Nga Megi Ndregjoni
Një dokumentar për rilindjen e simboleve të komunizmit

Kohën e bëjnë njerëzit.” Kjo është përgjigjja që Uran Kostreci u jep atyre që dje e burgosën dhe torturuan, por sot justifikohen me shprehjen se atë që bënë, e bënë se “ashtu ishte koha”.

Nuk ishte koha: ishin ca njerëz që zgjodhën të ishin spiunë, torturues dhe shkaktarë vuajtjesh të pafund për të tjerë, ndërkohë që njerëzit si Kostreci zgjodhën të refuzojnë komunizmin dhe krimet e tij.

Por, sot të burgosurit politikë, martirët e fjalës së lirë, e aspiratës për demokraci, e qendresës ndaj krimeve njerëzore, po ndeshen jo vetëm me justifikimin e krimeve komuniste por me rilindjen e simboleve dhe figurave të diktaturës komuniste.

Për të dënuar këtë rilindje antinjerëzore Fondacioni Albanian Cultural Society prodhoi me kontributin e gazetares Desada Metaj dokumentarin Kohën e bëjnë njerëzit, i cili u shfaq për herë të parë të shtunën e kaluar, në mjediset e Muzeut Kombëtar.

Dokumentari rreket të denoncojë fatin se për 27 vite që nga rrëzimi i regjimit enverist në Shqipëri është bërë shumë pak për denoncimin e krimeve të regjimit, dekomunistifikimin dhe përkujtimin e nderimin e jetëve të humbura, sakrificave njerëzore dhe qëndresës shpirtërore të martirëve të komunizmit.

Dokumentari vendos përballë rikthimin e simboleve të komunizmit në Shqipëri me vuajtjet dhe persekutimet 50 vjeçare nën komunizmë, përmes disa dëshmive përfaqësuese të disa familjeve të cilat vuajtën vrasjet, burgosjen, internimin dhe persekutimin vetëm sepse kërkuan apo besuan tek liria dhe vlerat perëndimore.

Duke sjellë shembullimin e ndalimit dhe dënimit me ligj të përdorimit të simboleve të komunizmit dhe promovimit të figurave komuniste në të gjitha vendet ish-komuniste të Europës Lindore, dokumentari vjen si një akuzë ndaj klasës politike që nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim në Shqipëri.

Fatkeqësisht, sot mungon edhe tregimi i historisë së krimeve të komunizmit. Në shkolla flitet shumë pak për atë regjim dhe te rinjtë që nuk e kanë jetuar nën komunizëm janë tërësisht të paditur për këtë periudhë të rëndë të historisë së vendit.

Teksa të perndjekurit politikë vazhdojnë të mos rehabilitohen, krimet e komunizmit janë ende një temë e prekur perciptas, duket se simbolet vazhdojnë të ngrihen lart si një hije e errët që na vjen nga ajo kohë.

Jetë femijësh, nënash, burrash të cilat ndërprerë në mënyrë kriminale, duket se nuk kanë asnjë vlerë e asnjë domethënie për ata që ngrejnë aq lehtësisht simbolet e regjimit që i vrau. Disa, madje, e mbrojnë si liri të shprehjes. Por, sikurse thotë me dhimbje një vajzë e lindur në një familje të persekutuar “nuk mund të ketë liri shprehje duke ofenduar jetët e humbura të njerëzve të pafajshëm”.