Taulant Balla dhe Ardi Veliu mohojnë takimin me Fredi Alizotin

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu mohuan sot të kenë takuar ndonjëherë Fredi Alizotin, siç pretendohet nga ky i fundit në një përgjim të publikuar dje nga deputeti Ervin Salianji.

Policia e Shtetit, në një deklaratë për shtyp, mohoi të gjitha deklarimet e Alizotit në video, ndërsa shton se gjithçka është e pavërtetë. Në deklaratë theksohet se:

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ka qenë për asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe në asnjë cilësi shoqërues, kontaktues apo në çdo formë tjetër i shtetasit Alfred Alizoti. Për këdo të interesuar është lehtësisht i verifikueshëm fakti se Drejtori i Përgjithshëm në ditën që shtetasi Alizoti është shoqëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka qenë me angazhime të tjera.”

Bëhet fjalë për datën 1 qershor kur sipas Alizotit vetë Zoti Ardi Veliu e ka shoqëruar me makinë për në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar se Alizoti ka bërë zërin e agron Xhafajt në audio përgjim, kundrejt një pagese nga PD.

Po ashtu, Taulant Balla i tha gazetarëve se nuk e ka takuar asnjëherë Fredi Alizotin dhe se i gjithë audio-përgjimi i bërë publik dje është sajuar nga opozita:

“Rasti i mbrëmshëm i Salianjti nga Tv Klan është një rast i turpshëm. Në rastin konkret Salianji apo Luli si master regjisori i kësaj historie në vlerësimin tim rrezikon një vepër penale atë të fshehjes së krimit.

Këto çështje t’i sqarojë prokuroria, këtë çështje e krijoi PD. Asnjëherë [se kam takuar Fredi Alizotin.”

Paraditen e sotme, 10 tetor, Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestroi videon e bërë publike nga deputeti Ervin Salianji një ditë më parë.