Nga Marash Logu
Presidenti mund dhe duhet ta kthejë për rishqyrtim ligjin për Teatrin

Ligji i miratuar nga mazhoranca parlamentare për prishjen e Teatrit Kombëtar u kthye për rishqyrtim nga Presidenti Meta me anë të dekretit të 27 Korrikut. Dekreti i Presidentit, një dokument i mirëargumentuar, renditi të gjitha arsyet pse ky ligj dhunonte Kushtetutën, shkelte detyrimet që vijnë nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe binte ndesh me kuadrin ligjor shqiptar.

Kryebashkiaku i Tiranës nxitoi ta quante Presidentin noter partiak dhe ta akuzonte se ishte bërë palë me partitë opozitare, pa u marrë aspak me argumentet ligjore të dekretit. Të njëjtin qëndrim përsëriti edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Të dy shprehën padurimin për të rrëzuar dekretin e Presidentit.

Po ndërkohë që në Tiranë zhvillohej ky debat, në Bruksel ishte vënë në lëvizje një tjetër mekanizëm. Komisioni Europian kishte marrë disa letra nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe deputetët e Partisë Demokratike që e informonin se ligji për Teatrin shkelte parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Me anë të një letre të kujdesshme, Komisioni Europian u përgjigj se mungesa e garës dhe përcaktimi me ligj i një kompanie private nuk respektonte standardet e BE-së, përkatësisht konkurrencën e lirë dhe mosdiskriminimin.

Ky qëndrim i Komisionit Europian e detyroi mazhorancën të tërhiqej nga qëndrimi i mëparshëm për rrëzimin e menjëhershëm të dekretit presidencial. Përkundrazi, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese në mbledhjen e 18 Shtatorit, vendosi miratimin e dekretit të Presidentit që nënkuptonte rrëzimin automatikisht edhe të ligjit. Por, me anë të një procedurë ekstra-kushtetuese, deputetët socialistë e miratuan dekretin dhe disa ndryshime në ligj. Pavarësisht kundërshtimit të opozitës dhe profesionistëve të së drejtës, mazhoranca miratoi në seancë plenare dekretin dhe ligjin me ndryshimet e propozuara në Komisionin parlamentar.

Kjo praktikë e ndjekur nga mazhoranca, i hapte rrugën një debati të pahasur më parë, nëse Presidenti kishte të drejtë apo jo ta kthente ligjin për rishqyrtim në Kuvend. Neni 85 i Kushtetutës parashikon se

«1.Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm njëherë.

2. Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.»

Pikërisht kjo dispozitë e Kushtetutës mund të lërë vend për intepretime, duke qenë se parashikohet e drejta e Presidentit për kthimin e ligjit për rishqyrtim vetëm njëherë dhe rrëzimi i dekretit. Por, nuk parashikohet se çfarë ndodh në rastet kur dekreti i Presidentit miratohet e aq më pak kur ligji pëson ndryshime. Pavarësisht kësaj, e vërteta është se neni 85, pika 1 e tij, bën fjalë për rastet kur kemi të bëjmë ekzaktësisht me të njëjtin ligj dhe Presidenti nuk mund ta ushtrojë më shumë se njëherë të drejtën e tij. Por, a jemi në rastin konkret para të njëjtit ligj?

Pavarësisht se bëhet fjalë për të njëjtën nismë ligjore, akti që do të shqyrtojë Presidenti Meta ka të bëjë me një ligj të ri. Kjo sepse teksti i ligjit në fjalë ka pësuar një sërë ndryshimesh nga ana përmbajtësore, të cilat i japin atij karakteristikat e një ligji të ri. Dhe për përmbajtjen e këtij ligj të ri, Presidenti nuk është shprehur akoma. Prandaj nëse kjo mundësi kërkohet t’i hiqet, atëherë jemi para rastit kur kreu i shtetit pengohet në ushtrimin e kompetencës së tij kushtetuese.

Nga ana tjetër, pika 2 e nenit 85 të Kushtetutës na bën të kuptojmë se ashtu sikur vota kundër e shumicës së gjithë anëtarëve të Kuvendit – sjell rrëzimin e dekretit, ashtu edhe miratimi i dekretit me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit – sjell rrëzimin e ligjit. Për rrjedhojë, ligji i dërguar Presidentit është një ligj i ri, për të cilin ai duhet të shprehet në njërën nga tre mënyrat që parashikon Kushtetuta, me shpallje, në heshtje ose duke e kthyer në Kuvend. Një qëndrim i ndryshëm nga ky do të përbënte shkelje të Kushtetutës.

Nëse Presidenti mund ta kthejë ligjin, me të drejtë mund të ngrihet pyetja a duhet?!

Në fakt, përgjigja e kësaj pyetjeje është e thjeshtë. Për këtë kreut të shtetit i mjafton të verifikojë nëse argumentet e parashtruara nga ai, janë marrë parasysh në ligjin e ri. Dhe nga një vëzhgim i thjeshtë, rezulton se përveçse përpjekjes për të krijuar garë, asnjë nga argumentet e tjera të Presidentit nuk është reflektuar. Konkretisht, parashikimet e Kushtetutës, marrëveshjeve ndërkombëtare, kuadrit ligjor shqiptar, si edhe një sërë standardesh e praktikash pozitive të konsoliduara tashmë në vendin tonë.

Është e vendit të themi që edhe amendimet e ligjit pavarësisht shtrirjes në të gjithë përmbajtjen e tij, nuk janë tjetër, veçse ndryshime kozmetike që nuk e garantojnë konkurrencën e lirë. Kjo mund të shihet për shembull në nenin 6, ku flitet për marrëveshjet e lidhura me pronarët privatë. Dihet se marrëveshje të tilla, siç u bë e ditur nga kryeministri në një studio televizive, ka lidhur vetëm kompania Fusha sh.p.k., që përmendej shprehimisht në ligjin e mëparshëm.

Pra, edhe ligji i ri reflekton në një masë të madhe problematikat që paraqiste ligji i vjetër, ndaj edhe Presidenti Meta nuk mund të mos jetë dakord me veten e tij dhe ta kthejë ligjin për rishqyrtim në Kuvend. Ky rol dhe përgjegjësi e Presidentit merr një rëndësi tejet të veçantë në kushtet kur zgjidhja për Gjykatën Kushtetuese duket e largët në horizont. Është detyrë e Presidentit pra, si garant i Kushtetutës, ta kthejë ligjin e Teatrit në Kuvend.