Nga Johannes Estrada
Miti i abuzimit me makinat – gënjeshtra ku bazohet propaganda e Veliajt

Qytetarët e Tiranës po përballen këto ditë me një trafik të rënduar dhe me situata gjithmonë e më problematike në lidhje me parkimin në qytet. Këto probleme kanë qenë pjesërisht të mbartura. Ato janë shkaktuar nga rritja e pakontrolluar e dendësisë së ndërtimeve në qytet ndërkohë që infrastruktura publike nuk ka mbajtur të njëjtin hap zhvillimi. Por muajt e fundit situata është përkeqësuar ndjeshëm!

Sikur të mos mjaftonte mbyllja e Sheshit Skënderbej  (dhe herë pas herë e Sheshit Nënë Tereza e tani edhe e Sheshit Italia) muajt e fundit janë korsitë e reja të biçikletave ato që po krijojnë bllokimet e shtuara të trafikut. Jo vetëm që korsitë kanë ngushtuar rrugët por kanë eliminuar edhe parkimet, mbi të gjitha për banorët e lagjeve dhe jo thjesht vizitorët e tyre.

Përgjigja e Bashkisë ndaj kësaj situate është një refren i vazhdueshëm sipas të cilit tiranasit duhet të mësojnë të qarkullojnë me biçikleta e të mos abuzojnë me përdorimin e makinave, siç kanë bërë deri më sot. Kryetari i Bashkisë, që shpërndan kaseta të regjistruara në mënyrë ditore në të gjitha mediat, nuk lë rast pa e përmendur vazhdimisht këtë mesazh, teksa asnjë media nuk lejohet të ngrejë shqetësime apo pyetje ndaj kësaj politike.

Qytete evropiane si Amsterdami apo Kopenhageni po përdoren nga propaganda si shembujt nga të cilët tiranasit duhet të frymëzohen. Sipas Bashkisë, problemi tashmë janë qytetarët që abuzojnë me përdorimin e makinave e jo planifikimi i dobët urbanistik nga ana e saj.

Ka dy probleme që vihen re menjëherë në këtë mesazh.

Së pari, çështja e parkimit për banorët e lagjeve është totalisht i përjashtuar nga ky mesazh. Mijëra familje që banojnë në pallatet të vjetra apo shtëpitë private të qytetit, në ato që shpesh kanë qenë ndër lagjet më të rregullta të tij, sot nuk kanë asnjë zgjidhje nga Bashkia.

Jo vetëm parkimi, por edhe hyrje-daljet në banesa u janë vështirësuar ndjeshëm banorëve të këtyre zonave. Praktikisht ndaj tyre po bëhet sot një presion, jo dhe aq i butë, për të shitur sa më shpjet pronat e për të blerë apartamente të reja, duke favorizuar kështu ndërtuesit e lidhur me mediat dhe Kryetarin e Bashkisë.

Së dyti, e tërë fabula e Bashkisë është e bazuar mbi një gënjeshtër të madhe, atë që tiranasit abuzojnë me makinat e prandaj duhet të limitohet përdorimi i tyre.

E vërteta është komplet ndryshe: shqiptarët janë një popull i varfër e si i tillë kanë shumë më pak makina, konsumojnë shumë më pak karburant, e lëvizin shumë herë më pak se popujt e zhvilluar evropian.

Le ti marrim me radhë këto fake, duke filluar me numrin e makinave. Duke përdorur të dhënat e Bankës Botërore, të përditësuara për herë të fundit në vitin 2013, mund të krahasojnë numrin e makinave për frymë ndërmjet shteteve, të shfaqur në Grafikun 1 më poshtë. Megjithëse dikush mund të pretendojë se ndërmjet Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit ka ndryshime, kjo është e vërtetë edhe për kryeqytetet e tjera të kontinentit.

Siç shihet, numri i mjeteve motorike për frymë në Shqipëri është deri në 5 herë më i vogël krahasuar me shtete si Holanda, Belgjika, apo Danimarka – modelet e propagandës së Bashkisë. Mos harroni që belgët e holandezët kanë 5 herë më shumë makina, megjithëse kanë në dispozicion një transport publik shumë herë më të mirë për lëvizje brenda e jashtë qyteteve.

Shqiptarët kanë më pak së gjysma e makinave për frymë edhe se vende të rajonit si Mali i Zi apo Maqedonia. Në fakt Shqipëria është vendi i fundit në Evropë për këtë indikator, i lënë mbrapa edhe nga Bosnja, Kosova, e Maqedonia!

 

Pretendimi i natyrshëm që mund të ngrejë dikush në këtë pikë është se shqiptarët, megjithëse kanë më pak makina se evropianët e tjerë, i mbi-përdorin ato. Një mënyrë e tërthortë për të analizuar këtë pretendim është duke parë sasinë e karburantit për frymë që konsumon një shoqëri. Për këtë indikator ka ndryshime të vogla ndërmjet burimeve statistikore por ato janë minimale dhe tregojnë të njëjtën histori.

Grafiku 2 kryen krahasimin me po të njëjtat vende, duke përdorur si referim të dhënat e vitit të shkuara nga IndexMundi/CIA Factbook. Shqipëria shfaqet me konsum të ngjashëm me vendet e rajonit.

Vlen të përmendet se vendet e rajonit kanë rrjete hekurudhash funksionale, me lidhje kombëtare e ndërkombëtare, që mbulojnë një pjesë të transportit sidomos për mallrat, duke krijuar kështu një konsum shumë më efiçent të karburantit.

Ndërkohë, krahasuar me vendet më të zhvilluara evropiane, dhe modelet për përdorimin e biçikletave, shqiptarët janë shumë më mbrapa. Ata konsumojnë deri në 6 herë më pak naftë për frymë se “bicikletistët” holandez të cilët Erion Veliaj i përmend shpesh. Edhe njëherë, kini parasysh se kjo ndodh megjithëse këto vende kanë transporte publike nga më të zhvilluarat në botë.

Mjaftojnë këto statistika të thjeshta që propaganda e Bashkisë së Tiranës të shfaqet si gënjeshtër e madhe. Shqiptarët nuk kanë më shumë makina, nuk i përdorin ato më shumë, e lëvizin shumë më pak se homologët e tyre në rajon e në Evropë. Nëse ndjekim argumentin e Bashkisë, popujt “model” si holandezët apo danezët qenkan shume më abuzues se ne shqiptarët në përdorimin e makinave.

Si është e vërteta atëherë?

Shqiptarët nuk abuzojnë me makinat e tyre, jo se nuk mund të kenë dëshirë, por sepse nuk kanë mundësi ekonomike ta bëjnë këtë. Përkundrazi, është e paimagjinueshme që shqiptarët mund të zhvillohen ekonomikisht duke lëvizur kaq pak. Fatkeqësisht, ne sot kemi një jetë shumë më statike dhe të izoluar se popujt e tjerë evropian, e nuk jemi fare “bredharakët e dashuruar me makinat” siç përpiqet të na portretizojë propaganda e Erion Veliajt.

Kaosi i krijuar me trafikun dhe parkimet në Tiranë nuk është diçka e natyrshme dhe e pashmangshme për një qytet që ende nuk ka 1 milion banorë. Ai është rezultat i vendimeve korruptive për të ndërtuar kudo e pa limit, një proces i paprecedent dhe i pakrahasueshëm me asnjë rast tjetër të Evropës  Lindore, e jo më atë Perëndimore. E gjitha kjo teksa infrastruktura dhe transporti publik në qytet e përreth tij janë ende në nivele tërësisht primitive.

Korsitë e biçikletave në vetvete mund të jenë një zhvillim i mirëpritur, por fatkeqësisht ato po kthehen thjesht në justifikimin e Bashkisë për kaosin nga ndërtimet e sotme dhe ato që pritën shumë shpejt përreth qendrës. Akoma më keq, ato do përdoren si një mjet presioni ndaj banorëve për të kryer blerje apartamentesh dhe parkimesh të reja te ndërtuesit e lidhur me Bashkinë, si dhe për të shitur pronat e tyre të vjetra.

Erion Veliaj nuk po e shpëton qytetin me biçikletat, ai po i përdor ato si justifikim për vjedhjet e tij të radhës.