verës 2019.

Propozimi i presidentëve Thaçi e Vuçiç për shkëmbim territoresh mes Serbisë e Kosovës si zgjidhje për konfliktin mes tyre, specifikisht kalimin e Mitrovicës së Veriut Serbisë dhe të Luginës së Presheves Kosovës, ka ngjallur debat.

Pak ditë më parë, gjatë takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, këta të fundit pohuan njëzëri se rishikimi i kufijve mund të nxisë tensione eknike dhe mund të sjellë pasoja negative për vendet e tjera, për shembull, të inkurajojë Republikën Srpska në Bosnjë-Herzegovinë që të bashkohet me Serbinë.

Normalizimi i marrëdhënieve dypalëshe është një kusht kyç për Serbinë dhe Kosovën që të përparojnë drejt qëllimit të tyre përfundimtar të anëtarësimit në BE. Fqinjët e Ballkanit ranë dakord në vitin 2013 për të zgjidhur të gjitha çështjet në pritje, por deri më tani nuk ka një draft marrëveshje të bërë publike. Takimi i radhës mes presidentit Vuçiç, presidentit Thaçi dhe Mogherinit do të zhvillohet më 7 shtator, në Bruksel.