Rama si përdhunues i kujtimit të gjyshe Hënës

Nga Andi Bushati
Rama si përdhunues i kujtimit të gjyshe Hënës

Me siguri gjithkush e mban mend fabulën e asaj gjyshes 80 vjeçare nga Berati me emrin tërheqës, Hëna. Asaj që u bë, për fatin e vet të mirë, aktore e një show propagandistik, që Rilindja organizoi menjëherë pas fitores së zgjedhjeve. Atë grua në moshë e kishin sorrollatur për 5 vite me radhë në zyrat e Aluiznit, duke mos i dhënë legalizimin e shtëpisë. Ngjarja fitoi bujë sepse ajo u “ngrit me vullnetin e saj” në një takim me Ramën. Skena qe e përgatitur me aq kujdes sa aty ndodhej edhe drejtori lokal, të cilin kryeministri me arrogancë dhe shpërfillje e çoi në këmbë më fjalët “hajde, hajde pak këtu dhe jep llogari”.

Për vazhdimin e fabulës u kujdes makineria gëbelsiane e informimit.

Halli i Hëna Cakës u zgjidh të nesërmen. Ndërsa po të njëjtën ditë, publiku u njoftua se e gjithë zyra e Aluiznit në qytetin e gurtë ishte shkrirë, se 15 punonjësit bashkë me drejtorin ishin pushuar në vend nga puna, për faktin e thjeshtë se ata kishin zvarritur për vite një dosje që mund ta zgjidhnin brenda 24 orëve.

Konkluzioni i përrallës ishte i qartë: njerëzit torturohen nga drejtuesit e vegjël lokalë, të korruptuar ose të paaftë, ndërkohë që udhëheqësi i madh gjendej aty për t’i vënë në vend këto padrejtësi. (video poshtë)

JA PSE DUHET SHKARKUAR DREJTORIDje në dëgjesën e Beratit, kjo zonjë 80 vjeçare, siç mund ta shikoni e dëgjoni edhe vetë, ngriti problemin torturues të mosmarrjes së legalizimit prej 5 vjetësh, pasi kishte paguar edhe detyrimet në vitin 2012. Drejtori i Aluiznit Berat, ishte i pranishëm në dëgjesë siç mund ta shikoni e dëgjoni po ashtu dhe tha ato që tha. Sot, qysh në mëngjes njoftoi se legalizimi i shtëpisë së zonjës u krye. Tani lind pyetja: Po sikur dje zonja të mos e kishte pasur mundësinë ta ndante me mua hallin e saj, edhe sa vjet të tjera do të priste që drejtori të merrte masa ndaj torturuesve të saj dhe t'i dorëzonte lejen e legalizimit?! Nuk e di, po nuk është çudi që më parë të ikte nga kjo botë se sa të merrte lejen. Atëherë, ky drejtor që e zgjidhi problemin e saj brenda natës me kaq zell, duke dhënë provën se prej pesë vjetësh zonja ishte një viktimë e pafajshme e parazitëve (në rastin më të mirë) dhe grabitqarëve (në rastin më të keq), si mund të rrijë më në detyrë qoftë edhe një ditë pas kësaj prove turpëruese për shtetin?! Jo nuk mund të rrijë natyrisht, as ai dhe askush tjetër që ka lidhje me dosjen e hallit pesëvjeçar të zonjës! Drejtori mund të mos jetë personalisht pjesëtar i grupit që ka torturuar 5 vjet rresht të moshuarën, por fakti që në zyrën që ai drejton një grup i tillë ekziston e bën qamete të tilla, mjafton për të kuptuar se vetëm drejtor ai s'mund të jetë. Kjo është fare e qartë. Por pyetja tjetër që pason menjëherë është: Sa të tjerë, që nuk e kanë "fatin" e zonjës të më qajnë mua hallin në sy, jetojnë sot me halle të tilla të turpshme për zyrat e këtij shteti?! Kushedi sa janë, qindra, mijëra, dhjetëra mijëra… A zgjidhen dot këto halle, ja kështu, si u zgjidh halli i kësaj zonje dhe a ndalohen dot parazitët e grabitqarët që paguhen me taksat tona, të bëjnë përditë viktima të pafajshme në çdo komunitet të Shqipërisë?! PO, jam i bindur që PO! Zgjidhen dhe që ç'ke me atë punë nëse do ta ndërtojmë së bashku koalicionin e madh të qeverisë së re me njerëzit e zakonshëm, përmes Platformës së Bashkëqeverisjes, e cila do të jetë online sapo të miratohet qeveria e re. Sa më shumë anëtarë dhe anëtare të regjistrohen në Aleancën për Shqipërinë që Duam, aq më e madhe do të jetë rrjeta njerëzore që do të kapë e nxjerrë jashtë nga zyrat e shtetit, peshqit parazitë e grabitqarë që jetojnë me gjakun e taksapaguesve dhe me shërbimet e kthyera artificialisht në halle për njerëzit e zakonshëm. #PërShqipërinëqëDuam✌????me #Shtet?#Punë?#Mirëqenie?

Gepostet von Edi Rama am Dienstag, 18. Juli 2017

Kjo fabul m’u kujtua sot, një vit e ca më pas, kur pas arrestimeve të dy ish deputetëve të vendosur tani në zyrat e shtetit, kryeministri tha para grupit të vet parlamentar se disa drejtorë po na nxijnë fytyrën me korrupsion dhe keqmenaxhim.

Ajo përsëritet po njësoj.

Po të shohim kronologjinë e pushtetit të rilindasve, ajo përshkohet që prej fillimit po nga i njëjti justifikim.

Kur ishte ende në opozitë dhe bëri koalicionin e 1 prillit me Ilir Metën, shumë nga kritikët e tij e etiketuan Ramën si tradhëtarin që po kërkonte të vinte në pushtet me atë që e kishte quajtur hajduti me bllok në dorë. Ai atëherë u përgjigj se vesi nuk qëndronte tek njeriu, por tek sistemi.

Katër vite më vonë, në fushatën elektorale të 2017, ai e ndryshoi tezën duke pohuar se sistemi kishte dështuar si pasojë e njerëzve. Kështu u shpik fabula e tepsisë për të cilën luftonin, sa çamët po aq dhe LSI-stët, të cilët turbullonin ujin që nga burimi i qeverisë rridhte i pastër.

Me një gënjeshtër të re, kryeministri u kërkoi shqiptarëve t’i besonin ekskluzivisht timonin dhe pasi e arriti këtë, filloi edhe takimet me popullin ku shkëlqeu rasti i gjyshe Hënës.

Që prej asaj kohe, kur bashkë me të ai shpalli nismën e re që do rregullonte gjithçka: “platformën e qeverisjes online”, asgjë nuk ka ndryshuar.

Sistemi i Ramës, nuk ka dështuar as se ai importoi “hajdutë me bllok në dorë” nga qeverisja e Berishës, as se ai nuk e frenoi dot oreksin e tepsixhinjve në krah të tij dhe as se pse në ingranazhet e veta gëlojnë drejtues të vegjël faqezinj.

Ai prodhon gjithnjë të njëjtat rezultate, sepse ai është projektuar si një makineri në funksion të grabitjes së njëshit.

Askush nga “peshqit e vegjël” nuk ëndërron të bëjë nëpunësin e virtytshëm pasi ka parë atë që ndodh me koncesionet e Check- Up, inceneratorët apo me kullat e Fushës tek teatri. Nëqoftëse krapi qelbet nga koka, ai nuk mund ta ruajë bishtin të painfektuar. Kjo është drama që i ndodhi Fatos Nanos pas shpalli se qe rimartuar me një grua biznesmene. Kjo i ngjau edhe Sali Berishës, pasi u vërtetua se familjarët e tij u kapën me preshë në duar në Gërdec.

Kjo do të vazhdojë t’i ndodhë dhe Ramës. Për mënyrën si ka zgjedhur të qeverisë, ai nuk prodhon dot tjetër veçse drejtorë “që do t’i nxijnë faqen”.

Ai mundi ta shtyjë disa kohë duke treguar përralla me tepsi apo duke organizuar shfaqje me gjyshe të nëpërkëmbura. Por shumë shpejt po rezulton se ai luan rolin e përdhunuesit dhe jo të bamirësit në fabulat që sajon vetë. Sepse, për të përdorur një shprehje që ai e ka për zemër, Rama nuk mund të na tregojë gishtin, kur gishti tregon Hënën. Dhe Shqipëria e tij është e mbushur me raste rilindasish, si ai drejtori beratas që u ndëshkua për Hëna Cakën.


Ky artikull u publikua më parë tek Lapsi.al.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme