Vetëm 48 orë pas transmetimit, Rama shpalli dënimin me burg të përgjegjësve për videon Xhafaj

Në rrëmujën e krijuar në lidhje me të vërtetën për bisedën e pretenduar të Albert Veliut me Agron Xhafajn, ajo që mund të ndihmojë për të kuptuar është kuptimi i kronologjisë së zhvillimeve dhe identifikimi i fakteve.

Një nga faktet më të rëndësishme është deklarata e parë që bëri Kryeministri Rama pas bërjes publike të përgjimit audio të bisedës.

Pohimi u bë rreth 48 orë pas transmetimit të bisedës, gjatë një mbledhje me grupin e tij parlamentar. Më poshtë janë dy fragmente video të shkëputura nga fjalimi i Kryeministrit, marrë nga Ora News.

Sot, ky pohim merr një kuptim të ri, sepse brenda pak orësh nga transmetimi i videos, Kryeministri e kishte shpallur atë të sajuar dhe kishte kërkuar që përgjegjësit të dënoheshin me burg. Pak a shumë i njejti përfundim u arrit nga Prokuroria pas katër muajsh hetimesh.

Pohimet kryesore të Kryeministrit në këtë deklaratë të atëherëshme ishin:

— Kryeministri kishte marrë që një ditë më parë përgjigjen e një ekspertize të huaj që i ishte bërë videos—pra, Kryeministri pohon se, brenda 24 orësh, video ishte dërguar dhe analizuar jashtë shtetit.

— Analiza shkencore e videos ishte bërë në një nga laboratorët më seriozë të botës, por pa e identifikuar atë.

— Përgjigjja nga ky laborator i paidentifikuar ishte e mjaftueshme për kryeministrin—pra, ai nuk kishte nevojë për hetimin e prokurorisë për të kuptuar çfarë ka ndodhur.

— Përfundimi i analizës nga ky laborator i paidentifikuar nuk kishte nxjerrë asnjë gjë kompromentuese për Ministrin Xhafaj, pra analiza e pretenduar shkencore kishte përjashtuar që zëri të ishte i Agron Xhafajt.

— Video është një material i krijuar për të mashtruar opinionin publik shqiptar dhe të huaj.

— Qëllimi i mashtrimit të opinionit ishte destablizimi i qeverisjes dhe pengimi i hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

— Videoja ishte maja e thikës në dorën e opozitës, pra, thika me të cilën opozita po kërkonte “të vriste” qeverinë.

— Ata që kanë bërë videon duhet të dënohen me burg.