Rama miraton lejen për ndërtimin e rezortit turistik në Himarë

Kryeministri Rama ka miratuar lejen për ndërtimin e një resorti turistik në Himarë, nga firma ‘Gjikuria’ dhe ‘Coast to Coast shpk’.

Të dyja kompanitë janë në bashkëpronësi të Florenc Gjikurisë, Xheni Gjikurisë dhe Milo Gjikurisë.

Leja për ndërtimin e rezortit u miratua nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 4 tetor, por ende nuk është bërë publik projekti i plotë. As në faqen zyrtare të kompanisë nuk gjendet asnjë informacion mbi këtë projekt.

Kompania Gjikuria njihet si një prej kompanive që ka përfituar tenderë të shumtë nga qeveria Rama kryesisht për ndërtimin e rrjeteve të shpërndarjes së energjisë elektrike në Sarandë e Paskuqan, rindërtimin e Bashkisë Tiranë, të stadiumit Petro Ruçi në Orikum, ndërtimin e unazës së Himarës,  etj.

Po ashtu kompania Gjikuria ka bërë një propozim të pakërkuar dhe ka marrë 6 pikë bonus nga qeveria Rama për  koncesionin e Portit të jahteve në Orikum-Dukat, dhe me shumë gjasa do të jetë fituesja e koncesionit.