Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i kërkon presidentit të kthejë ligjin “e ndryshuar” të Teatrit

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i ka kërkuar sot Presidentit Meta të mos e dekretojë ligjin “e ndryshuar” për Teatrin Kombëtar dhe ta rikthejë atë sërish në Kuvend.

Me anë të një letre, Aleanca shprehet se ligji “i ndryshuar” që shumica socialiste ka votuar më 20 shtator, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, parimet juridike dhe themelet morale të ndërtimit të shtetit demokratik.

Në letër Aleanca përshkruan si shkeljet proceduriale të Kuvendit në ndryshimin dhe dërgimin në presidencë të ligjit të ri, ashtu dhe shkeljet e rënda të Kushtetutës që ligji parashikon:

“Duke miratuar Dekretin Tuaj, Kuvendi e ka rrëzuar ligjin e parë dhe duhej të miratonte një ligj të ri duke rifilluar procedurat e rregullta ligjvënëse, pasi ky i fundit nuk ekziston më, siç përcakton qartë dhe Kushtetuta e Republikë në nenet 81-85. Përkundrazi, Kuvendi bëri ndryshime në disa nga nenet e ligjit ekzistues dhe e paraqiti për votim me të njëjtin numër duke pretenduar se është i njëjti ligj, e kësisoj nuk mund të kthehet për herë të dytë nga Presidenti.

Në ndryshim nga Kuvendi, në kushtet kur ligji që ndodhet para Jush sot ka ndryshime me versionin e parë, ne mendojmë se ndodhemi para një ligji të ri.

Vendosja e të njëjtit numër nuk e bën ligjin të njëjtë me të parin. Elementi dallues në këtë rast është përmbajtja e ligjit, e cila ka prioritet në krahasimin me formalitetin e numrit.

Përderisa kemi një përmbajtje tjetër të ligjit, atëherë kemi një ligj tjetër. Elementi formal nuk mund të jetë vendimtar në raport me elementin substancial, përkundrazi. Nëse pranohet kjo praktikë si precedent, atëherë mund të krijohen kushtet për te pasur në të ardhmen raste të mëdha abuzimi duke u fshehur pas elementeve formale.

Në lidhje me përmbajtjen e ligjit të ri, Ju sigurojmë se ai nuk merr në konsideratë asnjë nga shkeljet që Ju keni parashtruar qartazi në arsyetimin e Dekretin Tuaj.

Nëse fokusohemi vetëm në pjesën formale, ligji i ri përpiqet të adresojë vetëm pikën e parë të Dekretit tuaj, barazisë para ligjit. Ndërkohë 8 pikat e mëpasshme të ngritura nga Ju, nuk adresohen aspak në ligjin e ri. Përtej aspektit formal, edhe hapja e garës dhe garantimi i barazisë para ligjit është thellësisht e diskutueshme edhe në versionin e ri. Ashtu si më parë, për kryerjen e një gare nuk janë përdorur ligjet aktuale si ai për prokurimet publike, por është krijuar një procedure e re ekstra-ligjore.

Ne besojmë se jemi përpara të njëjtës situatë antikushtetuese si në rastin e versionit të parë: thelbi i ligjit të ri nuk ka ndryshuar aspak në qëllim dhe në shkelje krahasuar me ligjin e parë.”

Artistë e qytetarë, mbështetës të Alencën për Mbrojtjen e Teatrit do të protestojnë sot në orën 13:30 përpara Pallatit të Kongreseve, gjatë vizitës së Eurokomisionerit Johannes Hahn, për t’i kërkuar BE-së të mos heshtë për këtë aksion antikushtetues dhe të paligjshëm të ndërmarrë nga qeveria Rama.