Blerja e Telekom Albania nga Telekom Serbi, ndërhyn Vuçiç: Do flas me Ramën për ta zgjidhur çështjen Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe Kryemistri serb Aleksandar Vuçiç

Prej disa javësh, kompania Deutsche Telekom, e cili zotëron paketën e plotë të aksioneve të Telekom Albania, po shqyrton mundësinë e largimit nga Shqipëria. Deri më tani kandidatja kryesore për ta blerë Telekom Albania duket se është Telekom Serbia, por media të ndryshme kanë raportuar se drejtuesit e ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës nuk do ta pranojnë ofertën e Telekom Serbisë.

Sot, kryeministri Rama, po ashtu, tha se nuk do të pranojë oferta nga Telekom Serbia:

“Biznesnet serbe janë të mirëpritura në republikën e Shqipërisë por në këtë sektor strategjik nuk është preferenca jonë.”

Megjithëse ende nuk ka informacion për një ofertë zyrtare nga pala serbe dhe një refuzim zyrtar nga pala shqiptare, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, deklaroi se do të bisedojë me Kryeministrin Rama për ta zgjidhur këtë çështje.

“Unë do të flas me Ramën sot ose nesër dhe shpresoj që do ta zgjidhim këtë situatë,” u shpreh Vuçiç, gjatë një aktiviteti  të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Beograd.

Presidenti Vuçiç  tha se duke refuzuar investimet dhe paratë e Serbisë, Shqipëria po rrezikon të dërgojë “mesazhe të gabuara”.

“Në vendin tone nuk ka kufizime të tilla. Kushdo që dëshiron të krijojë një klimë positive biznesi është i mirëpritur, nuk mund të bëjmë dallime se nga vijnë paratë, qofshin ato serbe, gjermane apo nga një kapital tjetër, ” i tha Vuçiç gazetarëve.

Ndërkohë Ministri i Telekomunikacionit i Serbisë, Rasim Ljajiç, deklaroi se Telekom Serbia nuk do të tërhiqet nga kjo marrëveshje pasi “planet e investimeve në Shqipëri janë një lëvizje e mirë dhe logjike që tregon për fuqinë dhe potencialin e një kompanie [serbe] për t’u bërë udhëheqëse e telekomunikacionit në Ballkan”.