Çështja Maloku-Rraja, gjykata lë në arrest me burg djalin e deputetit socialist Rexhep Rraja

Gjykata e Krujës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja, i akuzuar për përndjekjen e Xhisiela Malokut.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, ndërsa prokurorja e çështjes është Mirela Kapo.

Rexhep Rraja, i cili u arrestua më 30 shtator, do të vazhdojë të qëndojë qelitë e paraburgimit në Durrës, deri në seancën e radhës.

Arrestimi i 24-vjeçarit vetëm për akuzën e përndjekjes ngre dyshime të mëdha për ndërhyrje politike, pasi nga ekspertiza mjeko-ligjore, si dhe nga dëshmitë e shumta të Xhisiela Malokut ka rezultuar se Rraja ka ushtruar dhunë, torturë dhe kërcënime me armë ndaj vajzës.

Vetë arrestimi i Rrajës erdhi pas trysninë publike, ndërkohë që denoncimet e Malokut janë bërë sistematikisht që prej fundit të vitit 2017 e deri në verën e 2018.

Ngjarja, e cila tronditi të gjithë opinionin publik u bë publike nga oficeri Emiljano Nuhu, i cili denoncoi dhunën e ushtruar ndaj Xhisiela Malokut, neglizhencën e policisë dhe kërcënimet e Taulant Ballës dhe Kryebashkiakut të Krujës Artur Bushi. Kronologjinë e plotë të ngjarjes Maloku-Rraja mund ta lexoni këtu.