Qeveria propozon shkurtime të mëtejshme për buxhetin e reformës në drejtësi justice statue

Sot në kuvend do të diskutohet projekligji i propozuar nga Këshilli i Ministrave, për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2018, që përfshin dhe zvogëlimin e buxhetit të rezervuar për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë, si Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Sipas projektligjit, buxheti i alokuar për institucionet e reja të drejtësisë do të ulet nga 1 miliardë lekë (7.9 milionë euro) në 800 milionë lekë (6.3 milionë euro), një reduktim prej 20%. Efekti i këtij buxheti të shkurtuar, ose relacioni shpjegues pas tij nuk është bërë publik në faqen e kuvendit.

Nuk është hera e parë që qeveria e Rama përdor buxhetin e shtetit për të minuar procesin e reformës në drejtësi, ose të paktën të ngadalësojë përparimin e saj. Në shtator 2017, shumica socialiste miratoi uljen me 40 për qind të punonjësve të institucioneve të vetingut. Si rezultat, procesi i vetingut po ecën ngadalë, gjë që ka krijuar një gjendje krize pasi Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë paralizuar krejtësisht.

Megjithatë, një reduktim i buxhetit prej 1.6 milion eurosh duket i vogël krahasuar me koston eventuale publike të sistemit gjyqësor shqiptar “të reformuar”. Duke filluar nga viti 2019, shpenzimet e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë pritet të dyfishohen nga 1.9 miliardë lekë në vit ( rreth 13.6 milionë euro) deri në 4.5 miliardë lekë në vit (rreth 35 milionë euro) në fund të vetingut. E gjithë kostoja e mbështetjes së sistemit gjyqësor pas vetingut do të jetë rreth 19 miliardë lekë (rreth 140 milionë euro), ose sa 1.4 për qind e PBB-së. Mesatarja e BE për kostot e sistemit gjyqësor është saktësisht gjysma, 0.7 për qind e PBB-së.