Socialistët i tremben vetingut në politikë, njësoj si dekriminalizimit

Socialistët i tremben vetingut në politikë, njësoj si dekriminalizimit

Të premten, opozita dorëzoi në Kuvend ligjin e vetingun në politikë. Përmes këtij ligji, opozita kërkon shkarkimin nga çdo post zyrtar dhe heqjen e mundësisë për të mbajtur post publik ose kandiduar sërish nëse personi vërtetohet që ka lidhje me kriminelë apo anëtarë bandash, si edhe nëse ai nuk arrin të provojë se pasuria e tij vjen nga burime te ligjshme.

Propozimi i opozitës nuk pranohet nga Kryeministri Rama, i cili njësoj si me ligjin e dekriminalizimit, përmes deputetëve të tij, po përpiqet ta shesë vetingun në politikë si propogandë të opozitës, duke i bërë dredhi miratimit dhe zbatimit të tij.

Në mbështetje të vendimit të Ramës për të mos miratuar projektligjin, Taulant Balla u shpreh sot se propozimi i PD-së është i dështuar dhe i shërben propagandës së opozitës:

“Propozimi i Bashës i dështuar dhe propagandë politike. Propozimi si t’i zësh rrugën me ferra reformës në drejtësi. Jemi gati për vetting të vërtetë, reforma në drejtësi e garanton 100 për qind, Byroja Kombëtare dhe SPAK garanton plotësisht vettingun e politikanëve, nuk ndalen vetëm tek politikanët por edhe tek familjarët. Propozimi i Bashës shmang hetimin e familjarëve. Gati për çdo propozim që s’prek reformën në drejtësi dhe vijimin e vetingut për gjyqtarët e prokurorët.”

Ky qendrim është i njejtë me atë që socialistët mbajtën kur u propozua ligji i dekriminalizimit, tre vjet më parë, duke e sulmuar atë si një përpjekje për propagandë të opozitës. Në atë kohë Kryeministri Rama shprehej se:

“Opozita kërkon ta mbajë peng procesin për ta përdorur të ashtuquajturin dekriminalizim si kalë beteje në kushtet kur të gjithë kuajt i kanë ngordhur rrugës.”

Socialistët, edhe atëherë, njësoj si sot, propozuan përfshirjen e ligjit të dekriminalizmin në reformën e drejtësisë. Taulant Balla, atëherë, njësoj si sot, u shpreh se:

“Ky ligj nuk ka asnjë vlerë pa reformën në drejtësi. PD nuk është e interesuar për largimin apo mënjanimin nga kandidimi të personave të dënuar. Ajo që ata duan të bëjnë me këto propozime qesharake është që flakën e ndezur nga SHQUP-i për këtë çështje ta mbajnë ndezur.”

Po ashtu, Ulsi Manja, kreu i Komisionit të Ligjeve, e kundërshtoi ligjin e dekriminalizimit dhe propozoi që ai të ishte pjesë e Komisionit të Drejtësisë:

“Një dekriminalizim i jetës politike dhe i Parlamentit do të ishte shumë më frytdhënës dhe shumë më rezultativ nëse do të bëhej pjesë e Komisionit të Drejtësisë.”

Vlen të kujtohet se ligji i dekriminalizimit ishte një ligj i suksesshëm me anë të të cilit u larguan nga Kuvendi disa deputetë të dënuar për krime, sikurse u përjashtuan nga zgjedhejt dhjetra kandidatë për deputetë, u dorëhoqën dhjetra gjyqtarë dhe drejtues të pushtetit lokal.

Lajme te ngjashme