Kryetarja e Komisionit për Median Vokshi kërkon pezullimin e urdhërit të AKEP: Shkel kushtetutën

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Median, deputetja e PD Albana Vokshi i ka kërkuar sot Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) pezullimin e urdhërit të 15 tetorit, ku kërkohej regjistrimi i portaleve online në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe publikimi i NIPT-it në faqet e tyre.

Sipas kërkesës zyrtare të kryetares së Komisionit Vokshi dërguar AKEP, urdhëri i publikuar në faqen e AKEP më 15 tetor është:

– në shkelje të hapur të kompetencave që i njeh ligji këtij institucioni për komunikimet elektronike;
– në shkelje flagrante të lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, të garantuara nga neni 22 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Pas deklaratave të Kryeministrit Rama për ‘paketën antishpifje’ ndaj gazetarëve dhe medias, më 15 tetor, AKEP kërcënoi 44 portale se nëse brenda 72 orëve nuk regjistrohen në QKB dhe të bëjnë publik NIPT-in, do të mbyllen.

Deklarata e AKEP nuk përmbante asnjë referencë ligjore dhe është lëshuar pa bërë verifikime paraprake për secilin prej portaleve, duke lënë vend për dyshime se AKEP, i drejtuar nga ish-deputeti socialist Ilir Zela, po përdoret drejtëpërsëdrejti nga kryeministri Rama.

Në listën me 44 portale përfshihen dhe faqe që operojnë në Kosovë apo vende të tjera, faqe që operojnë si pjesë e një organizate jofitimprurëse dhe nuk janë të përfshira në aktivitete publicitare siç është rasti i Exit.al apo Reporter.al.