Ministri i Jashtëm Pacolli: Shqipëria të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi

Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli kërkoi sot përfshirjen e qeverisë shqiptare në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

Gjatë një conference për shtyp, bashkë me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, Zoti Pacolli deklaroi:

“Kam kërkuar nga pala shqiptare të mos rrijë duarkryq dhe të shikojë çfarë po ndodh këndej. Pala shqiptare duhet të jetë pjesë e synimit tonë, synim kemi dialogun me Serbinë dhe: ose në publik, ose pas kurrizit, të jenë aty.

Nëse mundet Bashkimi Europian dhe SHBA të jenë aty, pse të mos jetë edhe Shqipëria? Shqipëria mund të japë një kontribut jashtëzakonisht të madh.

Kemi biseduar për integrimet rajonale, inciativa të ndryshme europiane të Kosovës dhe kemi ardhur në përfundim se ndihma, mbështetja e Shqipërisë është jashtëzakonisht e nevojshme.”

Kjo kërkesë e ministrit Pacolli vjen në një moment kur bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë nuk po ecin sipas agjendës. Në takimin e 7 shtatorit në Bruksel, me ndërmjetësimin e Përfaqësues së Lartë të BE-së Federica Mogherini, presidenti serb Vuçiç refuzoi të takohet me presidentin Thaçi.