Si u fundos edhe Kukësi i ri

Nga Alfred Lela
Si u fundos edhe Kukësi i ri Gjatë protestës kundër tarifave të Rrugës së Kombit në Kukës

Që në Rubik blu-e-gjelbra e Policisë Rrugore dhe e errëta e Forcave Speciale shfaqej kthesë pas kthese deri në qytetin e Kukësit. Në xhepin e një parkingu të një pike të karburant Kastratit ishte parkuar edhe një autoburg, një karkasë e hekurt që të kujtonte skena të filmit Fury Road. Iveco-t e famshme, dhuaratë e kahershme italiane kur Shqipëria nuk kishte as rrugë dhe as bukë, stërpiknin anët e Rrugës së Kombit si kujtime ngjarjesh të zeza. Nga ato që kishin ndodhur dhe të tjera që mund të vinin.

Përveç pranisë së policëve asgjë tjetër nuk e prishte qetësinë mes grykave të thella të maleve të Mirditës e Kukësit, të çara mespërmes për t’u bërë kjo dredhë argjendi në të cilin një makinë gjermane rrëshqet si fugë. Sot ishte hera e tretë që shteti vinte me tagrambledhës për këtë rrip autmobilistik të quajtur simbolikisht Rruga e Kombit. Në fillim Berisha u betua se ‘do të shisnin edhe bizhutë e grave’ për të, dhe më pas Rama e shiti për bizhutë e grave të ca të tjerëve. Mbërriti ai me taksën e dyfishtë; të parën e rrumbullakosi në çmimin e çdo litre karburant që blinin shqiptarët, ndërsa të dytën si tarifë (toll) për çdo kalim nëpër këtë shteg të fitores së shqiptarit të izoluar nga vetja dhe të tjerët. Që prej sot, 17 shtatorit 2018.

Se për çfarë dhe për kë janë kaq të shumta përforcimet policore, mund ta kuptosh kur shmangesh nga autostrada në të djathtë të Urës së Drinit dhe futesh në qendër të qytetit. Të ardhurit nga Tirana dhe ata nga Vlora, këta të fundit një ide e një deputeti demokrat për të simuluar Jug-Veriun e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, janë më të shumtë se vendasit. Një prej tyre, që ka guxuar, një trajner i mundjes, thotë se është gati sërish, por frika pjesërisht dhe paraja më shumë, kanë bërë të vetën. Kanë punuar që prej 6 muajsh thotë një tjetër, veprimtar i opozitës. Vetëm një polici i janë dhënë 15 milionë për të frikësuar njerëzit. Paraja e madhe e rrugëve dhe karburanteve, shton ai. I them se e kam parë te reklama televizive. Ky ngatërrim i reklamës me transparencën nuk është gjë e re në propagandën qeveritare, e cila e ka ndihmuar Albanian Highway, jo vetëm me dritën e gjelbër të koncesionit, por edhe duke mbajtur peshën e madhe të komunikimit.

Kamerat e televizoneve që rrinë gati në hyrje të Pallatit të Kulturës duken si sy që rrinë në pritë për të kapur dështimin, jo suksesin e protestës. Një nga të ardhurit sugjeron një zgjidhje për të dalë nga tulatja: një karvan makinash që niset nga qendra drejt pikëkalimit të Kalimashit, i cili pas një ndalese të shkurtër (një minutë heshtje për atë që ishte lëvizja e lirë në këtë rrugë) kthimi mbrapsht në qytet. Të paktën për të lënë një shenjë.

Vendasit e hedhin poshtë. Nuk duan të provokojmë incidente. Një tjetër thotë se duhet pritur që kuksianët ta ndjejnë peshën e taksës, sepse kështu ndodhi edhe herën e parë. Rebelimi nuk erdhi që ditën e parë të hapjes së pikëkalimit me pagesë, por kur një karvani të gjatë morti iu desh të përballej me faktin se vdekjes dhe taksave nuk mund t’iu shmangesh. Kjo i dha shtysë përpjekjes për t’iu shmangur të paktën taksave. Një rezistencë guximtarësh e detyroi qeverinë të tërhiqej, të priste 6 muaj dhe ta rihapte pikën me çmime të reduktuara.

Kukësi u shndërrua shpejt në lajm kryesor, edhe më shumë pa zbythjes së parë të qeverisë dhe udhëtimit urgjent nga Vlora të kryeministrit për një konferencë shtypi. Po kaq urgjente, por më shumë brutale, ishte ndërhyrja me forca të shumta policore pas mesnatës dhe një valë arrestimesh.

Ndoshta këtu duhet kërkuar gjunjëzimi i Kukësit, ndoshta te ulja e çmimeve, ndoshta te shantazhet e policisë, ndoshta te paratë e hedhura nga koncesionari për të shuar rezistencën. Ndoshta.

Ne kuksianët po paguajmë një kuksian tjetër për të dalë dhe hyrë në Kukës, thotë një i moshuar që fillon e shan qeverinë, por nuk jep shpjegime kur e pyet se pse nuk i bashkohet protestës pak metra më tej.

Edhe në kthim, kur është marrë vesh tashmë se Kukësi i ri është ‘mbytur në ujë’ ashtu si i vjetri, policët vazhdojnë të jenë të palëvizur në anë të rrugës. Kjo prani është bizare, por e shpjegon Shqipërinë. Siç e shpjegojnë edhe disa mosprani.

Të cilat ndoshta flasin edhe më shumë.


Ky shkrim u publikua më parë tek Politiko.al.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme