Të paktën dy efektivë policie pjesë e bandës së Shijakut

Të paktën dy efektivë policie pjesë e bandës së Shijakut Pamje gjatë arrestimit të Flamur Avdylit, 21 tetor 2018

Të paktën dy efektivë policie kanë qenë pjesë e bandës së narkotrafikantëve të Shijakut, që drejtohej nga vëllezërit Avdyli.

Bledar Koçi dhe Astrit Gjyriqi, të dy të arrestuar gjatë operacionit të së dielës të policisë, janë punonjës të institucioneve ligjzbatuese që kanë ndihmuar bandën gjatë prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Bledar Koçi, i cili punonte në sektorin kundër lëndëve narkotike në Fier, informonte anëtarët e bandës Avdyli për lëvizjet e policisë dhe prokurorisë. Koçi ka informuar bandën dhe për pajisjet përgjuese që prokuroria kishte vënë në makinat e anëtarëve të bandës.

Nga përgjimet, është zbuluar se Koçi komunikonte me Hajri Seferin, anëtar i bandës së Shijakut, i arrestuar ditën e dielë.

Ndërkohë Astrit Gjyriqi, punonjës policie në pikat kufitare, ndihmonte anëtarët e bandës me precedentë penalë që të lëviznin lirshëm në pikat kufitare.

Koçi, Gjyriqi, disa anëtarë të familjes Avdyli dhe vëllai i deputetit socialist Arben Ndoka, Xhevahir Ndoka u arrestuan më 21 tetor, si pjesë e një grupi të strukturuar që prodhonin dhe trafikonin heroinën dhe kokainën e prodhuar në laboratorin e Hasit.

Një kronologji të plotë të operacionit të policisë mund ta lexoni këtu.

Lajme te ngjashme