Vrasja e dyshimtë e Muhajt hedh dyshime mbi kapjen e policisë nga krimi

Dje u vra Alket Muhaj, 43 vjeçari, i cili ishte infromator i policisë për parcelat me kanabis në zonën e Memaliajt. Muhaj u gjet i vrarë nga bashkëshortja e tij, në orën 10:10 të mëngjesit, në tokën e tyre ku dilte për të kullotur bagëtitë.

Sipas informacioneve të deri më tanishme, Muhaj është qëlluar në distancë të afërt me shtatë plumba në kokë dhe në gjoks.

Burime nga zona ku jetonte Muhaj, bëjnë të ditur se 43 vjeçari, disa ditë më parë, kishte informuar strukturat e policisë në Tiranë për mbjelljen e kanabisit në Memaliaj, pasi nuk kishte gjetur mbështetje tek policia lokale e Tepelenës. Për këtë arsye, Muhaj i ishte drejtuar Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme.

Vetë ministria, ashtu si dhe policia janë treguar të rezervuar me informacionin. Policia e bëri publike ngjarjen përmes një njoftimi rutinë vetëm pasi lajmi ishte bërë publik në disa media.

Reagimi i vonuar i Policisë dhe përhapja e lajmit në media se viktima mund të jetë ekzekutuar me snaiper nga vetë policia, hedhin të tjera dyshime mbi kapjen e policisë nga krimi.

Kjo nuk eshtë hera e parë që një informator i policisë ekzekutohet. Në vitin 2016, Jani Kollçinaku, i njohur si “Landi i Mirasit” u rrëmbye, u vra dhe më pas u hodh në kanal tre muaj pasi denoncoi parcelat me kanabist në fshatin Koshnicë të Devollit.