Nga Adriatik Kelmendi
Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës e Serbisë nuk është zgjidhje – Përpiquni pak më shumë!

Ideja e një marrëveshjeje të përhershme me Serbinë i bën shumë shqiptarë të ndihen romantikë. Zgjidhja e një problemi që ka qenë i pranishëm për shumë breza gjatë 100 viteve të fundit i bën shumë të thonë – le të ndodhë. Përkundër çmimit më të madh të asaj që ne prisnim dhe dëshironim, Serbia le ta njohë Kosovën një herë e mire, e Kosova të bashkohet me OKB-në që më në fund të bëhet një shtet normal.

A mund të bëhet korrigjimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke lëvizur disa vija kufitare në disa fshatra apo komuna?

“Pse jo?”, shpesh dëgjojmë qytetarët të thonë. “Gjithsesi, ka pasur lëvizje në pjesën veriore dhe lindore të Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore”, thonë disa të tjerë. “Pse nuk mundt të korrigjohet diçka tani?”

Ne po shohim gjithashtu disa diplomatë, politikanë dhe analistë perëndimorë që flasin lirshëm kur bëhet fjalë për këtë temë. “Pse të mos e përdorni këtë rast nëse Prishtina dhe Beogradi bien dakord për këtë?”, sugjerojnë ata.

Gjithsesi, nuk është aq e thjeshtë. Nëse do të ishte, atëherë do të kishte ndodhur shumë kohë më parë në Ballkan. Nuk ndodhi pas luftës dhe është e rrezikshme që ajo të ndodhë tani.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, shumë herë e ka lidhur çështjen e Kosovës me atë që ai e quan zgjidhje për problemin e “dy vendeve më të mëdha të Ballkanit, shqiptarët dhe serbët”. Megjithatë, me këtë deklaratë, është edhe më e vështirë të gjehet një zgjidhje për këtë problem.

Edhe nëse Prishtina dhe Beogradi bien dakord për këtë, problemi i “dy vendeve më të mëdha” në Ballkan nuk mund të zgjidhet vetëm duke lëvizur kufirin midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo thjesht sepse shqiptarët nuk jetojnë vetëm në Kosovë, ashtu si serbët nuk jetojnë vetëm në Serbi.

Shqiptarët jetojnë në Shqipëri, shqiptarët jetojnë në Kosovë, shqiptarët jetojnë në Maqedoni, shqiptarët jetojnë në Luginën e Preshevës në Serbi dhe shqiptarët jetojnë në Mal të Zi.

Serbët jetojnë në Serbi, serbët jetojnë në Bosnje, serbët jetojnë në Mal të Zi dhe serbët jetojnë në Maqedoni.

Nëse po flasim ashtu siç thotë Vuçiç, për të zgjidhur problemin e shqiptarëve dhe serbëve si dy vendet më të mëdha të Ballkanit duke lëvizur kufirin Kosovë-Serbi, çfarë do të ndodhë me ata serbë dhe shqiptarë që jetojnë në vende të tjera?

Duke e ditur pikërisht se kjo nuk është zgjidhja, nuk është lejuar rivizatimi i kufijve në baza etnike.

Të flasësh për ndarjen e Kosovës është të flasësh kundër Marrëveshjes së Rambujesë, Marrëveshjes së Kumanovës dhe Paketës së Ahtisarit, procesit të deri më tanishëm të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe kundër Marrëveshjes së Dejtonit.

Pastaj – kundër Marrëveshjes së Ohrit, kundër referendumit për pavarësinë e Malit të Zi; apo edhe më drejtpërdrejt – kundër Kosovës, kundër Bosnjes, kundër Maqedonisë, kundër Malit të Zi; dhe pastaj edhe kundër një çerek shekulli të investimeve të SHBA-ve dhe BE-së, por më e dhimbshme akoma- kundër 130 mijë njerëzve të vrarë në luftërat në ish-Jugosllavi.

Të flasësh kundër të gjitha këtyre do të thotë të flasësh vetëm për interesat e vetëm një ane: vetëm të Serbisë … dhe Rusisë.

Koncepti i vendeve homogjene në Evropë deri më tani ka qenë “në gjumë” me sukses. Pse ta zgjojmë tani? Në qoftë se ekziston një shkëmbim tokash bazuar në etni midis dy vendeve, pse të mos e zbatojmë atë kudo tjetër?

Ka edhe ata që spekulojnë se ka garanci nga Hashim Thaçi dhe Edi Rama se shqiptarët në Maqedoni do të jenë “të mençur” dhe nuk do të kërkojnë të prishin Maqedoninë dhe se ka garanci nga Aleksandar Vuçiç se serbët në Bosnjë do të jenë “të mençur” dhe nuk do ta prishin Bosnjën.

Le të mendojmë për një çast që mund të jetë e mundur që këta politikanë të flasin me përfaqësuesit e shqiptarëve e serbëve, në këto vende dhe se ata premtuan se çfarëdo që ndodh në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ndikojë mbi ta. Megjithatë, njerëzit që besojnë në këto, duhet të dinë se shtetet e Ballkanit, megjithëse me demokraci të brishta, ende kanë demokraci. Dhe se këta udhëheqës nuk do të qëndrojnë përgjithmonë në pushtet. Pra, pavarësisht nga garancitë e ndonjë qeverie aktuale nga Kosova, liderët e Shqipërisë dhe Serbisë të së nesërmes nuk mund të kujdesen dhe nuk do të respektojnë garancitë e paraardhësve të tyre.

Nëse shqiptarët në Maqedoni duan të ndahen nesër ose serbët në Republikën Serbe të Bosnjës duan të shkëputen nga Bosnja – duke u bërë thirrje të drejtave të njëjta të serbëve në Kosovë dhe shqiptarë në Luginën e Preshevës – kush mund t’i ndalojnë ata ?!

Garancitë e bëra nga udhëheqësit në Prishtinë, Tiranë apo Beograd? Vështirë! Është gjithashtu e vështirë të garantohet kjo nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Edhe nëse nuk arrijnë të ndahen, ato ende do të shkaktojnë incidente dhe trazira, njerëz të pafajshëm mund të humbasin jetën, familje mund të vuajnë.

Prandaj, jo! Nuk mund të ketë një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, duke pretenduar një zgjidhje të problemit të vendeve më të mëdha të Ballkanit, shqiptarët dhe serbët.

Përpiquni pak më shumë për të gjetur një zgjidhje!


Ky artikull u botua tek EuropeanWesternBalkans.com dhe u përkthye nga Exit.al.