Reportazhi gjerman: Fëmijët e pasur të Shqipërisë

Gazeta gjermane Stern, botoi pak javë më parë, një artikull për fëmijët e pasur të Shqipërisë dhe jetesën e tyre. Më poshtë është një përmbledhje e artikullit përkthyer nga Megi Ndregjoni.

***

Makina me motorë të fuqishëm, çanta të mbushura me para dhe helikopterë në oborrin e shtëpisë: këto janë postimet e fëmijëve të pasur të Shqipërisë në Instagram.

Po a është i vërtetë apo i rremë ky realitet? Ne shkuam për ta parë.

Shpenzimi marramendëse i parave është bërë sporti i pëlqyer i të pasurve. Fëmijët e pasur të Tiranës luajnë në Ligën e Kampionëve në këtë “sport”. Por kush janë këta individë që ju duket argëtuese djegia e kartmonedhave 50 euroshe?

Pyesim atë që ka dijeni më shumë rreth kësaj teme: administratorin e faqes @richkidstirana në Instagram.

“Hej, duam të shkruajmë një histori për fëmijët e pasur në Shqipëri,” i dërgoj atij një mesazh. “A jeni ju një prej tyre?”

“Jo”, përgjigjet ai. “Kjo është arsyeja pse qëndroj anonim, por mund t’ju them gjithçka për mënyrën e tyre të jetesës.

Dy javë më vonë, kur udhëtojmë nga aeroporti në autostradën drejt Tiranës, vërejmë se askund në botë nuk është aq e lartë sa këtu shpeshtësia e makinave Mercedes.

Ora 8, mbasdite. Kam lënë takim me administratorin para hotelit ku qëndrojmë. Di vetëm emrin e tij të parë, por duhet të mbetet sekret. Është një takim disi misterioz.

“Pse e ke krijuar faqen?” e pyes ndërsa ecim nëpër rrugët e Bllokut, zonës ku gjatë komunizmit lejoheshin të jetonin vetëm anëtarët e udhëheqjes komuniste. “Për biznes, të pasurit më paguajnë për të postuar fotot e tyre, 50 euro një foto.”

Është një ide shumë e zgjuar biznesi. Dhe një shumë të ardhurash mjaft të mira—në punën e tij të përditshme, adminstratori fiton vetëm 350 euro në muaj.

Kjo është paga mesatare në Shqipëri. Edhe pse ekonomia rritet me rreth tre për qind çdo vit, ky vend në Ballkan është ende një nga më të varfërit në Europë.

Administratori i ndan të pasurit në dy kategori. “Showman” janë budallenjtë që preferojnë më shumë të blejnë një makinë të shtrenjtë se sa një banesë, vetëm për t’u mburrur me të. Dhe “Crazy Rich”. Super të pasurit, ata të cilët shpenzojnë para për makina Maybach dhe S-class, sepse i kanë paratë.

Njëri prej të pasurve të çmendur është Indrit Murati, 27 vjeç, me mjekër, plot tatuazhe, me pantallona të shkurtra me dizenjo me simbolin e dollarit gjthandej. Ai është pjesë e grupit të fëmijëve super të pasur, të cilët, thotë ai, ndajnë gjithçka, përveç grave. Ai menaxhon disa prej yjeve më të suksesshëm hip-hop të vendit dhe ka ndërtuar një nga portalet më të mëdha në internet në Shqipëri: “My Albania”. Ai është krenar për vendin e tij, sepse ai e ka bërë atë që ai është sot. Në gjoksin e tij, shqiponja me dy krena hap krahët, si në flamurin e Shqipërisë.

“Shumica e shqiptarëve të pasur të brezit tim i kanë trashëguar paratë nga familjet e tyre”, thotë ai me keqardhje. “Por unë e ndërtova vetë perandorinë time, dola në rrugë dhe nëpër klube”.

Kur ishte adoleshent, ai hoqi dorë nga shkolla dhe trajnonte muzikantët për intevista. Kjo punë vazhdoi e vazhdoi dhe e bëri atë gjithnjë e më të pasur. “Kurrë nuk e harroj se nga kam ardhur, kush isha dhjetë vjet më parë, biri i një mësueseje dhe një ushtaraku,” thotë ai.

Ai dhe miqtë e tij shpenzojnë 3 deri në 4 mijë euro në natë kur dalin për qejf. Indriti na fton në një nga këto dalje.  Në një klub nate ai na pret me të dashurën e tij, Deizy, dhe një shishe shampanjë. Kushton 300 euro shishja. Kushdo që dëshiron të rrijë në sallonin VIP duhet të paguajë. Askush nuk pi, por fëmijët e pasur porosisin shishe pafund që vijnë në një kovë akulli shoqëruar me fishekzjarre.

“Mënyra ime e jetesës? Tre makina, pesë shtëpi, jetë mes Greqisë dhe Shqipërisë”.

Drekën e ditës tjetër takojmë mikun e Indritit, Aldo Boni, 31 vjeç, në mbretërinë e tij: AquaPark, një park zbavitës me rrëshqitje në ujë dhe disa pishina ku familjet e zakonshme zbaviten në njërën anë , kurse të pasurit në zonën VIP, nga ana tjetër.

Qendra tregtare pranë saj? Gjithashtu e tij. “80 dyqane, 60 mijë metra katrorë, dy  kate, gjithsej 300 punonjës”, thotë Aldo dhe, menjëherë, shton: “Ju do shkruani një histori për të pasurit e Shqipërisë?”

Ai do të bëhet pjesë e shkrimit tonë vetëm nëse nuk dëmtohet imazhi i tij. Ai nuk dëshiron të radhitet pranë fëmijëve të politikanëve të korruptuar, të cilët gjithashtu janë të shumtë këtu. Shqipëria është në listën e vendeve kandidate për anëtarësim në BE. Vendi do bëhet anëtar vetëm nëse lufton korrupsionin.

“Mos u shqetëso,” i them atij. “Do shkruajmë vetëm për ata që fitojnë paratë e tyre me ndershmëri”.

—”Mirë,” përgjigjet Aldo. “Çfarë doni të dini?”

—”Si jetoni, për çfarë shpenzoni para?”

—”Nuk jam kurrë i kënaqur me atë që kam,” thotë ai. “Dua gjithnjë e më shumë, vazhdoj të punoj, punoj shumë çdo ditë, jam ambicioz, jam këmbëngulës dhe kur e shoh se dikush në moshën time ka arritur më shumë se unë, dua dhe unë më shumë.”

Aldo flet shpejt sikur po e ndjek ndonjë tren: “Unë kam tre makina, pesë shtëpi, bëj jetesë mes Greqisë dhe Shqipërisë. Kam dy nënshtetësi. Kam mbledhur ora, gra dhe makina. Të treja i ndryshoj mjaft shpesh.”

Pasi u sigurua që unë do të vija në Shqipëri, administratori kishte botuar një “story” në Instagram dhe pyetur se kush donte të takohej me gazetarët gjermanë. Erdhën shumë mesazhe. “Po ta dija, do t’u merrja para,” thotë ai. “Të gjithë duan të takohen, një histori në mediat gjermane, kjo është një gjë e madhe!” Edhe një nga njerëzit më të pasur në vend u kthye më herët nga udhëtimi i tij me jaht vetëm për ne.

Xhodi Daçi është ulur në një karrige plastike në një lavazh makinash, duke pritur për “të dashurën” e tij, një makinë Corvette të verdhë, e vetmja në Shqipëri.

Gjithçka e 30-vjeçarit shkëlqen. Ora e artë, 43 mijë euro; unaza e artë me diamante, 2 500 euro; gjerdani prej ari, 4 mijë euro; atlete të arta, 2500 euro. Unë e pyes nëse i pëlqen vëmendja. “Po, pse jo! Unë isha askush, tani jam dikush, pse nuk duhet ta tregoj!”

—”Pse je kaq i suksesshëm?

—”Unë gjithnjë notoj kundër rrymës, kur të gjithë bënin tatuazhe, unë qëndrova i pastër dhe kur të gjithë shqiptarët ikën nga vendi, unë qëndrova”.

Deri në fillim të viteve 1990-të, Shqipëria ishte një lloj Koreje e Veriut, komuniste dhe e izoluar nga pjesa tjetër e botës. Kur diktatura u shemb, vendi prej tre milionë banorësh hapi kufijtë e tij, gati 800 mijë njerëz ikën në Itali, Greqi dhe Gjermani.

—”Si të gjithë shqiptarët, fillova nga zeroja, punonim nga 16 orë… Tregu shqiptar ishte i uritur për çdo produkt të huaj. Shkoja në Gjermani, bleva gjithçka që mund të mbanin duart, cigare, ushqime, pije energjike. Këto ishin kohët e arta, shteti nuk ekzistonte, nuk paguanim taksa, nuk kishim konkurrencë, gjithçka që fitoje ishte fitim i pastër.”

Më pas ai investoi në një kompani ndërtimi. Përveç vilës së tij, ai ka një skaf, makina Maybach, S-Class, Mercedes-AMG S 63, një Audi S Line dhe sigurisht Corvetten e tij. Çfarë dëshiron të blejë më pas?

“Një avion privat do të ishte mirë,” thotë ai, sikur kjo të ishte plotësisht normale.