Komisionerët Publikë kërkojnë shkarkimin e më shumë se një të tretën e magjistratëve që kanë kaluar vetingun

Që prej fillimit të procesit të vetingut, Komisionerët Publikë kanë apeluar disa vendimet të Komisionit të Pavarur të Kualfikimit, disa me rekomandimin e ONM-së, e disa të tjera si nisma të vetë komisionerëve. Nga lista prioritare e vetingut, me 26 magjistratë të konfirmuar nga KPK, deri më tani KP-të kanë apeluar vendimin dhe kanë kërkuar shkarkimin për 10 prej tyre, ose rreth 38 përqind.

Deri më tani, Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk e ka bërë publik kalendarin e shqyrtimit të çështjeve, por duke patur parasysh se të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e mëposhtëm janë kandidatë për në KLGJ, KLP, KED ose anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, shkarkimi i tyre do të ndërlikonte edhe më tepër procesin, tashmë të ngecur, të formimit të këtyre institucioneve.

Më poshtë Exit.al sjell një listë të plotë të apelimeve të Komisionerëve Publikë dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Më 31 tetor, Komisioneri Publik apeloi vendimin e KPK-së për të konfirmuar në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda Besnik Muçi, njëkohësisht kandidat për KLP. KP pretendon se zoti Muçi nuk ka burime të ligjshme për të justifikuar pasurinë e tij, ndaj kërkon nga KPA një hetim më të thelluar.

Më 26 tetor, me rekomandim të ONM-së, Komisioneri Publik kërkoi rrëzimin e vendimit të KPK-së dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit Artur Malaj. Sipas KP dhe ONM, gjyqtari Malaj nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë e tij, dyshohet të ketë qenë i përfshirë në korrupsion gjatë detyrës, dhe dështoi të tregonte nga ana profesionale se ishte i aftë për të vazhduar detyrën. Artur Malaj, njëkohësisht dhe kandidat për në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, u rikonfimua në detyrë nga Genta Tafa, Suela Zhegu dhe Pamela Qirko, më 3 gusht,

Më 12 tetor, me rekomandim të ONM-së, Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin nga detyra të Kreut të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori. Gjyqtari Zaganjori ka bërë deklarata të pasakta pasurie ndër vite, i është shmangur me vetëdijetaksave dhe detyrimeve ligjore dhe nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë e tij dhe familjarëve të tij. Trupa e KPK-së, e përbërë nga Olsi Komiçi, Pamela Qirko dhe Roland Ilia, konfirmoi në detyrë më 24 korrik Zaganjorin. Një analizë të plotë të vendimit të KPK-së për gjyqtarin Zaganjori mund ta lexoni këtu.

Më 24 shtator, KP kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Apelit të Krimeve të Rënda Nertina Kosova. KP pretendon se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka kryer hetimi të plotë dhe të gjithanshëm për pasurinë e familjarëve të gjyqtares. KP i ka kërkuar KPA-së një hetim të ri të burimeve të pasurisë së gjyqtares Kosova, përpara se të marrë vendimin për të rrëzuar ose jo vendimin e Firdes Shulit, Roland Ilias dhe Olsi Komicit që konfirmoi në detyrë Kosovën, kandidatë për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Më 14 shtator, me rekomandim të ONM-së, KP kërkoi shkarkimin nga detyra të gjykatësit të Gjykatës Administrative Gentian Medja, për shkak të vlerësimit jot ë plotë të aftësive profesionale të gjykatësit. Vendimi për Medjen, kandidat për KED,  u mor nga Roland Ilia, Firdes shuli dhe Xhensila Pine, më 1 gusht.

Më 29 gusht, me rekomandim të ONM-së, KP kërkoi shkarkimin në detyrë të prokurores së Tiranës Antoneta Sevdari, kandidate për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sipas KP, vendimi për Zonjës Sevdari është marrë bazuar mbi prova jo të plota dhe hetim të pamjaftueshëm nga ana e KPK-së lidhur me denoncimet ndaj prokurores, aftësive të saj profesionale dhe të ardhurave të bashkëshortit të saj. Vendimi për konfirmimin në detyrë të Sevdari u mor më 18 korrik nga Firdes Shuli, Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia.

Më 28 gusht, KP kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Tiranës Astrit Faqolli, sërish për shkak të mosjustifikimit të pasurisë. Faqolli, kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor, u konfirmua në detyrë nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Genta Tafa, më 25 korrik.

Më 14 gusht, KP ankimoi në KPA vendimin për të konfirmuar në detyrë gjyqtaren e Tiranës Alma Brati. Komisioneri Publik gjykon se ka patur mangësi gjatë hetmit administrativ të KPK-së dhe se dokumentet e vënë në dispozicion nga gjyqtarja nuk janë të mjaftueshme. Disa nga problemet që Komisioneri Publik ka nxjerrë në pah lidhen me pasurinë e zonjës Brati. Alma Brati është një prej gjyqtareve kaloi vetingun duke u vlerësuar si me “aftësi minimale profesionale” nga KPK-ja. Vendimi për konfirmin në detyrë të Bratit, kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqsor, u mor nga Pamela Qirko, Genta Tafa Bungo dhe Lulzim Hamitaj, më 5 korrik.

Më 27 korrik, me rekomandim të ONM-së, KP kërkoi shkarkimin nga detyra të kreut të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Dedja dyshohet se nuk justifikon pasurinë me burime të ligjshme. Dedja është një ndër dy anëtarët e vetëm të Gjykatës Kushtetuese që u konfirmua në detyrë. Shkarkimi i tij nga KPA-ja do të kishte implikime serioze për formimin e Gjykatës së re Kushtetuese.

Më 13 korrik, KP kërkoi shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj, duke kërkuar hetime më të thella për pasurinë e gjyqtarit dhe familjarëve të tij.  Edmond Islamaj u konfirmua në detyrë më 7 qershor nga trupa e KPK-së Suela Zhegu, Pamela Qirko dhe Genta Tafa.

Ndërkohë ONM i ka rekomanduar Komisionerëve Publikë të apelojnë dhe vendimin për prokurorin e Krimeve të Rënda Gentjan Osmani, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë dhe burimeve jo të ligjshme të saj. Deri më tani, në shkeje të afateve, KPK ende nuk e ka zbardhur vendimin e Osmanit, dhe KP nuk ka asnjë mundësi për të apeluar një vendim ende të pazbardhur.