Ministri i Jashtëm gjerman viziton Tiranën: Anëtarësimi në BE varet vetëm nga reformat

Ministri i Jashtëm gjerman viziton Tiranën: Anëtarësimi në BE varet vetëm nga reformat Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare, pjesë e një turi në Ballkan. Ministri Maas u takua me homologun e tij Bushati, ndërsa më vonë do të takojë kryeministrin Rama, liderin e opozitës Basha dhe përfaqësues të Komisionit të Vettingut

Në një konferencë për shtyp bashkë me ministrin Bushati, ministri Maas tha se do të jenë reformat e çdo vendi që do të vendosin anëtarësimin në BE, dhe se nuk do të ketë hapje të negociatave në qershor 2019, vetëm për hir të prespektivës evropiane:

“Shtetet anëtare të BE kanë bërë të qartë se qershori i 2019 nuk do të jetë një automatizëm sa i përket çeljes së bisedimeve të anëtarësimit. Kriteret për këtë janë të ditura dhe të qarta. Duhet të ekzistojë hapa për rezultate të tjera sa i përket reformave në mënyrë të tillë që të mund të bindim edhe të gjithë ata që janë disi skeptikë sa i përket këtij procesi. Në fund vendimtare do të jetë, nëse qeveritë kanë arritur të përmbushin kushtet për anëtarësim dhe kjo do të jetë e mundur vetëm nëse reformat për më shumë demokraci, shtet ligjor dhe qeverisje më të mirë do të çohen përpara në mënyrë të vendosur.”

Lidhur me Shqipërinë, Zoti Maas tha se duhen vazhduar reformat dhe se Gjermania e mbështet Shqipërinë në këtë rrugë:

“Fakti që bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë mund të çelen duke nisur prej vitit 2019, tregon vlerësim për përpjekjet e bëra deri më tani. Veçanërisht reforma në drejtësi ishte dhe vazhdon të jetë, në vlerësimin tim, një hap domethënës. Ne presim që të vijohet më tej në këtë rrugë dhe të shohim suksese të dukshme, në mënyrë të veçantë përsa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”

Pyetur për bisedimet Kosovë-Serbi, Ministri gjerman u shpreh kundër propozimit për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë si zgjidhje për konfliktin mes tyre:

“Gjermania e ka njohur Kosovën mbi bazën e Planit të Ahtisarit si shtet multietnik. Përpjekja për të shtyrë kufijtë, pikërisht për të eliminuar këtë larmi ka qenë, në të shkuarën, shkak vuajtjesh të pafundme. Ndaj ide të tilla i konsideroj jo vetëm si pak rezultative, por ato rrezikojnë të rihapin shumë plagë të vjetra në rajon.”

Lajme te ngjashme