Nga Altin Shuli
Elvana e Xhisiela—fakti, dredhja, opinioni

Ngjarjet e ditëve të fundit, përveçse të ndezura me armë e eksploziv, kanë krijuar më shumë tym nga ç’mund të shkaktojë dinamiti.

Po flas për rastin e Elvana Gjatës dhe Xhisiela Malokut. Këto dy raste në dukje pa lidhje, lidhen nga shpërfytyrimi që u bënë atyre “ustallarët e dredhjes” të qeverisë Rama—njerëzit që kanë si punë manipulimin e opinionit publik duke shtrëmbëruar dhe përdredhur faktet dhe realitetin. Nën drejtimin e tyre—përmes fushatës sistematike dhe metodike duke përdorur të gjitha mjetet dhe kanalet e komunikimit, në radhë të parë mediat që ka në shërbim—elementët thelbësore të realitetit mbulohen me detaje dytësore dhe faktet thelbësore zëvendësohen me opinione siëprfaqësore dhe anësore, të cilat favorizojnë apo zhveshin qeverinë nga përgjegjësia.

Konkretisht ja si u përdrodhën faktet për t’u ktheyr në opinione sipërfaqësore (duhet kuptuar që disa nga faktet e sjella janë ende jo shumë të qarta edhe për shkak të shtrembërimit që u bë atyre që në fillim):

Çështja Gjata (me sa dihet deri tani)

Faktet e ngjarjes:

— Lokal superluksoz në mes të Blloku, me gjasa i bërë me të ardhura nga aktivitete të padeklaruara.

— Mata i ri i dyshuar për përfshirje në trafik droge në Hollandë, për të cilën qeveria hollandeze ka njoftuar institucionet shqiptare, por i pa hetuar nga askush.

— Martinaj person i dyshuar për një sërë veprash penale, dhe kontrollues i një pjese të tregut të bixhozit.

— Mata dhe Martinaj takohen në lokalin luksoz për të folur.

— Të dy janë të shoqëruar në tavolinat pranë, në një momment apo tjetër, nga njerëz të tjerë. Martinaj shoqërohet nga Gaxha, njeri i kërkuar nga policia për tentativë vrasje, dhe nga Hato gjithashtu i kërkuar nga policia për vrasje. Mata shoqërohet nga Bilo oficer profesionsit i forcave të specializuara të rendit.

— Të paktën në dy herë në lokal ka hyrë këngëtarja Elvana Gjata, e dashura e Matës, herën e dytë pak çaste para fillmit të përplasjes.

— Elvanën e kanë ngacmuar Gaxha më herët në një tjetër lokal luksoz në mes të bllokut.

— Nuk është e qartë se si, por Gaxha përplaset me Bilon dhe tentojë ta qëllojë, por Bilo është më i shpejtë dhe e qëllon disa herë duke e lënë të vdekur dhe duke plagosur Martinajn dhe Hatën.

— Pas përplasjes në lokal gjenden të paktën tre armë të ndryshme.

Opinioni pas ndërhyrjes:

— Sherri u bë për Elvana Gjatën, Helenën e Bllokut.

— Elvana Gjata është “kurvë” që rri me të fortë për para.

— Artistët kanë humbur vlerat morale, ndaj mirë t’u bëhet.

Çështja Maloku (me sa dimë)

Faktet e ngjarjes:

— Maloku është një vajzë e varfër nga Nikla, e cila e ka humbur të jatin në moshë të re.

— Maloku ka një lidhje me Rrajën, djalin e deputrit të zonës.

— Në rrethana ende të paqarta Rraja ka ushtruar disa herë dhunë mbi Malokun, e ka rrëmbyer në rrugë, e ka çuar në hotel, ku e ka përdhunaur dhe dhunuar, të paktën një herë duke e djegur me cigare të ndezur.

— Maloku denoncon në policinë e Fushë Krujës.

— Në rajonin e policisë nuk pranojnë të marrin denoncimin e saj, dhe oficieri Çitozi i bën presion të tërheqë denoncimin.

— Gjatë kohës së ajo donte të bënte denoncim të paktën disa të afërm të Rrajes kanë mbërritur në mjedisiet e policisë së Fushë-Krujës.

— Maloku detyrohet që të denoncojë në një rajon policie në Tiranë.

— Maloku denoncon gjithashtu në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Policisë në Durrës oficerin Çitozi.

— Nuk dihet se në çfarë rrethanash, një nga denoncimet Maloku e bën tek oficeri i policsë Nuhu.

— Në rrethana të paqarta polici Nuhu kërcënohet nga Rraja dhe vendos të largohet për në Zvicër.

— Xhisiela del në ekran dhe mohon çdo lloj dhunimi duke u shprehur se është vetëdjegur.

— Xhisiela shfaqet me makinë dhe veshje të shtrenjtë dhe pohon se e kërcënon opozita ndaj ka kërkuar mbrojtjen e Rrajës.

Opinioni pas ndërhyrjes:

— Xhisiela është “kurvë” dhe mashtruese nga ato që rrinë me të fortë për para.

— Prandaj, Xhisiela e meriton dhunën.

Me gjasa edhe disa hipoteza të tjera edhe më të rënda mund të jenë të vërteta, por edhe faktet e mësipërme mjaftojnë për të kuptuar një realitet ndryshe nga ai që duan të  fshehin “ustallarët e dredhjes” të qeverisë. Po ta shikojmë me vëmendje edhe një herë faktet e mësipërme, duke fshirë tymin që shkakton opinioni, ato dëshmojnë se:

 1. Kriminelët e kërkuar janë të lirë në mes të Tiranës dhe vazhdojnë aktivitetet e tyre të patrazuar nga policia që duhet t’i arrestojë apo mbikëqyrë.

 2. Trafikantët e drogës ngrenë biznese të dyshimta dhe shpalosin hapur pasurinë e paligjshme në mes të Tiranës të patrazuar nga institucionet ligjzbatuese.

4. Përplasjet për pazare droge po bëhen të përgjakshme.

 4. Për shkak të krimit të shtuar, jeta e njeriut është e kërcënuar edhe në zonën më qendrore të Tiranës.

 5. Policia mbron njerëzit me pushtet edhe kur ata dhunojnë dhe turturojnë.

 6. Policët e ndershëm që duan të luftojnë krimin janë të rrezikuar nga vetë shteti që mbron kriminelët.

 7. Shteti në bashkëpunim me të fortët është në gjendje të ushtrojë presion dhe të manipulojë viktimat për të mbrojtur dhunuesit e tyre.

Kjo nuk është shaka—është banalizimi dhe tjetërsimi i realitetit kriminal për të shuar çdo lloj vetëdijësimi apo reagimi ndaj tij. Nga kjo përfitojnë vetëm krimi dhe qeveria që nuk do të luftojë krimin. Kurse njerëzit janë viktimat e qarta—herët a vonë u vjen radha të gjithëve të jenë viktima të këtij lloj shteti apo të këtij lloj krimi.

E kemi provuar “shtetin” e armës disa herë dhe ia kemi parë pasojat. Ndaj hapni sytë, para se të dilni në përfundime se çfarë janë Elvanat e Xhisielat. Kuptoni se ku fle lepuri, ai lepuri, që kur do shteti, e zë edhe me qerre. Vetëm se ky shtet nuk do të zërë lepuj, ai është thjesht një stan me lepuj para krimit.