Nga Marlin Muça
Plumba ose para droge

Nuk e mendoja kurrë se vija që ndan fiksionin nga realiteti do të bjerrej aq shumë sa mënyra më e mirë për të paraparë të ardhmen është të shohësh sezonin e parë apo të dytë të Narcos-it. Kërcënimi i gazetares Klodiana Lala duke qëlluar në shtëpinë kur flinin fëmijët e saj tregon se krimi ka filluar të cënojë fizikisht edhe atë shtresë deri dje të pacënueshme në një vend, ku vrasja e njerëzve publikë është kufizuar në pak deputetë e biznesmenë. Protesta e lajmëruar në rrjete sociale supozohej të ishte një marsh solidarizues i gazetarëve për kolegen tyre, por si gjithnjë sheshi para Kryeministrisë u mbush nga po të njëjtat fytyra që shihen pothuajse përherë në organizimet publike.

Mungesa e gazetarëve flet shumë. Heshtja e tyre është dëshmi e qartë e frikës dhe kapjes së plotë të tyre nga politika dhe bandat e drogës. Elita që shfaqet në televizion nuk është gjë tjetër veçse një kategori e mirëpaguar, por kurrsesi e pavarur apo imune ndaj censurës dhe autocensurës. Mbulimi i pakët mediatik i protestës na lë të kuptojme dhe luftën e brendshme që po zhvillohet brenda televizioneve të mëdha të vendit. Nga njëra anë është ajo shtresa e keqpaguar e gazetarëve që heshtin për të siguruar përditshmërinë e familjes së tyre e nga ana tjetër, shtresa ku bëjnë pjesë pronarët dhe një fraksion i vogël i gazetarëve të dikurshëm të shndërruar në trafikantë të mirëfilltë influencash. Kjo luftë civile mes gazetarëve prodhon këtë censurë nën të cilën po jetojmë sot. Censura që heshtoi Ardit Gjoklajn dhe një seri ngjarjesh të rënda rrezikon të kthehet në zhurmuesin e dikurshëm, valët e të cilave prishnin lidhjen e shqiptarëve me botën e jashtme. Sot, censura rrezikon seriozisht raportin e shqiptarëve me realitetin e të vërtetën.

Mesazhi i plumbave që u derdhën në fasadën e shtëpisë së Klodiana Lalës  mbetet i qartë: O do të pranoni paratë e drogës në këmbim të heshtjes, ose do të përballeni me plumbat që nuk dihen në dalin nga bandat apo pushteti, plumba që shumë shpejt mund të përfundojnë në tavanet e avllitë e shtëpive tona.