Nga Ilmi Rehova
Propaganda e Ramës — Si e ktheu denoncuesin në kriminel dhe kriminelin në keqbërës të vogël

Rexhep Rrahja, përdhunuesi dhe dhunuesi i Xhisiela Malokut, u arrestua të dielën pasdite, dy muaj pasi ishte denoncuar për ushtrim marrëdhëniesh seksuale me dhunë, përdhunim, dhunim, torturë, kërcënim me armë pa leje, rrëmbim dhe përndjekje.

Arrestimi erdhi si shkak i trysnisë publike, pasi ish oficeri Emiljano Nuhu akuzoi deputetët Rahman Rraja e Taulant Balla dhe funksionarë të tjerë të lartë për mbrojtjen e dhunuesit dhe kërcënimin e viktimës dhe Nuhut për të mos hetuar e bërë publik krimin.

Por arrestimi i Rrajës u bë vetëm me akuzën e përndjekjes, e cila parashikon dënim nga gjashtë muaj deri në tre vjet burg. Ndërkohë, akuzat për të cilat ai ishte denocuar parashikojnë dënime më të ashpra: marrëdhënie seksuale me dhunë dënohet me pesë deri në dhjetë vjet burgim, dhuna dhe tortura dënohet me katër deri në dhjetë vjet burg, kurse armëmbajtja pa leje dënohet nga gjobë deri në dy vjet burg. Pra, nëse do të akuzohej për të gjitha akuzat rrezikonte dënimin nga nëntë deri në 25 vite burg.

Ndërkohë, nuk është ndërmarrë asnjë masë ndaj deputetëve Rraja dhe Balla dhe funksionarëve të tjerë shtetërorë të akuzuar nga Nuhu.

Për të arritur deri në këtë pikë—arrestimin për një vepër të lehtë të autorit dhe përjashtimin e politikanëve nga çdo akuzë—Edi Rama ndërmori një fushatë agresive komunikimi për menaxhimin e krizës, duke hedhur hapa të mirëmenduar dhe mirëllogaritur.

Në menaxhimin e opinionin publik në rastet e akuzave për krime, starategjia elementare që zbatohet është standarde, një variacion i elementëve: Moho, Akuzo, Zvogëlo. Në një rast të veçantë, sidomos në rastin e krimeve seksuale, përdoret formula: Moho, Akuzo, Ndërro vendin e Viktimës me Kriminelin.

Pikërisht një strategji të tillë ndoqi edhe Edi Rama dhe shumica socialiste për të menaxhuar krizën, menjëherë posa u bënë publike akuzat:

— mohuan kategorikisht çdo përfshirje në çdo veprim të çdo funksionari politik nga Balla tek drejtuesit e policisë;

— sulmuan ashpër denoncuesin, e akuzuan si njeri në shërbim të opozitës, si polic që sabotoi hetimet, si vëllai i një anëtari bande kriminale;

— ulën dhe minimizuan rëndësinë e krimit duke tentuar të shpjegojnë çdo gjë si ndodhi në një marrëdhënie dashurore, dhe se kishte patur thjesht zënka të dashurish, se komunikimet e kriminelit me policin Nuhu kishin qenë miqësore, etj;

— kthyen të akuzuarit në viktima dhe denoncuesin në kriminel, duke propaganduar akuzën se denoncimimi i deputetëve nga Nuhu ishte bërë për të sajuar një persekutim të paqenë, për ta përdorur pastaj për të kërkuar strehim politik jashtë vendit.

— lanë duart me krimin, duke propaganduar se jo vetëm asnjë politikan socialist nuk ka ndërhyrë, por policia ka bërë çdo gjë sipas ligjit pa privilegjuar askënd;

— në fund, arrestuan Rrajën me një akuzë fare të lehtë, e cila nuk e mban në burg më shumë se pak javë, për ta mbyllur pastaj çdo gjë pa asnjë pasojë për askënd.

Si ilustrim i kësaj strategjie, më poshtë kemi përmbledhur rrjedhën e komunikimeve publike të socialistëve që pasuan transmetimin në Shijak TV të intervistës së gazetarit Basir Çollaku me policin Emiljano Nuhu me 26 shtator, rreth orës 13:00.

 Mohimi

26 Shtator, rreth orës 15:30 — Pa pritur transmetimin e pjesës së dytë të intervistës, Taulant Balla del në konferencë shtypi nga salla e Kuvendit ku “paralajëmëron” se së shpejti Lulzim Basha do të publikojë një video ku është përfshirë emri tij, duke akuzuar se kjo është një inskenim i Lulzim Bashës. Balla pohon se ai nuk ka qenë kurrë në komisariatin e Krujës (akuza ishte që kishte qenë në komisariatin e Fushë Krujës) dhe se në ditën dhe orën që akuzohet ai ka qënë në aktivitetet publike që mund të verifikohen lehtësisht.

26 shtator, rreth orës 19:30 — Policia e shtetit mohon që Emiljano Nuhu të jetë kërcënuar, në datën 21 korrik 2018 në zyrën e tij duke pohuar se “në këtë datë oficer i gatshëm në Komisariatin e Krujës dhe që ka kryer veprimet ka qenë një punonjës tjetër policie, me iniciale G.Ç.” Policia gjithashtu shprehet se “nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se asnjë nga shtetasit [Taulant Balla, Rrahman Rraja, Artur Bushi dhe Xhelal Rraja] e pretenduar në deklarimet mediatike të oficerit Nuhu, se e kanë kërcënuar, nuk kanë hyrë në ambientet e Komisariatit të Krujës siç pretendohet prej tij.”

26 shtator, 20:30 — Report TV publikon një intervistë të kryredaktorit Muhamet Veliu me Xhisiela Malokun, e cila i mohoi të gjitha pretendimet e oficerit Nuhu. Ajo u shrpeh se nuk ka qenë e dhunuar, por ajo që ka ndodhur ka qënë zënkë mes të dashurish dhe çdo gjë mes tyre tashmë është zgjidhur në mënyrë miqësore. Ajo pohoi se deputetët Taulant Balla e Rrahman Rraja dhe Kryebashkiaku Artur Bushi nuk i ka parë në komisariat. Vajza pohoi se babai i djalit, deputeti Rraja ka qenë jashtë ambjenteve të Komisariatit dhe ka qenë në mbrojtje të vajzës. (Të nesërmen, Maloku në një intervistë për Panoramën thotë të kundërtën e asaj që tha për Veliun duke pohuar se ka qenë e dhunuar, dhe e kërcënuar për jetën. Ndërkohë, në ditët në vazhdim pulikohen kallzimet e saj në polici dhe ekspertiza mjeko-ligjore që konfimojnë dhunën ndaj saj).

26 shtator, rreth orës 21:30 — Në një ndërhyrje në programin Opinion, Taulant Balla mohoi akuzat e Emiljano Nuhut, dhe në një ndryshim nga deklarimi i disa orëve më parë për aktivitete publike shprehet se ditën që akuzohet, ka qenë për peshkim në Pogradec (ky pohim doli i rremë pas një hetimi të kryer nga Lapsi.al.)

Sulmi

27 shtator — Report Tv publikon një seri artikujsh ku pretendon se vëllai i Nuhut është anëtar i bandës së Laert Haxhiut, person i kërkuar nga nga policia për një atentat me armë ndaj nipit të Aldo Bares në Lushnjë. Report TV dhe Shqiptarja.com propagandojnë gjithashtu idenë se Nuhu është larguar nga detyra pa pasur asnjë kërcënim dhe se ai nuk është takuar kurrë me Xhisielën (të dyja këto pretendime rrëzohen nga dokumentat e bëra publike me vonë të letrave që Nuhu u ka dërguar autoriteteve më të larta të policisë dhe procesverbalet që ai ka mbajtur në lidhje me kallëzimet e Malokut)

28 shtator — Drejtoresha e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Minsitrisë së Brendëshme Anila Trimi bën një deklaratë zyrtare ku deklaron se një grup hetimor i shërbimit ka hetuar dosjen hetimore të Malokut dhe një sërë dokumentash dhe provash të tjera dhe ka arritur në përfundimin se Emiljano Nuhun ka kryer një shkelje ligjore dhe administrative përfshi nxjerrje të sekretit hetimor, braktisje të detyrës, kalim i paligjshëm i kufirit. (Ky deklarim i Trimit e bën atë përgjegjëse penalisht pasi askush nuk mund të ketë akses në dosje hetimore dhe nëse ajo ka patur kjo ka ndodhur në shkelje të ligjit.)

28 shtator — Zëvendës Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj njoftoi se kishte nisur një hetim administrativ ndaj dy policëve Nuhu dhe Çitozi, dhe ishte zbuluar se të dy policët kishin kryer shkelje të procedurës së hetimit.

Kthimi i akuzuesit në kriminel dhe i të akuzuarit në viktimë

29 shtator — Edi Rama reagon për herë të parë mbi ngjarjen në rrjetet shoqërore ku akuzon denoncuesit se po përdhunojnë së dyti vajzën: “Dhuna ndaj vajzës është e pafalshme! Po aq i pafalshëm është abuzimi politik me vajzën. Policia ka bërë detyrën pa i bërë asnjë favor djalit të deputetit. Ata që hungërrijnë si derra në llucën e gërrgërreve politike e mediatike po ridhunojnë vajzën.”

29 shtator — Edi Rama komenton sërish, pas pyetjeve të gazetarëve në një aktivitet, dhe kërcënon hapur Emiljano Nuhun: “Një horr i kthyer një hero, ka braktisur detyrën dhe ka përdorur rastin për të fituar azil. Nuk do t’i ndahemi atij horri” Ai ka vazhduar: “Jetojmë në një kohë dhe në një mjedis ku kjo kohë e mbrapshtë e gënjeshtrës dhe e shpifjes e kthyer në terror informativ për qytetarin mishërohet tek PD, si zëdhënëse kryesore e saj.”

30 shtator — Edi Rama shkruan në rrjetet shoqërore: “Ndryshe nga ata që dje u bënë mburojë e të kërkuarve nga drejtësia duke i hapur luftë prokurorisë dhe sot po ridhunojnë vajzën për politikë, ne mbështesim drejtësinë e barabartë për të gjithë gjithmonë.”

Në këtë mënyrë u përgatit arrestimi i Rexhep Rrajës për një akuzë minimale dhe u shpallën të gjithë të tjerët të papërfshirë në këtë ngjarje, përfshi deputetët Balla dhe Rrahja. Ndërkohë denoncuesi Nuhu është duke u hetuar nga një sërë shërbimesh, përfshi prokurorinë dhe Ministrinë e Brendshme.