Bashkia Tiranë nuk zbaton ligjet për konsultimin publik  – Exit shpjegon

Përpara një jave, gazetari i Emisionit “Stop”, njëkohësisht dhe banor i Kombinatit, u largua me forcë nga salla ku po kryheshin dëgjesat për projektbuxhetin e vitit 2019 për njësinë nr. 6.

Ky nuk është rasti i parë që Bashkia Tiranë nuk respekton detyrimet ligjore për zhvillimin e dëgjesave dhe konsultimeve publike. Kujtojmë se në dhjetor 2016, Bashkia Tiranë nuk lejoi praninë e medias dhe qytetarëve në ‘dëgjesat’ publike për Masterplanin Tirana2030; ndërsa për projektin e stadiumit “Arena Kombëtare”, punonjësit e bashkisë larguan me forcë nga salla një nga zërat më kritikë ndaj qeverisë Fatos Lubonjën.

Për këto projekte, si dhe për shumë të tjera, Bashkia Tiranë nuk i ka zbatuar ose i ka zbatuar pjesërisht detyrimet ligjore që rrjedhin nga Ligji për njoftimin e Konsultimin Publik dhe Konventa Aarhus.

Çdo lloj takimi apo bisede me publikun e cila nuk bëhet sipas këtyre hapave e proçedurave nuk mund të konsiderohet dëgjesë publike, sipas përcaktimeve të Konventës Aarhus dhe legjislacionit vendas.

Më poshtë, Exit.al i rikujton Bashkisë Tiranë se çfarë parashikon ligji dhe Konventa Aarhus për procesin e zhvillimit të dëgjesave dhe konsultimeve publike.

Informimi dhe pjesëmarrja e publikut në vendim-marrje për projektligje, projektdokumente strategjike kombëtare dhe vendore, politika me interes të lartë publik, si dhe për ato me ndikim në mjedis janë detyrime ligjore të cilat burojnë nga Ligji për njoftimin e Konsultimin Publik dhe Konventa Aarhus,  palë e së cilës është Shqipëria.

Informimi dhe dëgjesa e publikut duhet të bëhet duke ndjekur hapat dhe proçedurat që caktohen në këto ligje, përfshi vënien në dispozicion të publikut të dokumenteve të projektit; caktimin e datës dhe njoftimin e publikut për dëgjesën e hapur publike; regjistrimin e vërejtjeve, komenteve, propozimeve të publikut gjatë dëgjesës; reflektimin e vërejtjeve në projekt ose argumentimi i mos përfshirjes së tyre.

Ligji për Njoftimin dhe Konsultimet me Publikun

Ligji për Njoftimin dhe Konsultimet me Publikun u miratua nga qeveria Rama në vitin 2014.

Objekti i këtij ligji është shumë i qartë, saktësisht ai “rregullon procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik të projektligjeve, projektdokumenteve strategjike kombëtare dhe vendore, si dhe politikave me interes të lartë publik”.

Njoftimi për dëgjesat publike:

Sipas nenit 6, “organet publike janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që të krijojnë mundësi për pjesëmarrjen e publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara në procesin e njoftimit e të konsultimit publik”.

Njoftimi për projektaktet që do t’i nënshtrohen procedurës së konsultimit publik bëhet nëpërmjet regjistrit elektronik. Në rastet kur insitucioni e konsideron të nevojshme, njoftimi mund të kryhet edhe në një apo disa nga format e mëposhtme:

  • a) me postë elektronike;
  • b) me lajmërim publik, i cili afishohet në ambientet e organit publik inicues;
  • c) me një lajmërim në mediat audiovizive kombëtare, rajonale ose lokale;
  • ç) me botimin në gazeta lokale ose në dy gazetat më të lexuara në nivel kombëtar.

Neni 8-të përcakton qartësisht se “Palët e interesuara në procesin e njoftimit e të konsultimit publik janë organet publike; shtetasit e Republikës së Shqipërisë dhe grupet e interesit si dhe personat fizikë të huaj me vendqëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë”

Sipas nenit 17, palët e interesuara informohen jo më pak se 20 ditë pune përpara takimit publik, duke u vënë në dispozicion kopje të projektaktit që do të diskutohet.

Dokumentet që insitucioni duhet të bëjë publike përpara dëgjesës publike:

Institucioni që do të organizojë dëgjesën publike duhet të bëjë publike dokumentet, studimet, analizat dhe informacionin e nevojshëm për projektin që do të sigurohet. Në këtë mënyrë qytetarët dhe grupet e interuara mund të kontribuojnë në mënyrën më efektive të mundshme gjatë konsultimit.

Zhvllimi i dëgjesës publike dhe marrja e rekomandimeve/opinioneve nga pjesëmarrësit:

Sipas nenit 18, konsultimi publik është i hapur dhe pjesëmarrësve u jepet mundësia për të shprehur mendimin e tyre për çështjet që diskutohen. Përfaqësuesi i institucionit duhet të mbajë procesverbalet me të gjitha mendimet dhe idetë e hedhura nga pjesëmarrësit në takim dhe më pas t’i bëjë këto procesverbale publike.

Më pas, Komentet dhe rekomandimet e marra gjatë procesit të konsultimit publik grumbullohen nga koordinatori i njoftimit dhe konsultimit publik të organit/institucionit publik përkatës, i cili vendos për pranimin ose refuzimin e rekomandimeve të marra gjatë konsultimit.

Nëse rekomandimet pranohet, ato duhet të pasqyrohen në projekt; nëse rekomandimet nuk pranohet atëherë institucioni paraqet një përmbledhje të arsyeve për mospranimin e tyre.

Konventa e Aarhusit

Konventa e Aarhusit i jep të drejtën qytetarëve të informohen dhe të jenë pjesë e vendim-marrjes për çështje që kanë ndikim në mjedis, si dhe detyron institucionet shtetërore të përmbushë këtë të drejtë. Shqipëria më nënshkrimin e konventës, ka pranuar precedencën që kjo konventë ka mbi Kushtetutën.

Sipas Konventës së Aarhusit, dokumentet që duhet të vihen në dispozicion të publikut përpara zhvillimit të dëgjesës publike janë:

  1. përmbledhje të projektit teknik dhe të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis;
  2. projektleja mjedisore për veprimtarinë;
  3. dosja e plotë e projektit, për pjestarë të publikut që duan të njihen në mënyrë të plotë me të.

Materialet e mësipërme duhet të hartohen në gjuhën shqipe dhe me terminologji të thjeshtë.

Çfarë duhet të përmbajë njoftimi për zhvillimin e dëgjesës?

Njoftimi i qeverisjes vendore përcakton:

  1. vendin ku qëndron i depozituar dokumentacioni rreth projektit;
  2. afatin kohor për dëgjesën publike, i cili duhet të jetë jo më pak se 1 muaj nga data e fundit e shpalljes së njoftimit;
  3. vendin, datën dhe orën e organizimit të dëgjesës me publikun.

Si bëhet njoftimi për dëgjesën publike?

Njoftimi hartohet me shkrim dhe publikohet gjatë 20 ditëve, pa ndërprerje:

  1. në radio e televizione vendore;
  2. në faqen e internetit të institucionit;
  3. në botime, të përditshme apo periodike, kur është e mundur;
  4. në tabelën e njoftimeve të njësisë të qeverisjes vendore.

Detyrimet gjatë dëgjesës së publikut

Në diskutimin me publikun marrin pjesë: specialistët e njesisë së qeverisjes vendore, ekspertët e çertifikuar që kanë përgatitur raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis; specialistë të Ministrisë së Mjedisit dhe specialistë të ministrive që kanë lidhje me veprimtarinë për të cilën kërkohet leja.

Specialistët e Ministrisë së Mjedisit mbajnë proçesverbalin e takimit, ku shënohen të gjitha sugjerimet, vërejtjet dhe propozimet e publikut.

Gjatë takimit duhet qarkulluar lista e pjesëmarrësve, ku duhet të shënohet nga vetë pjesmarrësit, emri i tyre i plotë, institucioni apo bashkia nga vijnë, si dhe një numër kontakti apo adresë e-maili, me të cilat do mbahen kontaktet për çdo zhvillim të mëtejshëm të proçesit vendimmarrës.

Reflektimi i mendimeve të publikut

Pas dëgjesës, vërejtjet e publikut duhet të reflektohen në lejen mjedisore. Për propozimet që nuk reflektohen, duhet të jepen argumentet përkatëse.