Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Dokumentet e BE-se zbulojnë pretekstin e qeverisë: Nuk kemi para për Teatrin Kombëtar Projekti për Teatrin e ri Kombëtar dhe kullat rreth tij

Dokumentet e siguruara nga Komisioni Europian, përmes një kërkesë për infomacion bërë nga Exit.al, tregojnë arsyen se përse qeveria shqiptare këmbënguli në hartimin e një “Ligji Special” për “rindërtimin” e Teatrit Kombëtar: Qeveria nuk ka para.

Në mars të vitit 2018, kryeministri Edi Rama njoftoi papritmas se firma ndërkombëtare arkitekturore Bjarke Ingels do të bënte projektin për Teatrin e ri Kombëtar në Tiranë dhe se do të krijohej një partneritet i ri publik-privat për të zhvilluar pronën e Teatrit, si dhe zonën rreth saj, pjesa më e madhe e së cilës është pronë publike. Mjeti për të zbatuar këtë projekt ishte një “ligj special”.

Megjithëse gjatë asaj deklaratë, Kryeministri refuzoi t’i vërë një emër partnerit “privat” që do të zhvillonte projektin, ku përfshihej dhe ndërtimi i gjashtë kullave, shumë shpejt u bë shumë e qartë se do të ishte Fusha shpk, një nga kompanitë më të afërta me qeverinë dhe përfituesja e shumë tenderëve korruptivë.

Lindi një përplasje me shoqërinë civile dhe artistët rreth kulturës dhe historisë së Teatrit Kombëtar që do të shembet, dhe se përse nevojitet një “Ligj Special” për favorizimin e një kompanie të vetme. Jo vetëm që “Ligji Special” shkelte parimin e barazisë para ligjit, por shkelte dhe autonominë e qeverisjes vendore të rregulluar në Kushtetutë. Si rezultat, Presidenti Ilir Meta nuk e dekretoi ligjin, ndërsa Komisioni Evropian kërkoi shpjegime lidhur me shkeljen e mundshme të parimit të konkurrueshmërisë dhe barazisë, duke shkelur kështu dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Argumenti i qeverisë shqiptare ndaj Komisionit Evropian është se në rastin e teatrit nuk kemi të bëjmë me një situatë prokurimi publik, sepse qeveria nuk ka para për të shpenzuar:

“Vlen të theksohet se ky nuk është aspak rasti klasik ku pala publike ka një fond publik […] dhe ia ofron atë një kompanie private pa kryer një garë.”

“Ne theksojmë se pala publike nuk ka fonde publike për të ofruar për ndërtimin e një Teatri.”

Kjo deklaratë e qeverisë vlen të theksohet para së gjithash sepse pranon se nuk ka para për teatrin kombëtar, ose rinovimin e saj apo rindërtimin e saj. Ky është një fakt që asnjëherë nuk është pranuar publikisht nga Kryeministri Rama, Ministrja e Kulturës Kumbaro apo ndonjë funksionar tjetër i qeverisë.

Ambasadorja shqiptare në BE Suela Janina pastaj thekson:

“Procesi dhe projekti konkret është iniciuar dhe i është ofruar palës publike [qeverisë shqiptare] nga një subjekt privat [Fusha shpk], pronar i një prone ngjitur që ofron për të ndërtuar një teatër të ri pa prekur asnjë centimetër katrorë të teatrit aktual, në këmbim të një sipërfaqeje toke ngjitur me Teatrin, pronë e Bashkisë Tiranë, si dhe të drejtën për të zhvilluar këtë sipërfaqe së bashku me pronën e tyre. […]”

Përveç pavërtetësisë së kësaj deklarate – disa rendera të projektit tregojnë se sipërfaqja e p Teatrit të ri do të reduktohet ndjeshëm – kjo tregon një argument të ri dhe shqetësues: Meqënëse shteti nuk ka para, lejohet të japë pronën publike pa ndjekur rregullat e prokurimit publik.

Më tej, Zonja Janina pretendon se asnjë nga këto procedura nuk janë të nevojshme:

“Rasti konkret nuk ka nisur nga nevoja e deklaruar nga pala publike [qeveria], por nga propozimi i një projekti nga një kompani që është pronar / përfaqësues i 93 për qind të pronës që është ngjitur me pronën shtetërore.”

Me pak fjalë, për sa kohë që shteti pretendon se është i pafuqishëm, mund të japë çdo pronë publike që dëshiron për këdo që “bën një ofertë”, për sa kohë që nuk shkëmbehen “para” fizikisht mes shtetit dhe privatit. Kjo është pikërisht e anasjellta e nacionalizmit – qeveria Rama po shkon gjithnjë e më shumë drejt privatizimit masiv pa asnjë lloj përgjegjësie, duke shkelur të gjitha standardet kushtetuese përgjatë rrugës. Mbi të gjitha, kur Gjykata Kushtetuese është e vdekur.

Kjo gjithashtu tregon se ligji i ri i rishikuar, i cili tani po shqyrtohet me Presidentin Meta, nuk lejon asnjë “konkurrim” të vërtetë, sepse i vetmi konkurrent i mundshëm në këtë “projekt” do të ishte një kompani që jo vetëm që zotëron “tokë të afërt”, po propozon “t’i dhurojë” qeverisë një teatër edhe më të madh se Fusha! E gjithë kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë dhe ndryshimet në Ligjin Special janë thjesht tualet i aplikuar vetëm për të kënaqur Komisionin Evropian. Presidenti Meta do të bënte mirë ta refuzonte përsëri ligjin.