Nga Jonila Godole
Drejtësia tranzitore për komunizmin dhe sfidat e saj Jonila Godole, drejtuese e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC, gjatë aktivitetit "Ditët e Kujtesës"

Të gjithë ata që merren me drejtësinë tranzitore (Transitional Justice), kanë në themel të punës së tyre vullnetin dhe dëshirën që e shkuara të mos përsëritet më kurrë. Kur organizuam “Ditët e Kujtesës”, tre vjet më parë, synonim të sillnim para publikut të gjerë jo vetëm aktorët e shoqërisë civile dhe institucionet që punonin në fushën e kujtesës, por edhe të motivonim hapjen e një dialogu mbarëshoqëror për rëndësinë që ka ballafaqimi me regjimin komunist në Shqipëri. Në tri dekadat e fundit, procesi i drejtësisë tranzitore në vendin tonë ka qenë problematik krahasuar me vende të tjera të Europës Lindore, ku, pas rënies së regjimit komunist, pati përpjekje serioze nga qeveritë për të nxjerrë fajtorët para drejtësisë.

Në rastin e Shqipërisë, kjo nuk ndodhi. Në emër të drejtësisë, nga fillimi i viteve 1990 deri më sot, janë krijuar shpesh komisione dhe iniciativa që kanë përfunduar në beteja selektive dhe mbi të gjitha në luftë retorike midis aktorëve politikë. Munguan proceset gjyqësore ndaj funksionarëve të dikurshëm (kupola e KQ, administrata partiake, Sigurimi etj.), që këta të akuzoheshin për krime ndaj njerëzimit. Ose edhe kur ato ndodhën, siç ishte rasti i gjyqeve ndaj anëtarëve të byrosë politike, përfunduan me aktakuza qesharake për shpërdorim fondesh. Një proces krejtësisht fyes për viktimat reale të regjimit komunist që prisnin drejtësi.

Përpjekjet për drejtësinë tranzitore në Shqipëri vështirësohen edhe nga dinamika sistemike se si ishte organizuar burokracia e pushtetit komunist, me një hierarki të fortë, ku çdo hallkë i përgjigjej një rangu më të lartë, derisa përfundonte te udhëheqja e partisë. Gjithçka ishte në shërbim të saj: ushtria, Sigurimi e deri te këshillat e lagjes. Komunistët shqiptarë, madje, e “perfeksionuan” strategjinë e diktaturave totalitare, për ta shndërruar një pjesë të konsiderueshme të popullsisë në bashkëpërgjegjës (“Mittäter”). Kjo dinamikë e bën shumë të vështirë, thuajse të pamundur, dallimin e autorëve përgjegjës nga “ushtarët” e zellshëm që “bënin vetëm detyrën”. Fatkeqësisht, ky justifikim është përqafuar nga shtresa të gjera të popullsisë dhe elitës intelektuale.

Kush do ta kishte menduar që një vend i vogël si Shqipëria të kishte pasur kaq shumë mbështetës dhe bashkëpunëtorë të një regjimi aq represiv?! Një pjesë e bashkëpunëtorëve kuptohet se i kanë shërbyer regjimit kundrejt favoreve financiare dhe karrieriste, porse pjesa tjetër mund të ketë bashkëpunuar nga frika për veten dhe familjen, apo është ndodhur nën presione të tjera. Sigurimi e kishte strategji pune të rekrutonte me zor njerëz me “biografi të keqe”, gjë që e ndërlikon veçanërisht drejtësinë tranzitore në vendin tonë. Ndaj, detyra jonë për të diferencuar qartë midis atyre që i shërbyen diktaturës me vullnet të plotë dhe atyre që kanë qenë viktima të saj, paraqitet edhe më imediate sot, kur qytetarët kanë akses (edhe pse të kushtëzuar) në dosjet e Sigurimit dhe dokumente të tjera që dëshmojnë përndjekjen e tyre.

George Orwell, në librin e tij “1984” thoshte se: “Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen dhe, kush kontrollon të tashmen, kontrollon të shkuarën!”. Kontrollin dhe manipulimin e rekordeve historike e kemi parë vazhdimisht në përpjekjet e të gjitha qeverive pas rënies së komunizmit, për të arritur synimet e tyre politike në kurriz të drejtësisë tranzitore. Ne nuk i kemi penguar funksionarët e djeshëm të jenë pjesë e politikës së sotme, ashtu siç nuk kemi diskredituar as elitën e djeshme intelektuale që i shërbeu pushtetit diktatorial dhe pa bërë një mea culpa, vazhdoi misionin e vet pa ndërprerje.

Pushteti i elitave të djeshme u shfaq dukshëm te debati mbi kampin e Tepelenës, në pranverën e këtij viti ku opinioni publik u përball me dy qëndrime: një “Aushvic” shqiptar apo një “kamp ndëshkimi i nevojshëm për armiqtë e regjimit”?! Zelli për të përqafuar dhe përhapur qëndrimin e dytë tregoi se në Shqipërinë postkomuniste nuk është kryer plotësisht as hapi më minimal dhe bazik: vendosja në vend e dinjitetit të viktimave! Në procesin e drejtësisë tranzitore mund të ketë mendime të ndryshme dhe debate, por kurdoherë viktimat e komunizmit duhet të trajtohen me respekt. Gjë që mungoi tërësisht në debatin për kampin e Tepelenës.

Përpjekjet për të manipuluar të shkuarën ose për ta zhvlerësuar atë nga “pushteti që kontrollon sot të tashmen” mund të vërehen gjithandej. Që nga komercializimi i simboleve komuniste e deri tek evokimi selektiv i ngjarjeve të luftës antifashiste apo shfrytëzimi i kujtesës sonë kolektive si atraksion turistik me qëllime të pastra përfitimi. Shqetësuese janë edhe përpjekjet e viteve të fundit për të gjetur rrugë të reja dhe një estetikë të re për të rrëfyer një variant “selektiv” të historisë. Ky variant po materializohet me instalacione apo muzeume që evokojnë më shumë nostalgji sesa reflektim kritik; me festime të zhurmshme ngjarjesh të dyshimta historike nga kalendari “heroik” komunist apo me zbukurime fasadash me “Tomka” dhe shokë si ai. Gjeste këto simbolike, që duan të tërheqin sidomos vëmendjen (dhe votat) e rinisë, që vuan nga mungesa e njohurive për periudhën e komunizmit.

Ish-të përndjekurit nuk duhet të demoralizohen nga kjo gjendje, por ata dhe aktorët e tjerë në këtë fushë të jenë të sigurt se çdo përpjekje për të treguar të vërtetën e asaj kohe është një hap në drejtimin e duhur. E vërteta duhet të dalë në shesh, ashtu siç është, sepse regjimi komunist shqiptar nuk u drejtua për 45 vjet nga jashtëtokësorë, por nga persona përgjegjës, disa prej të cilëve ende jetojnë. Siç jetojnë dëshmitarët që vuajtën padrejtësitë. Diçka duhet të bëjmë për këta të fundit, edhe pse jemi të vetëdijshëm se drejtësia tranzitore nuk do të ushtrohet mbase plotësisht – do të ketë gjithmonë autorë të pandëshkuar dhe viktima të rreme.

Drejtësia tranzitore është proces shumëdimensional dhe duhet të ecet paralelisht në të gjitha drejtimet. Mbi të gjitha, duhet të përfshijë të gjithë shoqërinë në një debat të gjerë mbi të shkuarën komuniste ku të pajtohemi mes nesh, se cilin version të historisë do të quajmë “të vërtetin”. Deri më tani, ky proces është iniciuar dhe mbështetur nga aktorë të jashtëm, kryesisht Fondacioni Konrad Adenauer apo Ambasada Gjermane, të cilët kanë theksuar rëndësinë e kujtesës, të ndërgjegjësimit dhe të përgjegjësisë për të shkuarën. Këtë mund ta kenë bërë në emër të rolit të tyre mbështetës për zgjerimin e Bashkimit Europian në vendet e Ballkanit Perëndimor. Por edhe si vendi që ka përjetuar në mënyrë dramatike përballjen me një epokë historike të vështirë. Me gjithë përpjekjet e tyre të vyera, ata nuk mund të zëvendësojnë punën e shoqërisë civile dhe të aktorëve të pavarur vendas, për të gjetur mekanizma adekuate në përballjen tonë me të kaluarën. Sa më shumë të punojnë të gjithë aktorët në fushat përkatëse, aq më shpejt do të vijnë frytet e punës.

Kujtesa është thelbi i identitetit tonë, mënyra si jemi formuar prej narrativave të rrëfyera ditë pas dite, prej festave që kemi kremtuar, datave që i cilësojmë të shënuara, dhe memorialëve ku kemi vendosur lule – të gjitha këto janë vlera që i kemi fiksuar përtej kujtesës sonë individuale. Prandaj, mbetet detyra jonë të kujdesemi për vlerat që do t’i kalojmë gjeneratës tjetër, sepse edukimi i rinisë me vetëdije historike është çelësi që e shkuara nuk do të përsëritet më nesër. Ky është edhe misioni i “Ditëve të Kujtesës”, që organizojmë prej disa vitesh dhe do të vazhdojmë ta bëjmë në të ardhmen.


*Komenti i mësipërm është shkëputur nga fjala hapëse në “Ditët e Kujtesës”, që mbahet në Tiranë, më 22-31 tetor.

Ky artikull u publikua më parë tek Panorama.com.al.