Basha apel prokurorisë: Mos i shërbeni krimit, hetoni Taulant Ballën dhe Ardi Veliun

Basha apel prokurorisë: Mos i shërbeni krimit, hetoni Taulant Ballën dhe Ardi Veliun

Kryetari i opozitës Lulzim Basha i kërkoi sot prokurorisë të kërkojë arrestimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së shtetit Ardi Veliu dhe drejtorit të policisë Fier, për ndërhyrjet në çështjen video-përgjimit Albert Veliu-Agron Xhafaj dhe kërcënimet ndaj Fredi Alizoti për të deklaruar se e ka luajtuar ai rolin e Xhafajt në audio-përgjim.

Sot gjatë një konference për shtyp, Zoti Basha deklaroi:

“Ju bëj thirrje burrave dhe grave në prokurori që në zbatim të ligjit dhe në kundërshtim të urdhrave kriminalë dhe të paligjshëm të nxjerrin menjëherë fletë-arrestet për Ardi Veliun dhe Drejtorin e policisë së Fierit.”

Po ashtu, kreu i PD-së kërkoi nisjen e hetimeve për kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla:

“Provat për inkriminimin Taulant Ballës dhe Ardi Veliut për të krijuar dhe paguar një dëshmitar të rremë me qëllim mbrojtjen e trafikantit të drogës Agron Xhafaj, vëllait të Ministrit të Brendshëm janë të pakundërshtueshme. Deri tani nuk ka filluar ende asnjë hetim për Taulant Ballën, Ardi Veliun, drejtorin e  policisë së Fierit.”

Duke iu drejtuar kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku dhe drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela, Zoti Basha tha se Marku dhe Prela do të mbajnë përgjegjësi për manipulimin e hetimeve dhe shërbimin që po i bëjnë kryeministrit Rama dhe krimit:

“Manipulimi i hetimeve dhe mos hetimi i krimeve nga prokuroria janë krime të rënda për të cilat dyshja Marku-Prela dhe shërbëtorë të saj në prokurori do të mbajnë përgjegjësi.

Shërbimi i verbër ndaj Edi Ramës është shërbim ndaj krimit dhe për këtë do të mbajë përgjegjësi çdo polic, çdo prokuror, çdo punonjës i shtetit. Ata që mendojnë se mund të bëjnë krime se do ti mbrojë Edi Rama e kanë gabim. Pushteti i Edi Ramës ka marrë fund, rrëzimin e këtij pushteti nuk e ndal dot më asgjë.”

Lajme te ngjashme