Kreu i PD Basha: Rama ka instaluar shtetin privat të mafias, me të cilin mbron kriminelët Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagoi sot për audio-përgjimin e bërë publik dje ku Fredi Alizoti tregon se si është detyruar nga Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe deputeti Taulant Balla që të pranojë se ka aktruar zërin e Agron Xhafajt në videon e Babales.

Sipas kreut të opozitës, kjo ngjarje, ashtu si skandali Balla-Rraja-Maloku dhe skandalet e tjera të Qeverisë Rama, tregon se në Rama ka shkatërruar shtetin e së drejtës dhe ka instaluar një diktaturë mafioze me institucione që manipunojnë të vërtetën për të mbrojtur kriminelët.

Deklaratat kryesore të Zotit Basha janë:

Ngjarjet e ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah shkatërrimin e shtetit të së drejtës. Në Shqipëri drejtësia e korruptuar është kthyer në drejtësi kriminale. Deri dje njerëzit u paguanin para prokurorëve dhe gjyqtarëve, sot duhet të jesh i lidhur ose me Edi Ramën ose me kriminelët që të marrësh drejtësi.

Në Shqipëri është instaluar shteti privat i Edi Ramës, një shtet që funksionon jashtë Kushtetutës dhe jashtë ligjeve. Edi Rama e pranoi vetë ekzistencën e këtij shteti privat kur deklaroi publikisht se ai ka një strukturë të posaçme hetimore që i shërben atij personalisht.

Kur shteti sulmon kundërshtarët politikë, gazetarët dhe policët e ndershëm, për të mbrojtur kriminelët dhe politikanët e lidhur me krimin, jemi në kushtet e një diktature mafioze.

Kryeministri, Ministri i Brendshëm, kreu i grupit parlamentar, Prokurorja e Përgjithshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, kanë komplotuar së bashku, për të manipuluar të vërtetën për të mbrojtur një trafikant droge si Agron Xhafajn.

Shteti privat i Edi Ramës vendosi që të fabrikojë dëshmitarë për të sulmuar dhe përndjekur gazetarët dhe denoncuesit, opozitarët me një qëllim: për të shpëtuar trafikantin e dënuar Agron Xhafaj dhe mbrojtësin e tij Fatmir Xhafaj.

Është i njëjti shtet privat që ka manipuluar gjithçka, çdo provë dhe çdo fakt, për të mbrojtur Taulant Ballën dhe Rahman Rrajën.

Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Arta Marku, Ardi Veliu dhe të gjithë shërbëtorët e tyre të vegjël apo të mëdhenj, pjesë e manipulmit për të mbrojtur krimin,  do të dalin para drejtësisë. Sikurse do të dalin të gjithë kriminelët, në shtet, në qeveri dhe në rrugë.

Ky shtet privat, kjo diktaturë mafioze, duhet të shkatërrohet dhe do të shkatërrohet. Të gjithë ata që janë pjesë e tij dhe sot ndihen mbi ligjin do të japin llogari para ligjit.