Rama shet si arritje të qeverisë rritjen e borxhit publik

Rama shet si arritje të qeverisë rritjen e borxhit publik Edi Rama

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj me krenari sot platformës së opozitës për konfiskimin e pasurive të kompanive të fituara përmes kontratave korruptive me lajmin se Shqipëria ka vendosur të marrë 500 milionë euro borxh në tregjet ndërkombëtare. Sot paradite, në një pohim publik ai u shpeh:

“Sot paradite Shqipëria u listua në tregjet ndërkombëtare të kapitalit për blerjen e Eurobondit dhe ne do të kemi sukses në këtë operacion, pikërisht sepse ekonomia, financat e qeverisja jonë, janë krejt e kundërta e atyre që thotë pasqyra e dëshpërimit të opozitës sonë rrugëhumbur!”

Shqipëria ka kohë që ka hyrë në tregjet ndërkombëtare duke lëshuaur eruobonde. Më 21 shtator 2018, qeveria miratoi emetimin e eurobondit të tretë me vlerë 500 milionë euro, me afat maturimi 7 vjeçar.

Sipas ligjit të miratuar, se ky borxh do të shërbejë për të financuar projektet e qeverisë për dy vitet në vijim dhe do të blejë mbrapsht një pjesë të eurobondit të emetuar në vitin 2015 me vlerë 450 milionë euro dhe afat maturimi 5 vjeçar, me normë interesi rreth 5,7 për qind.

Vendimi i qeverisë do të rrisë borxhin publik, i cili zyrtarisht ka arritur mbi 70 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Sidoqoftë, në llogaritjen e borxhit pubik qeveria nuk merr parasysh detyrimet financiare që burojnë nga kontratat afatgjata të PPP-ve. Keto detyrime janë de facto borxhe që shteti u ka kompanive private për vitet në vijim, por de jure mbështeten në rregulla “krijuese” të kontabilitetit në mënyrë që të mos shfaqen menjëherë si detyrime publike, e për rrjedhojë si borxh.

Niveli i lartë i borxhit publik të Shqipërisë ndikon negativisht në normën e interesit të borxhit të ri, krahasuar me vendet e rajonit. Kështu, për shembull, Maqedonia dhe Mali i Zi morën borxh këtë vit përmes eurobondit me të njëjtën vlera si Shqipëria, pra 500 milionë euro me normë interesi rreth 2 për qind, më e ulët se norma 5,7 për qind e Shqipërisë.

Kjo është hera e tretë që qeveria shqiptare vendos marrjen e borxhit në tregjet ndërkombëtare. Eurobondi i parë u miratua në vitin 2010 me vlerë 300 milionë euro.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme