Protesta për Teatrin, policia shoqëron regjisorët Budina e Çipi

Regjisorët Robert Budina dhe Kastriot Çipi u shoqëruan sot në polici, teksa protestonin para Pallatit të Kongreseve, gjatë vizitës së Eurokomisionerit Johannes Hahn.

Teksa Eurokomisioneri Hahn ka qenë në takim me drejtues të lartë të shtetit dhe me përfaqësues të insititucioneve të reformës në drejtësi, Budina e Çipi bashkë me aktivistë të tjerë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, protestuan duke i kërkuar eurokomisionerit dhe BE-së të mos heshtin për ligjin antikushtetues të Teatrit Kombëtar, por ta përfshijnë çështjen e Teatrit Kombëtar në agjendën e bisedimeve me qeverinë shqiptare.

Budina dhe Çipi janë ndër themeluesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe që prej shkurtit kanë protestuar prishjen e godinës së teatrit dhe dhënien e pronës kompanisë private Fusha shpk për të ndërtuar gjashtë kulla.