Shtyhet formimi i KLP-së, nuk ka kandidatë mjaftueshëm nga prokuroritë e apelit

Shkarkimi nga detyra i prokurorit të Apelit të Durrësit Bujar Hoti duket se do të shtyjë ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi nuk ka kandidatë mjaftueshëm nga prokuroritë e të gjitha niveleve.

Sipas Kushtetutës, KLP-ja do të ketë 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve do të jenë nga radhët e prokurorëve, ndërsa pesë anëtarët e tjerë nga jashtë sistemit do të jenë respektivisht— 2 anëtarë nga trupa e avokatëve; 2 anëtarë nga trupa e pedagogëve të drejtësisë dhe 1 anëtar nga radhët e shoqërisë civile. Këta të fundit janë zgjedhur më hëret nga Parlamenti pas tre raundeve votimi. Ndërkohë 6 anëtarët nga radhët e prokurorëve do të zgjidhen nga prokuroritë e të gjitha niveleve.

Kuadri ligjor për KLP-në

Neni 105/1

“1. Mbledhja e Përgjithshme e prokurorëve të të gjitha niveleve zgjedh 6 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas raportit të mëposhtëm:

  1. a) tre prej të zgjedhurve janë prokurorë të shkallës së parë. Së paku 1 prej tyre është prokuror në një prokurori pranë gjykatës të shkallës së parë jashtë Tiranës;
  2. b) dy prej të zgjedhurve janë prokurorë të prokurorive pranë gjykatave të apelit, duke përfshirë edhe Prokurorinë e Posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Së paku 1 prej tyre është prokuror në një prokurori pranë një gjykate apeli jashtë Tiranës;
  3. c) një prej të zgjedhurve është prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme.”

Gjendja aktuale nga procesi i vetingut për KLP-në

Deri tani janë konfirmuar në detyrë pesë prokurorë të shkallës së parë: Dritan Prençi (Kukës, përkohësisht i emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë) Vate Staka (Shkodër), Arta Marku (Shkodër), Antoneta Sevdari (Tiranë) dhe Besnik Muçi (Prokuroria e Krimeve të Rënda). Kjo do të thotë se ka kandidatë mjaftueshëm që kanë kaluar vetingun, për të plotësuar tri vende në KLP.

Tre prokurorë të apelit nuk e kanë kaluar vetingun: Besa Nikëhasani (Shkodër), Luan Kaloçi (Tiranë) dhe Bujar Hoti (Durrës), ndërkohë që vetëm Arben Dollapaj (Shkodër) është konfirmuar në detyrë. Pikërisht për prokurorët e këtij niveli duhet të rihapet thirrja për aplikime pasi vetëm një prokuror është konfirmuar në detyrë, ndërkohë që janë dy pozicione të rezervuara në KLP për prokurorët e Apelit.

Nga Prokuroria e Përgjithshme, deri tani janë konfirmuar dy prokurorë, Anila Leka dhe Kostaq Beluri, ndaj për këtë pozicion ka mjaftueshëm kandidatë të kualifikuar.

Kandidatët e tjerë që kanë ngelur për tu përballur me KPK-në janë: Ramadan Troci nga Prokuroria e Përgjithshme, Shpëtim Kurti nga Prokuroria e Tiranës dhe Besnik Cani nga Prokuroria e Rrethit Elbasan. Pra asnjëri prej tyre nuk do të mund të plotësojë pikën b të nenit, ndaj hapja e riaplikimeve për kandidatë për prokurorët nga prokuroritë e Apelit është e pashmangshme. Rihapja e aplikimeve do të vonojë procesin e formimit të KLP-së pasi çdo kandidat duhet të kalojë procesin e vetingut.