Dështon Forca e Ligjit, një i vrarë dhe dy të plagosur në zonën e ish-Bllokut

Dje në mbrëmje rreth orës 21:00, një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën në zemër të Tiranës, në zonën më të populluar, të njohur si ish-Blloku.

Viktimë në këtë atentat mafioz mbeti Fabiol Gaxha, 26 vjeç, trupëroja e Ervis Martinaj, i cili ishte targeti i atentatit dhe mbeti i plagosur. I plagosuri tjetër është Elion Hado, 28 vjeç.

Fillimisht, Gaxha, Martinaj dhe Hado janë konfliktuar me autorin e vrasjes brenda një lokali në zonën e Bllokut. Më pas dy palët kanë filluar të gjuajnë me armë drejt njëri-tjetrit. Sipas policisë, dyshohet se janë përdorur tre armë.

Duket se Forca e Ligjit, nisma kaq shumë e propaganduar nga ministri Xhafaj dhe kryeministri Rama, nuk mund të sigurojë rendin në zemër të Tiranës.

Gaxha, Martinaj dhe Hasaj nuk janë emra të panjohur për policinë.

Ervis Martinaj ishte njëri prej të dyshuarve kryesorë për vrasjen e Enton Nikës në nëntor 2015, në një parkim makinash në zonën e Linzës. Videoja ku duket Ervis Martinaj bashkë me 5 persona të tjerë teksa godasin me grushte dhe armë Enton Nikën u bë publike menjëherë pas vrasjes së Nikës.

Megjithë provat e forta, në maj 2016, Gjykata e Tiranës vendosi që të hedhë poshtë kërkesën e Prokurorisë për ta gjykuar këtë çështje si “vrasje me paramendim” në bashkëpunim, dhe e dënoi Ervis Martinajn vetëm më 1 vit e katër muaj burg për “moskallëzim krimi”. Gjykata arrin në përfundimin se vepra penale e vrasjes së shtetasit Enton Nika, është kryer pa paramendim dhe jo në bashkëpunim nga të pandehurit Ervis Martinaj, Emiljano Tasho, Bujar Hasani, e Mirsad Kuçana.

Që pas daljes nga burgu, Ervis Martinaj lëvizte i shoqëruar me trupërojën e tij Fabiol Gaxha, nga frika e një atentati.

Fabiol Gaxha dyshohet  se ka qenë i përfshirë në trafik të lëndëve narkotike.