Nga Alice Elizabeth Taylor
Nëse doni të censuroni median, të paktën përdorni fakte e informacione të sakta Mobile media devices

Në shkurt të vitit 2017, qeveria malteze u përpoq të shtypte lirinë e fjalës dhe shtypit duke propozuar një ligj për median që parashikonte që të gjitha “faqet e lajmeve online” duhet të regjistroheshin ose të paguanin një gjobë prej 1 mijë eurosh. Ligji përfshinte  “çdo agjenci lajmesh që vepron online apo çdo agjenci tjetër që vepron online dhe ka lidhje me lajmet dhe çështje të aktualitetit që operojnë në Maltë ose që vendimet për linjën editorial merren në Maltë”. Ky ligj erdhi në një periudhë kur qeveria malteze ishte nën akuzë për pastrim parash, korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit. Tetë muaj më vonë, gazetarja kryesore hulumtuese malteze u vra.

Disa ditë më parë, Edi Rama lajmëroi në Twitter se të gjithë portalet online të lajmeve duhet të “legalizohen” duke u regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, – nismë kjo pjesë e një pakete “anti-shpifje” që targeton median online.

Kjo nuk është asgjë më shumë se sa shpallje lufte kundër lirisë së shprehjes dhe një lëvizje agresive për t’i hequr të drejtën e shprehjes atyre që nuk sponsorizohen nga qeveria. Natyrisht, kjo lëvizje që tregon urrejtjen ndaj medias, nuk është diçka e re nga Zoti Rama, i cili vazhdimisht ka bërë lëvizje të ndryshme për të legalizuar censurën e medias. Por nuk është vetëm autoritarizmi i hapur ajo që më shqetësoi më shumë në këtë njoftim, por është fakti se ky njoftim është ligjërisht, logjikisht dhe në çdo aspekt tjetër, i  mangët.

Njoftimi i AKEP shkruante se: “në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi AKEP informon të gjitha subjektet e regjistruara si portale online se duhet të publikojnë brenda 72 orësh niptin përkatës në seksionin Kontakt të faqes  së tyre online. AKEP i’u bën thirrje gjithashtu, të gjithë personave që kane lidhje me [44] portalet e mëposhtme, që të pajisen me NIPT në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe brenda 72 orësh të deklarojnë NIPTI-in përkatës në seksionin Kontakt të faqes së tyre online.”

Në njoftim, AKEP nuk përmend asnjë numër ligji ‘në fuqi’ që e konsideron regjistrimin të nevojshëm (për sqarim:nuk ka asnjë ligj të tillë) dhe përfshinte portale që janë pjesë e organizatave jofitimprurëse, joqeveritare, faqe që nuk operojnë brenda Shqipërisë apo faqe që janë tashmë të regjistruara. Në nxitim për të shtypur një nga të drejtat më themelore të njerëzve, AKEP duket se ka harruar të kontrollojë faktet për secilin nga portalet dhe të lexojë rregullat e ligjet.

BIRN Albania u përfshi në listë, edhe pse është një organizatë jofitimprurëse e regjistuar  në Gjykatën e Tiranës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe që respekton në tërësi ligjet fiskale të vendit. Po ashtu, Opinion.al është një portal që është i regjistruar në QKB dhe ka numrin e vet të NIPT-it, por sërish u përfshi në listë nga AKEP.

Edhe më e turpshme për AKEP është përfshirja në listë e një portali të regjistruar në Kosovë, Insajderi.com, i cili nuk bie nën juridiksionin e qeverisë dhe institucioneve shqiptare.

Redaktori i Insajderi.com, Parim Olluri shkroi në Facebook:

“Ne jemi biznes që operojmë dhe paguajmë taksa në Kosovë. Nuk kemi nevojë që të njejtën ta bëjmë edhe në Shqipëri.
Kjo është normale. The Guardian, New York Times, BBC, New Yorker etj nuk regjistrohen si biznese në çdo vend të botës, në të cilat lexohen.”

Sigurisht që ai ka krejtësisht të drejtë. Merrni për shembull faqen time online, e cila është regjistruar në Maltë dhe nuk ka absolutisht asnjë ligj që mund të më detyrojë mua që të regjistrohem në ndonjë vend tjetër. Çdo tentativë e kryeministrit Rama për ta mbyllur këtë faqe do të ishte në shkelje të ligjit, sepse nuk është në juridiksionin e tij. Natyrisht Rama mund të përpiqet të bllokojë qasjen në të, por unë (ose ndonjë përdorues tjetër i besueshëm në internet) gjithmonë do të jemi një hap përpara.

Ideja për të detyruar drejtuesit e blogjeve dhe portaleve të vogla të regjistrohen në çdo mënyrë është krejtësisht qesharake. A do nisë qeveria të mbyllë dhe blogjet për mamatë e reja dhe revistat online për udhëtimet? Blogjet e ushqimit dhe ato të modës? Apo qeveria kufizohet vetëm në ato faqe interneti dhe individë që guxojnë të vënë në dyshim propagandën, ose ato që kritikojnë atë që na ushqen media kryesore çdo ditë? Besoj se janë këto të fundit.

Nëse Zoti Rama është kaq i vendosur për të zhdukur lajmet e rreme dhe gënjeshtrat, mund të vërë në pikëpyetje një gamë të gjerë të mediave jo të pavarura që nuk janë në listën e tij, dhe që janë plot me informacione të rreme.

Kjo situatë e tërë më sjell kujtime të këqija – ajo që pasoi përpjekjet e qeveris malteze për këtë lloj ligji, ishte vdekja e një gazetareje dhe fshirja pothuajse e plotë e të drejtave dhe lirive të njeriut brenda vendit. Pra, pyetja ime është, deri ku do të arrijë kjo çështje në Shqipëri?

Këshilla ime për këdo që ka një faqe interneti të regjistruar në Shqipëri është të transferojë regjistrimin  faqes menjëherë jashtë vendit. Këshilla ime për çdo individ që jeton brenda Shqipërisë dhe që dëshiron të shmangë çdo censurë shtetërore të shkaktuar nga AKEP duke urdhëruar kompanitë që ofrojnë internet të bllokojnë aksesin në faqe të caktuara, është që të merrni sa më shpejt një VPN – rrjet privat virtual.