Një pjestar i “Agimit të Artë” vritet në përplasje me policinë shqiptare në Gjirokastër

Sot në fshatin Bularat të Gjirokastrës u vra në përplasje me policinë shtetasi grek, Kostandinos Kacifa, 35 vjeç. Sipas raportimeve në media, Kostandin Kacifa ishte anëtarë i grupit eksptremis të djathtë në Greqi “Agimi i Artë”. Në këto momente në Greqi, anëtarë të këtij grupimi  po protestojnë përpara Ambasadës Shqiptare kundër vrasjes së shtetasit grek.

Ai ndodhej në  Bularat për të festuar Festën Kombëtar të Greqisë, ku kryhen homazhe në varrezat e ushtarëve grekë të rënë në territorin shqiptar gjatë luftës italo-greke.

Si ndodhi ngjarja

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, sot në orën 10:00 të paradites, Kostandin Kacifa qëlloi me armë në ajër dhe më pas në drejtim të makinës së Policisë në fshatin Bularat të Gjirokastrës.

Ndërkohë policia kërkoi ndihmën e forcave speciale RENEA, të cilët e ndoqën personin derisa e rrethuan. Shtetasi grek nuk e zbatoi thirrjen e Forcave RENEA për të ulur armën dhe për tu dorëzuar, por qëlloi në drejtim të tyre duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë shqiptare. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, shtetasi grek mbeti i vdekur.

Reagimet e institucioneve shqiptare dhe greke

Në fillim reagoi Ministrja greke e Kulturës Mirsini Zorba, e cila ishte e pranishme në Bularat gjatë ceremonisë së nderimit të ushtarëve grekë të rënë në luftën greke-italiane. Ajo u shpreh se:

“Sot, në varrezën e dëshmorëve në Bularat nderuam dhe ushtarët tanë grekë. [..] Kudo flamuj grekë, përfaqësues të qeverisë greke e shqiptare, ambasadore e Greqisë, deputetë, kryebashkiakë, nxënës, banorë të thjeshtë. [..]. U larguam në orën 15.00 qetë qetë, pa asnjë problem.

Gjatë rrugës u informuam se një homogjenë kishte kërcënuar paradite me kallashnikov duke konsideruar marrëveshjen mes dy qeverive për varrezat e dëshmorëve dhe nderimin e kujtimit të tyre një tradhëti! Asnjë flamur grek nuk ulën, të gjitha valvitën lart”.

Më pas, Ministria greke e Punëve të Jashtme në një deklaratë për shtyp e quajti të papranueshëm faktin se një operacion i tillë arriti deri në humbjen e jetës së një personi dhe kërkuan nga institucionet shqiptare sqarimin e e plotë të ngjarjes.

“Autoritetet greke, në kontakt me homologet shqiptare, kanë ndjekur nga afër nga momenti i parë zhvillimin e episodit ne fshatin Bularat, Shqipëri, ku shtetasi grek duket te këtë hapur zjarr me kallashnikof kundër automjet të policisë shqiptare, te cilët kërkonin arrestimin e tij.

Në çdo rast, është i papranueshëm fakti që një operacion arriti deri aty sa të humbasim jetë njeriu.

Presim nga autoritetet shqiptare sqarimin e plotë te kushteve në të cilat humbi jetën shtetasi grek në fjalë dhe do kryejmë menjëherë veprimet e duhura”, — shkruhet në njoftimin për media të Ministrisë greke së Punëve të Jashtme.

Ndërsa, Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme në një njoftim për shtyp i bëri thirrje qeverisë greke mos e politizoi ngjarjen dhe të dënoi rëndë sulmin me armë ndaj forcave shqiptare të policisë.

Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa, janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare. Policia e shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme ne zonë dhe një rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”, — shkruhet në njoftimin e Ministrisë.

Gjithashtu, edhe Kryeministri Rama, përmes një mesazhi në Twitter i bëri thirrje qeverisë greke të dënoj sulmin ndaj policisë shqiptare. Kryeministri Rama shkroi se:

“Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falenderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste.”