Ambasadori i BE-së: Nuk mund të ndërhyjmë për çështjen e Teatrit Kombëtar Kryetari i ri të Delegacionit të BE në Shqipëri, z. Luigi Soreca

Përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit takuan të hënë, ambasadorin e ri të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, për të diskutuar me të shqetësimin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Shqetësimi kryesor që Aleanca diskutoi me Ambasadorin ishte miratimi i një ligji antikushtetues që shemb Teatrin Kombëtar, për të përdorur truallin për ndërtime private, në një moment kur vend nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale, për shkak të reformës në drejtësi.

Duke patur parasysh ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në shumë çështje të mëparshme, Aleanca u shpreh se e konsideron mos ndërhyrjen e BE-së në rastin e Teatrit Kombëtar, si një sjellje me standarde të dyfishta.

Pas takimit në një deklaratë publike Aleanca ka pohuar se “megjithë përpjekjen e vazhdueshme për një qëndrim të përbashkët, të dy palët [Aleanca dhe Delegacion i BE-së] kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me problemin e teatrit, por edhe të zhvillimeve politike në vend që kanë frymëzuar çështjen e Teatrit.”

Sipas Aleancës, Ambasadori u shprehu se Delegacioni dhe Komisioni Evropian nuk mund të shprehen në lidhje me problemet e brendshme kushtetuese dhe ligjore, pasi do tejkalonin rolin e tyre.

Ndër të tjera, Zoti Soreca tha se reforma në drejtësi është një sipërmarrje e institucioneve shqiptare, pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, ndaj Delegacioni i BE-së do të përpiqet të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të zbatimit të reformës, por nuk mund të ndërmarrë hapa përtej këtij roli.

Aleanca shprehet se përfaqësuesit i kanë pohuar Ambasadorit Soreca se janë të gatshëm që ta mbrojnë godinën e teatrit qoftë edhe me përplasje fizike.