Nga Alice Elizabeth Taylor
Agroturizmi – fjala kaq shumë e përdorur që mund t’i sjellë shumë përfitime Shqipërisë

Si një blogere udhëtimesh, fjalën “agroturizëm” e kam dëgjuar shumë shpesh kohët e fundit. Por duket se nuk është vetëm një fazë kalimtare, një modë apo diçka që do të jetë popullore për një apo dy sezone – ndryshe nga shumë forma të tjera të turizmit, agroturizmi bazohet në parime të qëndrueshme, miqësore me mjedisin dhe ka në bazë komunitetin. Kur bëhet siç duhet, nga agroturizmi përfitojnë fermerët dhe banorët vendas, jo vetëm operatorët turistikë dhe pronarët e hoteleve të mëdha.

Por, çfarë saktësisht kualifikohet si agroturizëm? Në nivelin më themelor, përkufizimi i agroturizmit “është praktika e vizitimit të zonave bujqësore për të parë fermat dhe për të marrë pjesë në aktivitetet e fermave”. Me fjalë të tjera, individët, familjet ose grupe njerëzit shpenzojnë disa net në një zonë bujqësore dhe marrin pjesë në aktivitete të tilla si peshkimi, gjuetia, kalërimi, vjelje të rrushit apo të tjerë fruta, luajnë me kafshët, apo bëjnë aktivitete të tjera të lidhura me bujqësinë. Ndër aktivitetet më popullore, janë mbledhja dhe përpunimi i rrushit gjatë periudhës së të korrave, gjatë të cilave mund të organizohen dhe tregje ku mund të blihet dhe mësohet se si të gatuhet duke përdorur përbërësit tradicionale të fermave.

Në kuptimin komercial, në kontinentin evropian, origjina e agroturizmit mund të gjurmohet në 1982, kur Komisioni Ekonomik i OKB-së për Evropën mbajti një simpozium të përbashkët me FAO-n (Organizata për Bujqësi dhe Ushqim e OKB-së) për të studiuar efektet e turizmit në bujqësi dhe mundësinë e integrimit të tyre. Me shpresën se  duke kombinuar dy elementet së bashku, zonat rurale do të përfitonin nga rritja e zhvillimit dhe qëndrueshmëria.

Megjithëse koncepti ka qenë rreth e rrotull, në ndonjë formë apo tjetrën, për ndoshta mijëra vjet, vetëm në dekadën e fundit agroturizmi është bërë një përvojë shumë e kërkuar nga turistët. Agroturizmi është popullor në të gjithë Amerikën Veriore dhe Jugore, Azinë, Afrikën dhe Oqeaninë, ndërsa në Evopë, për shembull në vende të tilla si Italia ka më shumë se 12.1 milionë agroturistë çdo vit, duke vizituar rreth 25 mijë ferma agroturizmi.

Tani le të shohim Shqipërinë.

Në vitin 2017, vetëm 19 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) erdhi nga bujqësia në një vend që mburret me 24 për qind tokë bujqësore dhe 15 për qind kullota dhe livadhe. Megjithëse përqindja që bujqësia kontribuon në PBB parashikohet të rritet pak nga fundi i vitit 2018, ende ka shumë punë për t’u bërë.

Pasi kam kaluar një vit në Shqipëri dhe kam vizituar një sërë agroturizmesh, përfshirë dhe vreshta për prodhimin e verës, apo ferma ku prodhohen fruta dhe zarzavate, nuk është e vështirë të shihet potenciali që ka ky vend. Duket se klima e Shqipërisë bën të mundur që të rriten, gjatë gjithë 12 muajve të vitit, të gjitha llojet e prodhimeve si luleshtrydhe, qershi, kumbulla, pjepra, arra, kunguj, domate, speca, rrush, dhe sigurisht peshku, kafshët dhe shpezët.

Për shkak të pozitës së saj gjeografike me male dhe bregdet njëkohësisht, Shqipëria mund të kategorizohet si një vend me disa klima. Nga një klimë tipike mesdhetare në jug dhe jugperëndim, në një klimë më kontinentale në veri, vendi mund të ndahet në kategori të ndryshme nën Sistemin Koppen të Klasifikimit të Klimës. Klima e nxehtë mesdhetare, klima e ngrohtë e Mesdheut, klima e Oqeanit, klima kontinentale, klima subartike dhe madje edhe klimat subtropike janë të pranishme në një vend me një sipërfaqe 28 mijë kilometra katrorë.

Në këto kushte, duke përfshirë reshje të shumta shiu, verë të gjatë e të nxeht dhe dimër relativisht të butë, të gjitha llojet e bujqësisë mund të lulëzojnë dhe bujaria e tokës shqiptare është (për mua) ndryshe nga në çdo vend tjetër që kam parë.

Por pavarësisht nga pasuria e burimeve të Shqipërisë, ajo është ende një vend i varfër. Industria ushqimore mbetet kryesisht jo-konkurruese dhe ata që kanë kombinimin fitues të një toke pjellore dhe njohurive të duhura për tu kujdesur për të, i mungon njohuria se si ta zgjerojnë biznesin, si ta zhvillojnë më tej atë dhe ta bëjnë fitimprurës.

Si e tillë, Shqipëria rurale vuan nga një normë varfërie deri në 30 për qind. Rreth 25 për qind e fermerëve jetojnë në një fermë që është shumë e vogël për të siguruar të gjithë ushqimin e nevojshëm, dhe disa nga fermerët më të varfër jetojnë me të ardhura vjetore prej 70 dollarë.

Me rritjen e nivelit të turizmit nga viti në vit dhe kontributin e përgjithshëm në PPB që ka arritur në 26.2 për qind në vitin 2017, dhe parashikimi se ky kontribut do të rritet dhe me 4.4 pikë përqindje në vitin 2018, duket se përqendrohet në krijimin e mundësive turistike nga mundësitë e larmishme bujqësore që Shqipëria paraqet.

Gjithnjë e më shumë turistë janë duke shmangur pushimet e plazhit dhe paketat turistike dhe në vend të kësaj kërkojnë përvoja autentike. Në vend që të kërkojnë të pijnë, të shkojnë nëpër diskoteka dhe të shtrihen për të marrë rreze dielli, këta individë dhe udhëtarë  të tjerë me të ardhura të mesme po zgjedhin përvoja ku mund të mësojnë gjëra të reja dhe të jenë më aktivë. Mediat sociale janë plot me persona me ndikim, që pozojnë në vreshtat ose tregjet e fermerëve, dhe gjithnjë e më shumë udhëtarët duan të përsërisin përvoja të tilla dhe të marrin një ndjesi të vërtetë të vendit që ata po vizitojnë, dhe jo vetëm të pikave turistike.

Përveç kësaj, trendi global “nga ferma direkt në tavolinë”, si dhe lëvizjet për ushqime organike / tregti të drejtë / produkte  të rritura ngadaltë / prodhime sezonale kanë rritur ndërgjegjësimin në brezin e ri për ushqimin që konsumojnë. Të gjitha këto trende vijnë së bashku për të paraqitur një mundësi shumë të mirë për fermerët shqiptarë.

Disa organizata joqeveritare lokale kanë filluar tashmë të punojnë në projekte të tilla si përmirësimi i fermave dhe objekteve të tjera për t’u kujdesur për mysafirët e huaj, madje edhe duke ndihmuar fermerët me njohuri për marketingun dhe shërbimin ndaj klientit. Një shembull është Ceed Albania që po ndihmon gjashtë ferma për të hyrë në tregun e agroturizmit. Nëpërmjet ofrimit të mbështetjes financiare dhe sipërmarrëse, ndihmës me grante, zhvillimit të aftësive dhe udhëzimit të fermerëve dhe punëtorëve bujqësorë, ata po transformojnë jetën e tyre duke krijuar ekosisteme të qëndrueshme që do të vazhdojnë të jenë për shumë vite.

Kjo është ajo që Shqipëria ka më shumë nevojë – më shumë organizata dhe individët që kanë fuqinë, dhe fondet për të ndihmuar fermerët dhe njerëzit në zonat rurale, të kuptojnë se si të fitojnë para nga mjedisi ku jetojnë. Duke i bërë ata të kuptojnë se ka kërkesë për të parë dhe provuar mënyrën e tyre të jetesës dhe se duke punuar me turistët ata mund të krijojnë ekonomi të qëndrueshme brenda komuniteteve të tyre, ata mund të tërheqin veten nga varfëria ku gjenden.

Shqipëria është një vend i pasur në kaq shumë mënyra, por populli i saj ka nevojë për ndihmë dhe burime për t’i lejuar ata të korrin përfitimet. Duke promovuar agroturizmin, jo vetëm që mund të shpresojmë të mbajmë në punë fermat që prodhojnë ushqimin e shijshëm që përfundon në tryezat tona, por dhe mund të përmirësojmë jetën e njerëzve që jetojnë jashtë zonave kryesore urbane.