Nga Mersi Shehu
Kryeministri Rama po fsheh me propagandë gjendjen e krimit në vend

”Kriminaliteti matet me statistika, por vlerësohet edhe me perceptim. Statistikat dhe perceptimi janë nga dje dhe sot në anën tonë, flasin qartë se ku ishte dhe ku është vendi në raport me krimin vit pas viti.”

Kështu pohoi Kryeministri Rama para drejtuesve të Policisë së Shtetit, gjatë një takimi, në dukje propagandistik, dy javë më parë. Por një vështrim i shpejtë i informacionit tregon se as statistikat dhe as perceptimi nuk janë në anën e Kryeministrit dhe Policisë së Shtetit.

Sipas vrojtimit të opinionit publik Besimi në Qeverisje 2017,pothuajse gjysma e qytetarëve (47 për qind) nuk kanë besim tek Policia e Shtetit, duke shënuar një rënie prej 8 pikë për qindje ndaj një viti më parë. Duke qenë se vrojtimi është zhvilluar në nëntor 2017, kur ende nuk ishte bërë mirë e qartë përfshirja e policisë në trafikun e marijuanës, mund të supozohet se besimi tek policia ka vazhduar të ulet. Po në këtë, vrojtim 49 për qind e qytetarëve janë shprehur se Policia e Shtetit është lehtësisht e ndikueshme nga politika.

Një tjetër studimi i opinionit publik, Barometri i Ballkanit realizuar nga Bashkimi Europian, raporton se 54 për qind të qytetarëve të pyetur kanë pranuar se u kanë paguar rryshfet të paktën një herë punonjësve të policisë.

Të paktën këto dy vrojtime serioze tregojnë se perceptimi apo opinioni i qytetarëve për policinë nuk është aq rozë sa pretendon kryeministri.

Ndërsa përsa i përket statistikave, Kryeministri Rama, duke iu referuar të dhënave të portalit Numbeo, pohoi se Tirana ka indeksin e krimit më të ulët se plot qytete të rajonit:

”Roma, Athina dhe plot qytete të tjera […] e kanë më të lartë se Tirana indeksin e krimit.”

Në fakt Kryeministi ka të drejtë të krenohet për këto statistika —Sipas Numbeo-s, Tirana është jo vetëm më e sigurt se “Roma, Athina dhe plot qytete të tjera” të rajonit, është më e sigurtë në fakt se pothuajse të gjitha kryeqytetet perëndimore përfshi Londrën, Berlinin e Parisin, por është edhe më e sigurtë se edhe vetë vendet nordike, përfshi përshembull Oslon në Norvegji apo Lundin në Suedi. Për një njeri të zakonshëm është vështirë të besosh se niveli i krimit në Tirana është më i ulët se ai i qyteteve nordike. Dhe me të drejtë, mjafton t’u referohesh të dhënave të Eurostatit për të kuptuar se këto qytete mbajnë rekordin për numrin më të ulët të vrasjeve ndër vendet e zhvilluara.

Duket se pasi statistikat zyrtare e lënë në baltë, Kryeministri e ka gjetur shpëtimin tek një portal interneti, i cili ndërton indekse bazuar në sondazhet online të vizitorëve të faqes. Pra, kushdo mund të plotësojë një pyetësor online në faqen Numbeo dhe këto të dhëna reflektohen menjëherë në rezultat. Pra mjafton të organizosh persona që të përgjigjen online tek Numbeo dhe mund ta kthesh edhe Bagdatin dhe Kabulin në qytetet më të sigurta në botë.

”Ne e rilindëm Policinë e Shtetit dhe hapëm betejën e pazhvilluar kurrë më parë për ligjshmërinë […] duke përgjysmuar numrin e vrasjeve në vit nga mesatarisht 115 në mesatarisht 55 […] por po ne qenkemi ato që e kemi bërë vendin maternitet të krimit të organizuar.”

Këtë pohim Kryeministri Rama e bëri më 16 Maj 2018, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në fakt sipas statistikave të INSTAT, në vitin 2016 ndodhën 71 vrajse nga 98 në 2014, pra zyrtarisht kemi ulje me 21 për qind dhe jo përgjysmin sikurse pretendon Kryeministri Rama. Por edhe kjo statistikë është e dyshimtë. Për ta bërë të besueshme rënien e vrasjeve në vend, disa javë më parë qeveria qarkulloi disa grafikë për ecurinë e vrasjeve, duke kontrastuar me periudhën e qerverisjes demokrate. Por këto grafikë zbuluan një problem në përcaktimin e veprës së vrasjes: qeveria socialiste e mat numrin e vrasjeve jo duke llogaritur numrin e viktimave, por duke llogaritur vetëm numrin e veprave me vrasje—publiku zbuloi se edhe pse në Selenicë të Vlorës ishin vrarë 8 persona në gusht 2018, qeveria e llogariste këtë rast si një vrasje e vetme.

Por në përpjekjet e saj për të zhvlerësuar kritikat për gjendjen e krimit në vend, qeveria Rama “harron” të përmendë krimet e tjera, veç vrasjeve. Mungojnë për shembull, referimet e krimeve të lidhura me drogën. Në 2014-ën kanë ndodhur 1 776 krime me objekt kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, ndërsa në 2017-ën pati 2 070 raste të tilla, pra një rritje me 14,2 për qind; ndërsa në vitin 2016 krimet në fushën e drogës arritën një nivel rekord me 3 274 raste, pothuajse dyfishi i nivelit të vitit 2014.

Për të njejtën periudhë, statistikat e vetë qeverisë tregojnë rritje me 16 përqind të krimeve seksuale dhe krimet të lidhura me pastrimin e parave.

Në të vërtetë, sipas të dhënave të INSTAT edhe pse rastet e vrasjeve janë ulur (me gjasa si pasojë e riklasfiikmit të kategorisë siç është shpjeguar më sipër) krimet në fusha të tjera, krime në fushën e drogës, krime të pastrimit të parave, krimet seksuale, fallsifikimet, mashtrimet dhe shkeljet e qarkullimit rrugor kanë shënuar të gjitha rritje nga viti 2014. Në total, edhe pse një sërë veprash penale janë ulur, numri i veprave penale është rritur nga 32, 924 raste në 2014 në 33 808 raste në vitin 2016.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, gjatë vitit 2017, në Shqipëri kanë ndodhur 146 krime për 100 mijë banorë, një rritje me 9 për qind në krahasim me vitin 2014, kur ndodhën 134 krime për 100 mijë banorë.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se jo vetëm perceptimi i popullsisë mbi krimin, por edhe shifrat e krimit hedhin poshtë pohimin e Kryeministrit për krimin — krimet në total dhe si raport për 100 mijë banorë janë rritur në periudhën 2014-2017.

Sipas Prokurorisë të Përgjithshme, raporti i procedimeve penale të regjistruara për 100 mijë banorë është rritur me 10,2 për qind gjatë katër viteve të fundit, nga 992 në vitin 2013, në 1 094 në vitin 2017. Në shifra absolute, në vitin 2017 janë regjistruar 31 481 procedime penale nga 27 677 të regjistruara në vitin 2013. Pra, një rritje me 3 804 regjistrime, 13.7 për qind. Që do të thotë se kemi minimalisht një rritje mesatare me 3 denoncime në ditë këto 4 vite. Gjithashtu në vitin 2017 rezultojnë 40911 procedime në ndjekje penale nga 33761 në 2013. Pra një rritje me 7150 raste, 21.2 për qind.

Nëse marrim si ilustrim, sipas buletinit informativ të Ministrisë së Brendshme, në tetor 2017 në Shqipëri ndodhën mesatarisht 4,5 krime në orë dhe 108,1 krime në ditë nga 4 krime në orë dhe 95 në ditë gjatë Tetorit 2013.

Informacionet e mësipërme dëshmojnë se ndryshe nga sa thotë Kryeministri as perceptimi publik dhe as shifrat e krimit nuk janë në anën e qeverisë. Duket se është Kryeministri ai që ka një perceptim të gabuar mbi seriozitetin e krimit dhe të organizatave kriminale në vend. Kjo gjë dëshmohet nga një pohim tjetër që Kryeministri Rama bëri para pak muajsh para dejtuesve të alrtë të partisë së tij:

Ne duhet të vëmë një vijë të kuqe të qartë dhe plot ndriçim në çdo qytet për të gjithë rrugeçërit. Se këtu flitet për banda, por këtu kemi të bëjmë me rrugeçër kryesisht.” 

Por sipas një studimi të Fabian Zhillës dhe Besfort Lllamanit (tani Zëvendës Minisitër i Brendshëm), financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, Tirana ka tre grupe kryesore kriminale, Shkodra ka 4 “familje” kriminale, Vlora dhe Fieri kanë disa organizata të konsoliduara kriminale. Studimi i financuar nga një fondacion shumë i afërt me qeverinë është domethënës.

Në Tetor 2017, gjatë ceremonisë së 20-vjetorit të Shkollës së Magjistraturës, ish-ambasadori amerikan Donala Lu, i njohur për qëndrimet e tij shumë të afërta me qeverinë Rama, pohoi se në vend ka “katër klane kryesore që drejtojnë 20 familje kriminale shqiptare të cilat dominojnë aktivitetet kriminale në vend.”

Vetë ish-Ministri i Brendshëm socialist Fatmir Xhafaj pohoi më 15 shkurt 2018 në një intervistë në Opinion në TV Klan se në Shqipëri funksionojnë 40 grupe të strukturuara kriminale.

Sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për kontrollin e narkotikëve për vitin 2018 dhe 2017 Shqipëria shërben si bazë operacionale rajonale për krimin e organizuar.

Përtej shifrave të krimeve, krijimi dhe fuqizimi i grupeve të strukturuara kriminale është një dukuri që dëshmon evolimin dhe fuqizimin e krimit në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Fatkeqësisht, mohimi nga Kryeminsitri Rama i këtij realiteti duke i quajtur kriminelët “rrugeçër”, është jo vetëm përpjekje për të fshehur dështimin e qeverisë në luftën kundër krimit, por mund të shërbejë si nxitje për krimin e organizuar në vend.