Dështon operacioni i policisë për arrestimin e Klement Balilit dhe Lulzim Berishës Klement Balili dhe Lulzim Berisha

Policia e Shtetit ka dështuar dje të arrestojë Klement Balilin dhe Lulzim Berishën, për të cilët zhvilloi dy operacione të mëdha, në Sarandë dhe Durrës.

Klement Balili

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe reparti RENEA dje bënë kontrolle në Sarandë, Vlorë e Delvinë, ky dyshohej se fshihej Balili. Sipas policisë, ka qenë një informator që i dhënë informacion policisë se Balili ndodhej në një zonë midis Sarandës dhe Delvinës.

Nuk dihet ende nëse informacioni ka qenë i pasaktë apo Balili i është arratisur policisë gjatë aksionit.

Klemenet Balili, i njohur si Escobari i Ballkanit, është në kërkim që prej majit 2016, dhe akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Urdhërarresti për Balilin është lëshuar nga policia greke në maj 2016, kur Balili ishte emëruar drejtor i Drejtorisë së Transportit Rrugor Sarandë.

Lulzim Berisha

Dje policia e Durrësit arrestoi Flamur, Astrit dhe Jasim Avdyli, vëllai i ish-depuetit Ndoka, Xhevahir Ndoka, si dhe 20 persona të tjerë, të akuzuar si anëtar të bandës së heroinës në Shijak. Mes urdhërave të arrestit të prokurorisë, ka qenë dhe një për Lulzim Berishën, i liruar nga burgu në dhjetor 2016.

Policia nuk e ka gjetur në banesë Lulzim Berishën, i cili dyshohet se ka marrë informacion se po kërkohej dhe është arratisur.

Lulzim Berisha, i njohur si kreu i bandës së Durrësit, u arrestua në prill të vitit 2006 dhe akuzohej për vrasjen e pesë personave, për kryerjen e dhjetëra atentateve dhe për krijimin e një organizate kriminale. Ai u dënua me 25 vjet burg nga Gjykata e Lartë në vitin 2014 dhe u lirua më 5 dhjetor 2016.

Lirimi i tij me vendim të Gjykatës së Apelit ka shkaktuar debat të madh dhe për faktin se vendimtar për lirimin u bë një letër e Kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako ku tregon se i ka siguruar kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berishës një vend punë në bashki.

Duket se Berisha është përfshirë sërish në trafik të lëndëve narkotike pas daljes nga burgu.