Nga Dr. Alma Hasalami
Vdekja e psikiatrisë dhe vesi i politikës

Sot, në ditën ndërkombëtare të shëndetit mendor, në shekullin XXI, askush nuk flet për shkaqet e vërteta të epidemisë së çmendurisë. Tetë vite më parë, kur fillova specializimin për psikiatri, na u tha që kishim bërë zgjedhjen e duhur pasi qe parashikuar që në 2020, depresioni do bëhej epidemik. Pra shëndeti mendor do merrte një rëndësi të veçantë, që nuk e kishte patur kurrë më parë. Më vonë kuptova që ky nuk qe një parashikim, por një programim i asaj që duhej të vinte. Jemi afër 2020 dhe ministria e “shëndoshësisë” nuk është preokupuar fare të shtojë shërbimin psikiatrik në vend, me gjithë epideminë që vetë e kish “parashikuar”. E gjithë Shqipëria mbulohet nga katër spitale të psikiatrisë adulte në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë, ku shumica e pacientëve nuk janë aty për arsye kurimi, por për arsye azili. Ku fluksi i madh i pacientëve e ka rritur shumë ankandin e një krevati në Psikiatri, sikur të jetë hotel pushimi.

Për të mos folur për Psikiatrinë e fëmijëve dhe adoleshentëve, ku duhej vënë theksi më shumë. Jo vetëm prej epidemisë së autizmit që doli nga hiçi, por duke marrë parasysh që problemet e shëndetit mendor kanë qenë githmonë probleme të moshës së re. Sa më e hershme ndërhyrja, aq më i lehtë është shërimi dhe aq më eficiente është popullata. E prej këtij parimi, ministria, në githë këto vite, u kujdes shumë të mos hapte asnjë shërbim për psikiatrinë e fëmijëve dhe adoleshentëve. Në të gjithë Shqipërinë, vetëm Tirana ofron shërbim spitalor dhe ambulator për fëmijë. Spitalori ka vetëm dy mjekë që mbulojnë këtë shërbim për të gjithë Shqipërinë, ndërsa ambulatori vetëm tre mjekë që mbulojnë gjithë  popullatën e madhe të Tiranës. Pra duket qartë që ministrisë nuk i ka interesuar aspak të marrë ndonjë masë mbi epideminë. “Ouu…” – më thotë një ish-këshilltar i qeverisë, – “Në ministri ata i thonë akoma Spitali i Budallenjëve…kurse ti pret të investojnë në Psikiatri!”. Pastaj kur sëmuret ndonjë i afërm i ministrit apo i kryeministrit, duke parë kushtet e rënda të spitalit, vijnë kërkojnë dhomë vipash. A mund të ketë dhomë vipash psikiatria?!

Por çdo e keqe e ka një të mirë. Ministria ka bërë shumë mirë që nuk ka shtuar shërbimet psikiatrike, sepse çdo shërbim i tillë është shndërruar në institucion prodhimi invalidësh. Ka që në vitet ’70, kur lindën lëvizjet e para botërore antipsikiatrike, që protestohet kundër mjekësisë moderne. Nuk ka më mjekësi, ka thjesht mjekë që shesin ilaçe te pacientë nevojtarë. Nuk ka më shkencëtarë që të flasin për shëndetin apo për sëmundjen. Ka vetëm firma farmaceutike që bëjmë studime qesharake, për të nxjerrë ilaçin e tyre si kurën më të suksesshme antidepresive apo antipsikotike. Kurse mjeku bën thjesht ndërmjetësin mes firmës dhe pacientit, vetëm për të mbushur barkun me bukë (meqë rroga e shtetit nuk ia mbush dot). Jo vetëm kaq, por duke qenë se mjekësia moderne e ilaçeve lulëzoi pas Luftës së Dytë Botërore, me breza të tërë mjekësh janë edukuar me idenë se e vetmja armë e mjekësisë është ilaçi dhe se shumica e sëmundjeve janë kronike (meqë ilaçet, në shumicën e rasteve, nuk shërojnë por vetëm kronicizojnë).

Dhe ja ku jemi sot, në epokën e internetit, ku njerëzit jetojnë më shumë virtualisht se fizikisht, çështjet mbi shëndetin mendor jo vetëm që s’kanë evoluar, por po shkojnë drejt një degradimi të skajshëm. Akoma besohet se zgjidhja e problemit mendor është pilula. Pra jemi vetëm te konkretja dhe aspak tek imagjinarja, ndonëse kalojmë tërë ditën e tërë jetën të imagjinarja e dikujt tjetër (interneti). Dhe jo vetëm kaq, por amerikanizimi i psikiatrisë, me pretendimin se i ka lehtësuar psikiatrit deduksionin llogjik mbi diagnozën, i paraqet atij algoritma të ftohtë zgjidhjesh që e vrasin individin deri në shpirt. Dhe ky sistem nuk fyen vetëm imagjinaren e pacientit, por gjithë qenien e tij duke e etiketuar si të çmendur, si invalid.

E ndërkohë që pranojmë sistemin psikiatrik amerikan, mohojmë ekzistencën e teknologjive të përparuar, që vijnë po prej andej, të çipave fizikë dhe jo fizikë, duke e quajtur të çmendur këdo që flet për to (dy vite më parë mora vesh që edhe në Shqipëri ekziston një shoqatë për mbrojtjen e individëve me çipa e programe të implantuara, të cilët janë organizuar vetë për tu mbrojtur nga sulmi i këtij sistemi). Akoma etiketohet si skizofrenë kushdo që flet për alienët, ndonëse Hollivudi prodhon pafund filma për ta. Askush nuk flet për shpirtin, ndonëse termi Psikiatri vjen nga Psika, që do të thotë shpirt. Dhe në gjithë konferencat pompoze, të sponsorizuara nga firmat mafioze farmaceutike, dëgjon referime boshe, me grafiqe dhe terma statistikorë, që as vetë referuesi nuk i kupton. Në fakt askush nuk i kupton, por për të mos ngjarë si injorantë sillen si “Mbreti lakuriq”.  Dhe me gjithë këto studime statistikore, që mund të jenë si shifrat e rritjes ekonomike të kryeministrit, askund nuk ngrihet alarmi për epideminë e problemeve psikiatrike. Flasin për politika lehtësimi e mbështetjeje, por nuk bëhen merak për shtimin e invalidëve.

Askush nuk flet për shkaqet e vërteta të sëmundjeve psikiatrike. Askush nuk flet për traumën e individit që lind nga stili dhe injoranca e këtij sistemi. Askush nuk flet për helmimin e vazhdueshëm dhe krijimin e labirinteve që kanë zënë në kurth individin, i cili me shqisa të fjetura nuk është më në gjendje të perceptojë Realitetin (nga i vjen e keqja, nga i vjen sëmundja). Si gjithmonë vesi i politikës mbetet prodhimi i turmave dhe vrasja e individit. Askujt nuk i intereson një popullatë e shëndetshme, e cila mund të përmbysë një qeveri të dështuar.