Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Konfirmimi i Zaganjorit tregon standardet e dyfishta të vetingut Xhezair Zaganjori, Kryetari i Gjykatës së Lartë

Më 24 korrik, Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve (KPK) konfirmoi në detyrë Kryetarin e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, pavarësisht kundërshtimeve nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Më në fund, më 27 shtator, KPK-ja publikoi vendimin përkatës, më shumë se një muaj pas afatit të parashikuar ligjor.

Krahasuar me vendimet e mëparshme, në të cilat gjyqtarët dhe prokurorët janë shkarkuar për dyshimin më të vogël në deklarimet e tyre të pasurisë, është e qartë se në rastin e Zaganjorit është zbatuar një standard tërësisht i ndryshëm.

Së pari, në vitin 2001, Zaganjori ka blerë një apartament për 500 mijë lekë, të cilin në deklaratën e vitit 2003 e ka deklaruar si pasuri me vlerë 7,4 milionë lekë, ndërsa në deklaratën “veting”, i njëjti apartament vlen 5,8 milionë lekë. Pas shumë pyetjesh të KPK-së gjatë seancës, Zaganjori më në fund deklaroi se kishte shpenzuar 9,1 milionë lekë për atë apartament, dhe pohoi se vlera e vitit 2001 prej 500 mijë lekësh ishte vetëm “simbolike”. Si rezultat, Zaganjori shmangu taksat e pronës.

Megjithatë, KPK arrin ne përfundimin:

“Nga hetimi administrativ i Komisionit janë konstatuar ndryshime në deklarimet e pasurisë së subjektit të rivlerësimit ndër vite në raport me deklarimet e bëra në Deklaratën-Veting. Këto ndryshime nuk vlerësohen të jenë thelbësore dhe në atë masë që të arrihet në përfundimin se jemi para një shkaku kushtetues për dhënien e masës së shkarkimit.

[…]

Në pamje të parë të krijohet përshtypja se kontratat e shitjes së vitit 2001 janë fiktive, në bazë të nenit 92/ç të Kodit Civil, pasi janë kryer nga palët vetëm me qëllimin që të realizohej formalisht regjistrimi i pasurive të paluajtshme në regjistrin publik. [K]ëto kontrata, mund të konsiderohen si fiktive, por që nuk kanë si qëllim mashtrimin.”

Në të njëjtën ndërtesë, Zaganjori zotëronte dhe një dyqan, vlera e të cilit sërish ka ndryshuar në deklarata të ndryshme pasurie. Edhe për këtë dyqan, Zaganori ka një kontratë shitjeje “fiktive” prej 500 mijë lekësh. Në këtë rast, KPK shkon aq larg për të mbrojtur Zaganjorin sa argumenton se evazioni fiskal i tij ishte “i ligjshëm”:

“Njëlloj si në arsyetimin e mësipërm për apartamentin në të njëjtën godinë, Komisioni çmon se, pavarësisht se vlera reale e njësisë së shërbimit nuk është ajo e parashikuar në kontratën e shitblerjes, arsyeja e kësaj kontrate është shmangia nga tatimi. Në kushtet e mungesës së detyrimit ligjor për çmimin e referencës, subjekti nuk mund të fajësohet për faktin se ka qenë në gjendje të shfrytëzojë boshllëqet ligjore në favor të tij.”

Sërish në të njëjtën ndërtesë, Zaganjori është bashkëpronar me gruan e tij i një yre. Edhe për këtë mjedis, Zaganjori ka dhënë vlera të ndryshme, në deklarata të ndryshme pasurie. Përsëri, KPK-ja ka zgjedhur të besojë dhe përqafojë pa asnjë provë pohimin e Zaganjorit:

“[A]rrihet në konkluzionin se subjekti nuk ka qenë i saktë në deklarimet ndër vite, por nuk mund të arsyetohet në favor të masës disiplinore të shkarkimit nga detyra, duke qenë se nuk ka asnjë dyshim për fshehje të pasurisë apo të të ardhurave.”

Po ashtu, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të Zaganjorit vijnë nga dhënia me qira e pjesës tjetër të ndërtesës, përmes kontratave të panoterizuara të qirasë. Por përsëri KPK thotë se ky nuk është gabim i Zaganjorit, “pasi në momentin e hartimit të tyre nuk ka pasur asnjë normë ligjore apo nënligjore që të detyronte palët kontraktore në një marrëdhënie juridike qiraje për ta veshur me këtë formë veprimin juridik”.

Me fjalë të tjera, KPK i konsideron “kontratat fiktive të Zaganjorit si “evazion fiskal ligjor”, por nuk dyshon se ai po fsheh ndonjë pasuri ose të ardhura.

Mënyra e vetme në të cilën KPK ndonjëherë mund të bazojë dyshimet e saj është përmes provave dhe fakteve. Dhe provat, në këtë rast, tregojnë qartë evazionin fiskal dhe mundësinë e fshehjes së të ardhurave nëpërmjet kontratave të panoterizuara të qirave. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për KPK-në ku të mund të bazojë dyshimet e saj, përveçse përmes provave. E megjithatë në rastin e Zaganjorit, KPK ka vendosur t’i besojë provave të tij pa pasur arsye.

Situata përkeqësohet akoma më tej.

Për një apartament në Durrës, në bashkëpronësi me gruan, që kushtonte 32 mijë dollarë, Zaganjori deklaroi se kishte paguar shumë prej 16 mijë dollarësh.  Këto para, Zaganjori i kishte tërhequr nga një llogari bankare në Intesa Sanpaolo.

Banka, megjithatë, mohon që kjo tërheqje të jetë bërë ndonjëherë. Pra, nga vijnë këto para? KPK nuk bazohet në të dhënat e bankës, por pretendon se deklaratat e pasurisë së Zaganjorit tregojnë se tërheqja duhet të ketë ndodhur në një moment apo në një tjetër!

Për më tepër, Zaganjori ka bërë një paradhënie për një apartament në Shkodër me vlerë 35 mijë dollarë por nuk ka nënshkruar kurrë një kontratë.  Për këtë rast, KPK konkludon:

“Ai [Zaganjori] nuk ka paraqitur kontratë të lidhur sipas legjislacionit shqiptar në fuqi për fitim pronësie të paluajtshme”.

Megjithatë, KPK e ka shpjeguar këtë me faktin se Zaganjori e ka bërë këtë veprim bazuar në “mirëbesimin mes palëve” duke qenë se pronarët e kompanisë së ndërtimit i kishte “miq të afërt”.

Shkelja e ligjit duket se nuk ka rëndësi!

Por për një post si ai i Kryetarit të Gjykatës së Lartë, që do të kërkonte dikë me të shkuar të pastër dhe pasuri pa asnjë hije dyshimi, Zaganjori duket se i ka shumë qef marrëveshjet dhe kontratat ose në kufi të ligjit, ose që i bëjnë bisht ligjit.

Gjatë gjithë këtyre viteve, Zaganjori ka bërë deklarime të pasakta dhe të ndryshme të pasurisë duke ndryshuar vlerën e pronës së tij disa herë; ai nuk ishte në gjendje të justifikonte blerjen e një apartamenti në Durrës; ai nuk ka dokumente për të provuar të ardhurat e tij nga dhënia me qira e apartamenteve; ai nuk ka kontratë për një paradhënie të paguar për një apartament në Shkodër.

Kjo “shpirtbutësi” që KPK ka treguar lë vend për dyshime, veçanërisht pasi dy javë pas konfirmimit të tij, Zaganjori hapi një thirrje të paligjshme për kandidatë shtesë për në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Sikur ai të shkarkohej, kriza aktuale kushtetuese do të kishte qenë edhe më e thellë se sa është sot. Prandaj duket se ka gjasa që KPK-së t’i jëtë kërkuar që Zaganjori ta “kalojë” vetëm për të shmangur problemet e mëtejshme në zbatimin e reformës në drejtësi.

Për më tepër, konfirmimi i Zaganjorit është një precedent i rrezikshëm, sipas të cilit “mirëbesimi mes shokëve” justifikon veprime të paligjshme.