Nga Marash Logu
Vetingu apo pastrimi i politikës nga personat me lidhje kriminale — Shpjegim i shkurtër

Propozimi i opozitës për amendimin e Kushtetutës për të sanksionuar në të vetingun e drejtuesve më të lartë shtetërore ka sjellë zhurmë mediatike dhe dy qëndrime të kundërta politike. Opozita e ka shpallur vetingun e politikës si kusht të panegociueshëm të saj, ndërsa shumica qeverisëse duket, të paktën, skeptike, në mos haptazi kundër vetingut.

Sikurse thuajse gjithmonë edhe këtë herë, përballë këtyre qëndrimeve të papajtueshme, qytetarët kanë kuptuar fare pak propozimin dhe argumentat pro apo kundër. Më poshtë, ne po mundohemi të hedhim pak dritë mbi atë se çfarë është vetingu i politikës dhe çfarë synon ai.

Vetingu i politikës synon pastrimin e niveleve më të larta të shtetit nga individë që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar — qëllimi është që në Kuvend, në qeveri, në krye të bashkive dhe institucioneve të tjera kushtetutuese të mos ketë individë, të cilët kanë kontakte apo shoqërim me persona të përfshirë në aktivitete kriminale. Për rrjedhojë, vetingut do të duhet t’i nënshtrohen kryeministri, ministrat, deputetët, kryebashkiakët dhe drejtuesit apo anëtarët e institucioneve kushtetuese e ligjore që votohen nga Kuvendi.

Ligji i vetingut në drejtësi ka përcaktuar se kontakt i papërshtatshëm nënkupton ”një takim, komunikim elektronik ose çfarëdolloj mënyre tjetër takimi i qëllimshëm, që nuk është në pajtim me ushtrimin e detyrës nga subjekti i rivlerësimit, pavarësisht nëse vendosen marrëdhënie biznesi ose ndonjë marrëdhënie tjetër”. Ky përcaktim ose një përshtatje e tij mund të përdoret edhe për vetingun në politikë.

Procesi i vetingut do të duhet të kalojë në dy faza. E para, është vetëdeklarimi—paraqitja e një deklarate të detajuar në lidhje me kontaktet, shoqërimin apo lidhje të tjera me persona me aktivitet kriminal—deklarimi bëhet nën përgjegjësi ligjore, pra nëse vertetohet se është plotësuar informacioni qëllimisht i rremë, deklaruesi ndëshkohet penalisht.

Faza e dytë është ajo e verifikimit të vetëdeklarimeve dhe mbledhjes të çdo informacioni tjetër zyrtar nga institucionet shtetërore. Verifikimi nënkupton kryerjen e një hetimi të plotë për të parë nëse funksionari ka apo jo kontakte me individë të krimit të organizuar. Nëse nga ky hetim, zbulohet ekzistenca e kontakteve të tilla, personit i ndalohet të zgjidhet në Kuvend apo në krye të Bashkive, i ndërpritet mandati apo shkarkohet nga detyra që mban, sipas rastit. Të njëjtat pasoja vijnë edhe në rastin kur personi nuk pranon të kryejë vetëdeklarimin, apo paraqet të dhëna të pasakta.

Vetingu i politikës nuk i mbivendoset as dekriminalizimit, as reformës në drejtësi apo veprimtarisë së ILDKPI-së. Përkundrazi, ky proçes është një hap plotësues në garantimin e integritetit të funksionarëve të lartë publikë.

Ku ndryshon vettingu në politikë nga dekriminalizimi

Dekriminalizimi synon që të largojë nga funksionet e larta drejtuese dhe administrata publike, personat me dënime kriminale në të kaluarën e tyre.

Ndërsa vetingu në politikë synon largimin e zyrtarëve, që janë të padënuar, por në një mënyrë apo një tjetër kanë shoqëri me njerëz të përfshirë në aktivitete kriminale—shoqërim që përvec dëmtimit të figurës morale dhe etike të drejtuesit të shtetit, mund të shërbejë si inkurajim apo mbrojtje indirekte për kriminelin.

Të dyja së bashku, vetingu dhe dekriminalizimi, kanë për qëllim që ta pastrojnë politikën qoftë nga ata që kanë kryer krime vetë, qoftë nga ata që kanë lidhje me kriminelë. Në këtë kuptim, vetingu në politikë është thellim apo plotësim i proçesit të dekriminalizimit të politikës.

Pse vetingu në politikë nuk ndërhyn tek puna e SPAK dhe BKH

Nga ana tjetër, sistemi i drejtësisë nëpërmjet sistemit gjyqësor, sistemit të prokurorisë dhe njësive të posaçme të hetimit dhe gjykimit, synon të hetojë dhe gjykojë çështjet që lidhen me krimin e organizuar dhe me korrupsionin e funksionarët të lartë të shtetit. Në këtë rast kemi të bëjmë me procese të qarta të sistemit të drejtësisë në përfundim të të cilave zyrtari mund të dënohet me burgim dhe si të tilla ato garantojnë të drejta maksimale para atyre që mbrohen.

Ndërsa vetingu i politikës—i cili është një proces administrativ, përfundimi i të cilit mund të sjellë vetëm ndalimin e zgjedhjes, mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra—është një proces që kufizon të drejtën e individit për të shërbyer në nivelet e larta të politikës dhe qeverisjes për arsye që mund të mos përbëjnë shkelje ligjore penale.

Në këtë lloj kuptimi, vetingu i politikës shtrin apo plotëson procesin e pastrimit të figurave drejtuese të pushteteve në Shqipëri duke i shtuar këtij procesi që deri tani përfshin vetëm pushtetin e tretë të drejtësisë, edhe pushtetin e parë të legjislativit dhe atë të dytë të ekzekutivit. Të dyja proceset së bashku synojnë pastrimin e pushteteve nga ndikimet kriminale dhe kthimin e besimit të publikut tek institucionet e shtetit.

Shpjegimet e mësipërme, na bëjnë të kuptojmë se vetingu i politikës nuk krijon përplasje me asnjë nga reformat e ndërmarra nga shteti shqiptar. Përkundrazi, ky është një zhvillim tjetër pozitiv në rrugën e garantimit të standardeve më të larta sa i përket përfaqësimit politik dhe institucional të qytetarëve shqiptarë.


Ky është artikulli i parë në serinë e disa artikujve shpjegues për vetingun në politikë.